Home Gjeo-Ekonomia Libri kontrovers/ 10 surprizat e luftës së Putinit

Libri kontrovers/ 10 surprizat e luftës së Putinit

Surpriza e tretë: rezistenca ushtarake e Ukrainës. Të gjithë prisnin që ajo të shkatërrohej shpejt. Duke krijuar imazhin fëmijënor dhe të ekzagjeruar të një Putini demoniak, shumë perëndimorë refuzuan të shihnin se Rusia kishte dërguar vetëm 100,000 – 120,000 burra në Ukrainë, një vend prej 603,700 km2. Për krahasim, në vitin 1968, për të pushtuar Çekosllovakinë, një vend prej 127,900 km2, BRSS dhe satelitët e saj të Traktatit të Varshavës dërguan 500,000 ushtarë.
Por më të habiturit ishin vetë rusët. Në mendjet e tyre, njësoj si në ato të perëndimorëve më të mirëinformuar, madje ashtu si është faktikisht realiteti, Ukraina konsiderohet një shtet i dështuar. Që nga pavarësia e saj në 1991, ajo ka humbur afro 11 milionë banorë për shkak të emigrimit dhe rënies së lindshmërisë. Ajo dominohet nga oligarkët; korrupsioni atje arrinte para luftës në nivele të çmendura; vendi dhe njerëzit e tij dukeshin sikur qenë për shitje. Në prag të luftës, Ukraina ishte bërë toka e premtuar e nënave surrogate, të cilat rrisnin me çmim të lirë, në barqet e tyre, fëmijët e perendimorëve me para.

Ukraina sigurisht që ishte pajisur me raketa antitank Javelin nga NATO, ajo kishte, që nga fillimi i luftës, sisteme amerikane të vëzhgimit dhe udhëzimit. Por rezistenca e fortë e një vendi në dekompozim përbën një problem historik. Ajo që askush nuk mund të parashikonte ishte se Uraina do të gjente në luftë një arsye për të jetuar, një justifikim për ekzistencën e saj.

Libri bombë/ Disfata e perëndimit. Ukraina e ka humbur luftën

Surpriza e katërt ishte qëndrueshmëria ekonomike e Rusisë. Ne në perëndim na u tha se sanksionet, në veçanti përjashtimi i bankave ruse nga sistemi i sshkëmbimit ndërbankar Sëift, do ta gjunjëzonte vendin. Por nëse ndonjë mendje kureshtare, mes stafit tonë politik dhe gazetaresk, do të shpenzonte kohë për të lexuar veprën e David Teurtrie “Rusia, Rikthimi i fuqisë”, të botuar pak muaj para luftës, do të naa kishin shpëtuar nga ky besim qesharak për plotfuqinë tonë financiare. David Teurtrie tregon se rusët ishin përshtatur me sanksionet e vitit 2014 dhe ishin përgatitur të ishin autonome në fushën e IT dhe atë bankare. Në këtë libër ne zbulojmë një Rusi moderne, shumë larg autokracisë së ngurtë neo-staliniste që shtypi na portretizon ditë pas dite, e aftë për fleksibilitet të madh teknik, ekonomik dhe social – me pak fjalë, një kundërshtar që duhet marrë seriozisht.

Surpriza e pestë: shembja e gjithë vullnetit evropian. Europa bazohej fillimisht tek çifti franko-gjerman, i cili, që nga kriza e viteve 2007-2008, ka marrë formën e një martese patriarkale, ku Gjermania luan rolin e një bashkëshorti dominant që nuk e dëgjon më atë që i thotë partnerja. Por edhe nën hegjemoninë gjermane, besohej se Evropa ruante, një lloj autonomie të caktuar. Megjithëatë, pavarësisht nga disa hezitimesh fillestare në Berlin, duke përfshirë ngurimin e kancelarit Scholz, Bashkimi Evropian braktisi shumë shpejt çdo dëshirë për të mbrojtur interesat e veta. Evropa u nda nga partneri energjetik dhe (në përgjithësi) tregtar rus, duke e sanksionuar veten gjithnjë e më ashpër. Gjermania pranoi pa bërë zë aktin terrorist amerikan, drejtuar kundër saj po aq sa kundër Rusisë, të sabotimit të tubacioneve të gazit Nord Stream, i cili siguronte pjesërisht furnizimin e saj me energji. Ky akt u kryer nga “mbrojtësi i saj amerikan”, i lidhur për këtë rast me Norvegjinë, një vend që nuk i përket BE-ssë. Gjermania madje injoroi edhe hetimin e shkëlqyer të gazetarit Seymour Hersh për këtë ngjarje të pabesueshme, që vinte në pikëpyetje shtetin i cili paraqitet si garantuesi i domosdoshëm i rendit ndërkombëtar. Por ne pamë gjithashtu Francën e Emmanuel Macron-it të ssfumohej në skenën ndërkombëtare, ndërsa Polonia u bë agjentja kryesore e Uashingtonit në Bashkimin Evropian, duke pasuar në këtë rol Mbretërinë e Bashkuar, e cila doli jashtë Unionit për shkak të Brexit.

Në kontinentinentin tonë, në përgjithësi, aksi Paris-Berlin është zëvendësuar nga një aks i ri, Londër-Varshavë-Kiev i pilotuar nga Uashingtoni. Kjo zbythje e Evropës nga roli i një aktori autonom gjeopolitik është e çuditshme nëse kujtojmë se, gati njëzet vjet më parë, kundërshtimi i përbashkët i Gjermanisë dhe Francës ndaj luftës së Irakut, çoi në konferenca të përbashkëta për shtyp nga kancelari Schröder, presidenti Shirak dhe presidenti Putin.

Surpriza e gjashtë e luftës ishte shfaqja e Mbretërisë së Bashkuar si një raketë anti-ruse dhe një zhurmues pa peshë në gjirin e NATO-s. E cituar nga shtypi perëndimor, Ministria e Mbrojtjes Britanike u shfaq menjëherë si një nga komentuesit më të emocionuar të konfliktit, deri në atë pikë sa i bënte neokonservatorët amerikanë të dukeshin si militarë të vakët. Mbretëria e Bashkuar donte të ishte e para që do të dërgonte raketa me rreze të gjatë dhe tanke të rënda në Ukrainë.

Kjo psikozë luftënxitëse preku, në një mënyrë po aq të çuditshme, Skandinavinë, e cila prej kohësh ruante një temperament paqësor të prirur më tepër për nga neutraliteti sesa për nga lufta.

Prandaj, ne gjejmë një surprizë të shtatë, po me rrënjë protestante, të aneksuar pas eksitimit britanik, në Evropën Veriore. Norvegjia dhe Danimarka janë mbështetëse ushtarake shumë të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara, ndërsa Finlanda dhe Suedia, duke u anëtarësuar në NATO, zbuluan një interes të ri për luftën, që me sa duket ka ekzistuar përpara pushtimit rus nga Ukraina.

Analiza therrëse / Emmanuel Todd: Lufta e Tretë Botërore ka filluar

Surpriza e tetë është më… befasuesja. Ajo vjen nga Shtetet e Bashkuara, fuqia dominuese ushtarake. Shqetësimi filloi të shfaqej ngadalë dhe u shpreh zyrtarisht në qershor 2023 në raporte dhe artikuj të shumtë, burimi origjinal i të cilëve ishte Pentagoni: industria ushtarake amerikane është e mangët; superfuqia botërore është e paaftë të sigurojë furnizimin me predha – ose mjete të tjera – për të mbrojtur Ukrainën. Ky është një fenomen krejtësisht i jashtëzakonshëm kur dihet se në prag të luftës prodhimi i kombinuar i brendshëm bruto (PBB) i Rusisë dhe Bjellorusisë përfaqësonte vetëm sa 3.3% të PBB-së perëndimore (Shtetet e Bashkuara, Kanada, Evropë, Japoni, Kore). Këto 3.3%, të afta për të prodhuar më shumë armë se bota perëndimore paraqesin një problem të dyfishtë: së pari për ushtrinë ukrainase e cila humbet luftën për mungesë burimesh materiale; pastaj për shkencën mbretëreshë të Perëndimit, ekonominë politike, karakteri fals i së cilës – guxojmë ta përddorim këtë fjalë pa komplekse – po shfaqet në sytë e tërë botës. Koncepti i produktit të brendshëm bruto është i vjetëruar dhe tani duhet të reflektojmë mbi marrëdhënien e ekonomisë politike neoliberale me realitetin.

Surpriza e nëntë, vetmia ideologjike e Perëndimit dhe symbylltësia për ekzistencën e këtij izolimi. Të mësuar me modelin se janë ata që dekretojnë vlerat që bota duhet të përvetësojë, perëndimorët prisnin, sinqerisht, gati marrëzish, që i gjithë planeti të ndante indinjatën e tyre ndaj Rusisë. Ata mbetën të zhgënjyer. Pasi kaloi tronditja e parë e luftës, pothuajse kudo pamë shfaqjen e një mbështetjeje gjithnjë e më pak timide ndaj Rusisë. Ishte e pritshme që Kina, e shpallur nga amerikanët si kundërshtarja e radhës në listën e tyre, të mos e mbështeste NATO-n. Megjithatë, vini re se, në të dy anët e Atlantikut, komentatorët, të verbuar nga narcisizmi i tyre ideologjik, kanë arritur të besojnë seriozisht për më shumë se një vit se Kina mund të mos mbështesë Rusinë. Refuzimi i Indisë për t’u përfshirë ishte edhe më zhgënjyes, pa dyshim, në fund të fundit, sepse India është demokracia më e madhe në botë, dhe kjo shkakton paksa rrëmujë për kampin e “demokracive liberale”.

Ne u ngushëlluam duke thënë se kjo ishte për shkak se pajisjet ushtarake indiane ishin kryesisht me origjinë sovjetike. Në rastin e Iranit, i cili furnizoi me shpejtësi me dronë Rusinë, komentuesit në lajmet e çastit nuk e vlerësuan atë që do të thoshte ky afrim. Të mësuar t’i vendosnin dy vendet në të njëjtin thes, atë të forcave të së keqes, gjeopolitikanët amatorë të medias dhe të tjerët harruan se deri në ç’masë aleanca e tyre nuk ishte e vetëkuptueshme.

Historikisht, Irani ka pasur dy armiq: Anglinë, e zëvendësuar nga Shtetet e Bashkuara pas rënies së Perandorisë Britanike dhe… Rusinë. Kjo kthesë duhet të na kishte alarmuar për shkallën e trazirave gjeopolitike që do mund të ndodhin. Turqia, një anëtare e NATO-s, duket gjithnjë e më shumë e angazhuar në një marrëdhënie të ngushtë me Rusinë e Putinit, një marrëdhënie që tani kombinon, rreth Detit të Zi, mirëkuptimin e vërtetë me rivalitetin. Parë nga Perëndimi, i vetmi interpretim që iu bë këtij afrimi ishte ishte se këta vëllezër diktatorë padyshim kishin aspirata të përbashkëta.

Por, që kur Erdogan u rizgjodh në mënyrë demokratike në maj 2023, kjo linjë është bërë e vështirë për t’u mbajtur. Në të vërtetë, pas një viti e gjysmë lufte, e gjithë bota myslimane duket se e konsideron Rusinë si partner dhe jo si kundërshtar. Është gjithnjë e më e qartë se Arabia Saudite dhe Rusia e shohin njëra-tjetrën si partnerë ekonomikë dhe jo si kundërshtarë ideologjikë, kur bëhet fjalë për menaxhimin e prodhimit dhe çmimeve të naftës. Në përgjithësi, ditë pas dite, dinamika ekonomike e luftës ka rritur armiqësinë ndaj Perëndimit në vendet e botës në zhvillim, pasi ato vuajnë nga sanksionet.

Surpriza e dhjetë është duke u materializuar. Kjo është disfata e Perëndimit. Ndoshta mund të habisë një pohim i tillë në kushtet kur lufta ende nuk ka mbaruar. Por kjo disfatë është e sigurtë pasi Perëndimi po shkatërron vetveten ndërkohë që nuk është i sulmuar nga Rusia.

Le të zgjerojmë këndvështrimin tonë dhe t’i shpëtojmë për një moment emocionit që ngjall në mënyrë legjitime dhuna e luftës. Ne gjendemi në epokën e globalizimit të plotë, në të dy kuptimet e fjalës: maksimal dhe i përfunduar. Le të përpiqemi të kemi një vizion gjeopolitik: Rusia, në realitet, nuk është problemi ynë kryesor. Shumë e madhe për një popullsi në rënie, ajo do të ishte e paaftë për të marrë kontrollin e planetit dhe nuk ka as dëshirë ta bëjë një gjë të tillë; ajo është një fuqi normale, evolucioni i së cilës nuk është misterioz. Asnjë krizë ruse nuk destabilizon ekuilibrin global. Është në të kundërt një një krizë perëndimore dhe më konkretisht amerikane, në fazën e saj terminale, e cila rrezikon ekuilibrin e planetit. Valët e saj më periferike u pëplasën kundrejt një moli të rezistencës ruse, kundër një shteti kombëtar klasik dhe konservator.

©Lapsi.al nga “Disfata e perendimit”

Share: