Home KRYESORE E nisi me dy gishtat lart, e bitisi me dy gishtat poshtë!

E nisi me dy gishtat lart, e bitisi me dy gishtat poshtë!

Nga Mentor Kikia

Në fakt kjo është një metaforë, por që dëshmon e metamorfozën e një partie politike dhe të një politikani që ka sunduar apo ka qenë aktor kryesor i skenës politike në afro 3 dekada e gjysmë.
Unë po shpresoja që fokusi i debatit publik, këtë vit, të zhvendosej tek qeveria dhe rezultatet e qeverisjes, por për fat të keq, sërish është opozita dhe ‘Rruga e Shpresës” që po tërheq vëmendjen. Kam qenë në debate televizive këto ditë me mbështetës të Z.Berisha, dhe i kam pyetur:

-Rama, sado i korruptuar të jetë, nuk rrëzohet nga pushteti vetëm me akuza, por me një ofertë më të mirë edhe politike, edhe qeverisëse. Cila është oferta juaj?

-Sali Berisha, kjo është alternativa dhe oferta më e mirë!

Kjo ishte përgjigja që mora.

Në atë formacion politik, ka ca deputetë që qëndrojnë poshtë shtëpisë së Berishës, sepse e shikojnë si të vetmen mundësi që të jenë në një listë kandidatësh. Ka ca qytetarë që thjeshtë e adhurojnë atë si udhëheqës politik, dhe s’ka asgjë për të gjykuar këtu.

Po të tjerët, ata që e dinë mjaft mirë se PD(apo sido ta ketë emrin e ri), me Berishën në krye nuk shkon në pushtet, çfarë bëjnë? Çfarë presin? Me apo pa “non grata”, Berisha as mundet dhe as nuk duhet të vijë më në pushtet. Ai e bëri historinë e tij. Ata që shkojnë çdo pasdite tek “Rruga e Shpresës”, po marrin pjesë me ndërgjegjen e tyre të pastër në funeralin politik të një partie, që nisi me dy gishtat lart e me qindra mijëra adhurues në sheshe, dhe përfundoi me disa dhjetra njerëz që shikojnë Berishën me dy gishat poshtë ti përshëndesë.

Fundi i një partie është një e zakonshme. Ndërsa fundi i një opozite është një problem i madh për një shoqëri.

Share: