Home KRYESORE Rama pas asamblesë: Jemi Partia Socialiste, bëjmë të mundur gjëra që për...

Rama pas asamblesë: Jemi Partia Socialiste, bëjmë të mundur gjëra që për të tjerët kanë qenë të pamundura

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i PSSH në komunikimin me gazetarët pas takimit të zgjeruar të Asamblesë Kombëtare të PS

-Një pjesë e asaj çka është diskutuar brenda doli dhe jashtë, pra rrodhi jashtë. Më shumë detaje mund të ndani me ne?

Kryeministri Edi Rama: Çfarë ka rrjedhur jashtë. Nuk e di çfarë ka rrjedhur, ne dëgjonim shiun që binte furi, por nuk rrodhi gjë brenda.

-Ka patur kritika për qarkun e Tiranës, konkretisht për bashkinë e Kavajës, e cila është humbur nga PS?

Kryeministri Edi Rama: Ne kemi bërë një mbledhje të gjatë, me diskutime të shumta, me shumë anëtarë të Asamblesë dhe ka qenë një mbledhje pune dhe në një mbledhje pune ka ballafaqime me fakte, ka ballafaqime me opinione të mbledhura në një proces shumë kapilar që ne kemi nisur, ka shqetësime që vijnë nga organizata të ndryshme të partisë, nga zgjedhës që e kanë votuar ose jo Partinë Socialiste, dhe të gjitha këto janë diskutuar, por nëse mund të flasim për kritika, atëherë do të thoja që ka patuar një qasje vetëkritike nga të gjithë së bashku, duke filluar nga unë. Kështu që, mos i besoni shumë mënyrës se si rrjedhin gjërat, sepse duhen verifikuar në burim.

Për verifikimin në burim edhe për respektin tuaj që qëndruan kaq gjatë këtu, jam së bashku me Ssekretarin e Përgjithshëm për të informuar që jemi shumë të kënaqur nga kjo mbledhje sepse kanë dalë shumë gjëra për të marrë parasysh. Kemi miratuar edhe planin e veprimit për periudhën 15 shkurt – 15 mars, kur fillojnë zgjedhjet në organizatën tonë politike.

Në 16 mars do të rimbledhim Asamblenë Kombëtarë në Durrës për të parë ecurinë e procesit që do të zhvillohet gjatë këtij muaji dhe pastaj do të rihyjmë në proces për zgjedhjet, të cilat parashikojmë të përfundojnë në 15 prill, dhe nga 15 prilli do të përgatitemi për procesin e zgjedhjeve me një anëtar, një votë, për delegatët e Kongresit që do të zhvillohet në muajin qershor.

Kështu që, jemi sipas parashikimeve dhe në funksion të objektivit që në zgjedhjet e ardhshme të marrim fitoren më shembullore të të gjithë këtyre proceseve zgjedhore që kemi zhvilluar deri tani.

-Në shifra mund të flasim se sa janë anëtarësimet e  reja?

Kryeministri Edi Rama: Kemi konstatuar me kënaqësi që në këtë proces paraprak kanë marrë pjesë aktivisht  mbi 55 mijë anëtarë të Partisë Socialiste. Ka pasur një sërë problematikash të  lidhura me organizimin, me komunikimin me të gjithë anëtarët, duke patur parasysh që ka patur lëvizje demografike të brendshme edhe nga brenda-jashtë, edhe nga jashtë-brenda. Kështu që, do të shikojmë në fund të procesit, sepse nuk jemi nxituar me anëtarësimet e reja.

Na është dashur të bëjmë njëherë një skanim objektiv të situatës në territor, ndërkohë që ka patur anëtarësime të reja, por nuk ka qenë ky objektivi i kësaj faze.

Ndërkohë që faza e muajit të punës, midis 15 shkurtit dhe marsit, është faza kur do të merremi konkretisht edhe me anëtarësimet e reja sepse tani ky proces do të akselerohet.

-Zoti Rama meqë burimi është këtu, keni patur ju pakënaqësi për bashkitë e humbura në zgjedhjet e 14 majit, siç është e rasti i bashkisë së Kavajës?

Kryeministri Edi Rama: Unë kam pakënaqësi për çdo gjë që bëj vetë, për çdo gjë që bën qeveria, për çdo gjë që bën Partia Socialiste, sepse pakënaqësia më ka çuar dhe më çon përpara dhe pa pakënaqësi do të thotë që nuk kemi më asgjë  për t’i dhënë këtij vendi dhe shyqyr që kemi pakënaqësi dhe shyqyr që bashkëjetojmë me nevojën për të qenë të pakënaqur, sepse po ramë në vetëkënaqësi, atëherë nuk kemi më funksion.

-A ka patur persona që rrezikojnë të prishin unitetin e partisë?

Kryeministri Edi Rama: Është një këtu afër po nuk po e konsiderojmë si rrezik, sepse çdo procesi i duhet dhe një hudhër dhe shyqyr që e kemi.

– A duhet të mbani qëndrim për dy akuzat që janë bërë nga ish numri 2 i qeverisë zoti Ahmetaj? Një qëndrim ndoshta dhe një koment për ato akuza dhe për qytetarët dhe anëtarët e PS pasi zoti Ahmetaj të paktën zyrtarisht vijon të jetë ende anëtar i PS?

Kryeministri Edi Rama: Tani, për qytetarët mos u shqetësoni sepse duhet të jeni shumë të sigurta dhe të sigurtë që leximin e opinionit të qytetarëve ne dimë ta bëjmë më mirë se kushdo tjetër sepse jo vetëm jemi në territor me qytetarët, por mbi të gjitha prej shumë vitesh kemi instrumente shkencorë përmes të cilave vlerësojmë opinionin qytetar, ne zhvillojmë anketime të rregullta për opinionin qytetar për çdo çështje. Ne zhvillojmë fokus grupe në mënyrë të vazhdueshme për të kuptuar cilat janë shqetësimet e qytetarëve, çfarë qytetarët presin nga ne, çfarë kritikash kanë ata për ne dhe ne zhvillojmë fokus grupe me qytetarët që na votojnë, me qytetarët që nuk na votojnë dhe kështu me radhë.

Kështu që për qytetaret mos u shqetësoni, ata janë shumë të qartë dhe gjithmonë janë më të qartë sesa ne, se ju po e po sepse qytetarët merren gjithmonë, qytetarët shqiptarë që unë e kam thënë dhe e përsëris sa herë më jepet mundësia, janë politikisht një bashkësi jashtëzakonisht e interesuar dhe jashtëzakonisht me nuhatje. Dinë shumë mirë t’i ndajnë broçkullat nga thelbi dhe për pyetjet që më bëni, është një pyetje e tepërt, e kotë, e përsëritur që ka vetëm një përgjigje. Partia Socialiste, unë dhe të gjithë ne nuk komentojmë çështje që lidhen me drejtësinë dhe çdokush që ka çështje me drejtësinë i ka me drejtësinë. Ka një karakteristikë të përgjithshme të gjithë atyre që kanë çështje me drejtësinë, që ndihen viktima të forcave të errëta apo të forcave të tjera, por nuk është fare për mua dhe për ne ta shpjegojmë këtë fenomen. Kush ka probleme me drejtësinë t’i zgjidhi me drejtësinë. Nuk bën përjashtim askush për asnjë arsye. Unë kam qenë shumë serioz që ditën e parë kur kam thënë: duam një reformë në drejtësi për t’i hapur rrugën më në fund në një Shqipëri ku s’ka pasur kurrë drejtësi, një drejtësie që është jashtë influencës së pushtetit ekzekutiv dhe këtë ne e kemi arritur sot por është një arritje që nuk është e pakthyeshme prandaj ne do të vazhdojmë të qeverisim që këtë arritje ta bëjmë të pakthyeshme duke qene ne ata që e garantojmë drejtësinë, që është e lirë të veprojë, i ka duart e lira të veprojë mbi këdo dhe për çfarëdo arsye që drejtësia beson se X, Y, Z, të majtë, të djathtë, të qendrës, nën apo mbi, anash apo mbrapa duhet të përgjigjen përpara drejtësisë.

– A e keni kërcënuar ju Arben Ahmetajn në mbledhjen e kryesisë? Se ai pretendon që më pas kërcënimet kanë shkuar dhe tek familja dhe janë kthyer në kërcënime me jetë.

Kryeministri Edi Rama: Partia Socialiste e ka shumë të qartë pozicionin e vet. Ju mund të pyesni sa herë të doni, mund të komentoni sa herë të doni. Është liria dhe e drejta juaj të bëni komente për çdo gjë, por është detyra jonë që drejtësisë t’i japim të gjitha mundësitë të bëjë punën e vetë e pa shqetësuar nga ndikimi i pushtetit ekzekutiv, madje e pa shqetësuar as nga komentet e atyre që përfaqësojnë Partinë Socialiste.

-Zoti Rama, pas mbledhjes së sotme, a keni ju një objektiv se me sa mandate mbase do fitoni mandatin e katërt?

Kryeministri Edi Rama: Me më shumë se asnjëherë tjetër. Se sa do jenë do t’ju themi rrugës kur të jemi shumë të qartë sepse ne dimë se çfarë kërkojmë kur shkojmë në zgjedhje e ndryshe nga shumëkush që komenton rezultatet tona duke ia mveshur ato arsyeve nga më të ndryshmet por jo arsyeve të vërteta, nuk ka kuptuar akoma se me kë ka të bëjë kur i del përballë Partisë Socialiste.

– Një koment për akuzën që ju keni qenë strateg i kanabizimit të vendit sepse vjen nga ai   që ka qenë bashkëpunëtori juaj më i afërt.

Kryeministri Edi Rama: Partia Socialiste nuk bën komente mbi komentet e kujtdo që ka punë me drejtësinë. Kjo vlen për të gjithë dhe kjo nuk do të ndryshojë. Fatmirësisht kemi sot një ditë të re në rrugëtimin ende të gjatë të drejtësisë në Shqipëri e në këtë ditë të re kemi një pikë referimi që është struktura antikorrupsion e ndërtuar pikërisht për të bërë të mundur atë që deri dje dukej e pamundur dhe ne jemi Partia Socialiste që mision kemi të bëjmë të mundur gjëra që për të tjerët kanë qenë të pamundura apo gjëra që shumëkujt i duken sot e gjithë ditën të pamundura, por hap pas hapi do të shohin të gjithë e do të besojnë të gjithë se koha kur flamuri i partisë, i cilësdo parti, ishte gjethe fiku apo ishte çarçaf për të mbuluar hijet në trup ka vdekur.

– Zoti kryeministër çfarë do të kërkoni nga sekretari Blinken me mbërritjen e tij në Tiranë?

Kryeministri Edi Rama: Në radhë të parë, unë besoj se ka një domethënie të veçantë ardhja e Sekretarit të Shteti në Tiranë, për kontekstin në të cilin sot ndodhet Europa dhe bota, për kohën shumë të ngarkuar për një Sekretar Shteti që fakti se gjen të nevojshme dhe vendos në axhendën e tij të ndalet në kryeqytetin shqiptar si pikë referimi për rajonin, flet në mënyrë të posaçme për ku e kemi ngritur Shqipërinë në arenën ndërkombëtare dhe se çfarë përfaqëson sot Shqipëria në sytë e aleatëve tanë strategjikë, lidhur me këtë rajon, ku me krenari e them Shqipëria është forca e shembullit për të ndërtuar paqen, për të ndërtuar rrugët e bashkëpunimit, për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët dhe për tu ndarë nga një e kaluar e mbushur me tragjedi, e mbushur me prapambetje, e mbushur me raste të pafundme të humbura për ti lënë një vend5 më të mirë gjeneratave të tjera.

– A ka ndonjë domethënie për faktin që vjen në të njëjtën ditë kur jepet vendimi për çështjen McGonigal?

Kryeministri Edi Rama: Mirupafshim!

Share: