Home KRYESORE Kur nuk kishte planifikim familjar, kontraceptivë e më the e të thashë...

Kur nuk kishte planifikim familjar, kontraceptivë e më the e të thashë dhe Sot…

Nga Çapajev Gjokutaj

Keni parë ju, sa më i madh egoizmi, aq më të vogla familjet?, ia nisi Naqja pas një goxha pauze. Secili qe zhytur në të vetat dhe pyetja e Naqes, pa ndonjë lidhje me ato që kishim folur më parë, ngjante disi abstarkte.

Po ja, u përpoq Naqja të shpjegohej, unë kam tre fëmijë, të tre të martuar prej vitesh. Vetëm vajza mezi na bëri një nip; dy djemtë, me ç’duket, as që e kanë në mend. Dy palë gjyshër me një nip, vetëm njëzë…

Janë bërë egoistë e shkuar egositëve këta të sotmit, shohin rehatin e s’u pëlqejnë sakrificat, se të rritësh fëmijë do dhe sakrifica, i doli në krah Lilua.

Po ta marrësh kështu, të del se brezi para nesh, që bënin nga 4-5 a më shumë, ishin altruistë, prishi buzët Qaniu.
Doemos që s’ishin kaq egositë sa këta të sotmit, ndërhyri Beqiri. Po Qaniu këmbënguli në të tijën: Ishin më egoistë, i lëshonin njeri pas tjetrit si lepujt, pa e prishur terezinë se si do rriteshin.

Nuk është egoizmi, është ekonomia ajo që përcakton, vazhdoi Qaniu, baballarët e gjyshërit tanë bënin një çetë me fëmijë se kishin leverdi. Kur mbushte 10-12 vjeç fëmija mund të kulloste gjënë e gjallë, kurse kur bëhej 14-15 vjeç punonte edhe në arë. Të dyja këto aktivitete i nisnin shumë herët dhe pa kurrfarë shkollimi a trainimi. Sot, të përgatisësh një fëmijë për tregun e punës të duhen 15-20 vjet shkollim e trainim. Po gjatësia është vetëm njera kokëçarje, më e rëndë është kostua, duhet të lesh qimet e kokës për një fëmijë të vetëm, koston për 5-6 fëmijë do ta mendonin mirë dhe të kamurit.

Tjetër mendim kishte Ilmiu, fëmijët e shumtë sipas tij ishin ndeshje me vdekjen dhe pleqërinë. Mortaliteti foshnjore, arsyetonte, ishte shumë i lartë dhe prindërit s’e dinin sa nga të lindurit do mbeteshin gjallë e sa do iknin pa u rritur. Perspektiva e një pleqërie pa fëmijë ka qenë rrënqethëse në atë shoqëri që nuk kishte as pensione, as shtëpi pleqsh e më the e të thashë.

Po Beqiri e shihte të gjithë këtë si punë të ndërvarur nga biologjia. Në kohën e nënave tona e më parë, arsyetonte, vajzat martoheshin 14-15 vjeçare, sot u duhet të mbarojnë studimet, të nisin një karjerë dhe martesa shtyhet nga fundi i të njëzetave, kurse lindja e fëmijës edhe më tej. Doemos që një vajzë e re e ka aftësinë e fertilizimit shumë më të lartë sesa një tridhjetë e kusur vjeçare, gjyshet tona mund të bënin fëmijë çdo dy vjet a më herët, kurse këto të sotmet ngrijnë vezët në frigoriferë mjeksor, se e dinë që, kur sigurimi i një kariere t’u lejojë lindjen e fëmijës, trupi mund të mos u përgjigjet apo mund t’u përgjigjet përgjumësh e të sjellin në jetë foshnje me cene fizike a mendore.

Harruat që në kohën e nënave dhe gjysheve tona, ndërhyri prap Ilmiu, nuk kishte planifikim familjar, kontraceptivë e më the e të thashë.

Kjo puna e kontraceptivëve, e ndërpreu Qebiri duke qeshur, më kujton Dafinën, foshnjën e komshijve tanë që ne, të vegjlit e thirrëm për disa vjet Bace. Pse do thoni ju? Një paradite, tek po luanim në oborrin e tyre, na zuri syri dy perzevativë të ndërur në telin e rrobave. Tullumbace, menduam dhe tak fak i frymë e nisëm të luanim. Pas një copë here të dyja “tullumbacet” u çanë, kurse pas një viti Seferajt u shtuan me Dafinën, që ne të vegjlit e thërrisnim Bace e nënkuptonim Tullumbace. Dava injorance e perzevativësh.

S’ua paske harruar emrin, kujtesë të fortë që paske, e hodhi kunjën kamarjerja që po kalonte aty pari.
Duke shkuar në shtëpi, solla dhe një herë në mend gjithë argumentat pse dikur familjet kishin shumë fëmijë kurse sot pak e më pak. Çdo kohë me të vetën, mendova, po ka diçka që është përtej kohrave, madje edhe përtej njeriut. Të gjitha qeniet e gjalla, në miliona e miliona vjet i janë nështruar një ligji universal: të sigurojnë vazhdimësinë e species.

Share: