Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Rrugica leshi, shaje, tabaka dhe llulla”/ Zbardhet dosja e dënimit të gruas...

Rrugica leshi, shaje, tabaka dhe llulla”/ Zbardhet dosja e dënimit të gruas së ish-diktatorit, çfarë iu kërkua Nexhmije Hoxhës në gjyq që t’i kthente shtetit

Zbardhet pas 33 vitesh dosja e plotë e dënimit të Nexhimje Hoxhës.

Gjyqet në demokraci të zyrtarëve të lartë të diktaturës komuniste në Shqipëri të përmbledhura në një botimm, hedhin dritë mbi ngjarje të debatuara në vitet 1990, por të lëna sot në harresë.

Ato njihen gjerësisht si “Gjyqet e Kafeve”, ku nomenklatura u dënua për abuzime të vogla dhe jo për krime politike. Dokumentet e përfshirë në këtë libër e dëshmojnë këtë, por tregojnë edhe përpjekjet e drejtësisë së re për t’i dënuar përgjegjësit e diktaturës.

Autorët Jonila Godole, Celo Hoxha dhe Kastriot Dervishi së bashku me Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) ka sjellë botimin “Gjyqet ndaj nomenklaturës komuniste (1993-1996)”, ku janë përfshirë gjyqet më të rëndësishme në historinë e drejtësisë shqiptare me 35 persona të gjykuar.

Drejtuesit më të lartë regjimit komunist, njerëzit më të pushtetshëm në Shqipëri për gjysmë shekulli, u gjykuan dhe dënuan për krime të kryera ndaj popullit të tyre, të cilin e sunduan përmes dhunës dhe terrorit.

Mes personave që u dënuan ishte edhe e veja e diktatorit, Nexhmije Hoxha, e cila kishte qenë për një kohë të gjatë kryetare Frontit Demokratik, organizata më e pushtetshme pas PPSH-së.

Në vendimin e mëposhtëm Nexhimje Hoxha u dënua me 9 vite burg për për abuzime me dreka e darka si dhe dhurata ndaj mjekëve për trajtimin jashtë vendit. Ndër të tjera, thuhet se ajo do t’i kthente shtetit “tre copë shalle zadrimor, 4 copë rrugica leshi, dy copë çanta leshi, një tabaka bakri artistike, një komplet bucele prej druri, tre copë llulla druri, një çantë plasmasi dhe një tablo (pikturë)”.

Vendimi i plotë:

NEXHMIJE HOXHA, e bija e Tefikut dhe e Naxhijes, e dt.lindjes 1921, lindur në Manastir dhe banuese në Tiranë, e pa dënuar, e arrestuar më 4.12.1991, mbrojtur në gjyq nga avokati Dhimitër Beshiri. AKUZUAR: Se në bashkëpunim me persona të tjerë ka kryer krimin e përvetësimit të pasurisë shtetërore në shumën 746,192 lekë dhe atë të shpërdorimit të detyrës, duke i shkaktuar një dëm shtetit prej 121,738 lekë, nga të cilat 89,822 lekë në bashkëpunim me të pandehurin Kino Buxheli, vepra penale këto të parashikuara nga nenet 62; 106 e 13 të  K.Penal.

KINO BUXHELI, i biri i Dalanit dhe i Tikes, i dt.lindjes 1954, lindur dhe banues në Tiranë, i arrestuar më 31.8.1991, mbrojtur në gjyq nga avokati Përparim Sanxhaku. AKUZUAR: Se në bashkëpunim me persona të tjerë ka kryer krimin e përvetësimit të pasurisë shtetërore në shumën 3,261,888 lekë dhe atë të shpërdorimit të detyrës, duke i shkaktuar një dem ekonomik prej 2,135,682 lekë, vepra këto të parashikuara nga nenet 62; 106 e 13 të K.Penal.

Gjykata, pasi dëgjoi të pandehurit, dëshmitarët, ekspertët, kontabël, administroi provat shkresore dhe pasi dëgjoi prokurorin e seancës gjyqësore, i cili kërkoi: Të deklarohet fajtore e pandehura Nexhmije Hoxha për krimin e përvetësimit të pasurisë shtetërore në përpjestime të mëdha në vlerën 752,623 lekë dhe në bazë të nenit 62 të K.Penal të dënohet me 14 vjet heqje lirie. Detyrimi i të pandehurës të dëmshpërblejë shtetin në shumën 752,623 lekë. Për pjesën tjetër të dëmit t’i njihet personit juridik të dëmtuar e drejta e shpërblimit të dëmit dhe t’i dërgohet çështja për shqyrtim gjykatës civile. Në fazën e ekzekutimit, t’i zbritet vlera e dhuratave provë materiale.

Të deklarohet fajtor i pandehuri Kino Buxheli për krimin e shpërdorimit të detyrës dhe në bazë të nenit 106 të K.Penal të dënohet me 4 (katër) vjet heqje lirie. Të deklarohet fajtor i pandehuri Kino Buxheli për krimin e përvetësimit të pasurisë shtetërore dhe në bazë të nenit 62 të K.Penal të dënohet me 7 (shtatë) vjet heqje lirie. Në bazë të nenit 35 të K.Penal, i pandehuri Kino Buxheli të dënohet me 9 (nëntë) vjet heqje lirie. T’i njihet personit juridik të dëmtuar e drejta e shpërblimit të dëmit të shkaktuar dhe padia civile t’i drejtohet gjykatës civile. Gjykata, pasi dëgjoi edhe fjalën e mbrojtjes të të pandehurëve dhe të avokatëve mbrojtës të tyre, të cilët kërkuan:

E pandehura Nexhmije dhe avokati mbrojtës i saj pafajësi, I pandehuri Kino Buxheli dhe avokati mbrojtës i tij pafajësi,

VËREN

E pandehura Nexhmije Hoxha gjatë periudhës 1986-1990 ka qenë e zgjedhur në funksione të rëndësishme partiake dhe shtetërore si anëtare e K.Q. të P.Punës, deputete e Kuvendit Popullor, kryetare e F.D. të Shqipërisë dhe, për një kohë të gjatë, drejtoreshë e Institutit të Studimeve M.L. pranë K.Q. të P.Punës. I pandehuri Kino Buxheli në prill të vitit 1986 është emëruar me detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Pritjes, e cila ka pasuar për objekt të punës së saj plotësimin e kushteve të jetesës së ish-personaliteteve të larta të partisë dhe shtetit në periudhën e sistemit njëpartiak. Të dy të pandehurit, organi i prokurorisë të Rrethit të Tiranës, i ka dërguar për gjykim të akuzuar: se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, për të cilët  është veçuar çështja penale, kanë kryer veprat penale të përvetësimit të pasurisë shtetërore në përpjestime të mëdha, si dhe atë të shpërdorimit të detyrës, duke i shkaktuar shtetit një dëm të rëndësishëm ekonomik, parashikuar respektivisht nenet 62, 106 dhe 13 të K.Penal. Konkretisht, e pandehura Nexhmije Hoxha akuzohet për përvetësim të pasurisë shtetërore; se ajo gjatë periudhës 1986-1990 ka shtruar dreka e darka, pritje-koktej për persona të ndryshëm në vlerën 506,704 lekë (12,158 persona janë pritur për dreka e darka me kuotë 35 lekë secili dhe 21,662 persona me kuotë 3 lekë). Dreka dhe darka, sipas aktakuzës, janë shtruar prej saj edhe në rrethe të ndryshme të vendit.

E pandehura akuzohet se ka shpenzuar 25,553 lekë, që kanë të bëjnë me kuotën ditore 3 lekë, e shpenzuar prej saj dhe personave që sipas rastit e kanë shoqëruar; 6,439 lekë që përfshijnë 3,2 lekë në ditë të papaguar për periudhën e pushimeve; për shumën 143,290 lekë që përfaqëson diferencën në çmim të mallrave të blera me valutë në dorë; 25,051 lekë të shpenzuara për dhuratat që u ka shpënë mjekëve në dy raste kur ka dalë për kurim jashtë shtetit në vitet 1986 dhe 1987, dhe 52,160 lekë që është vlera e barnave mjeksore të përdorura prej saj dhe pjesëtarëve të familjes. Pra, akuzohet se ka përfituar shumën 746,192 lekë.

Gjithashtu, e pandehura Nexhmije akuzohet edhe për krimin e shpërdorimit të detyrës duke i shkaktuar shtetit një dëm të rëndësishëm që kap vlerën prej 121,738 lekë.Nga hetimi gjyqësor rezulton e provuar se e pandehura Nexhmije Hoxha krimin e përvetësimit të pasurisë shtetërore e ka kryer, por jo në atë shumë që akuzohet nga organi i Prokurorisë.

Për pritjet, drekat dhe darkat, e pandehura Nexhmije, sikur doli dhe gjatë gjykimit,ka qenë e udhëzuar të presë individë dhe delegacione të ndryshme, përkatësisht me funksionet dhe detyrat që ka pasuar edhe si bashkëshorte e Enver Hoxhës. Kjo veprimtari është thelluar fill pas vdekjes së Enver Hoxhës si në raste përvjetoresh, ngjarje historike etj.

Për realizimin e këtyre pritjeve, personeli i shërbimit mbi bazë të porosive të dhëna nga e pandehura Nexhmije, sipas rastit ka përgatitur dreka, darka, pritje-koktej e të thjeshta, dhe për çdo muaj, mbi bazë të përllogaritjeve të bëra, këto shpenzime janë përballuar nga shteti. Në këto raste, e pandehura Nexhmije, këto veprime nga ana subjektive nuk i ka kryer për të realizuar përfitime pasurore për veten dhe as për persona të tjerë, por se asaj i është bërë e ditur, sikundër doli gjatë gjykimit, nga personalitete të larta partiake shtetërore, se trajtimi i familjes së saj do të bëhej sikundër ishte bërë edhe më parë. Në lidhje me nxjerrjen e akteve partiake apo shtetërore, të cilat efektivisht nuk kanë datë, e që nëpërmjet tyre do të gjente rregullim kjo veprimtari, ishte detyrë e organeve partiake apo shtetërore dhe jo e të pandehurës. Kjo e fundit nuk ka patur asnjë detyrim ligjor për të ditur nëse këto akte kishin dalë nga organet kompetente apo jo.

Por e pandehura Nexhmije Hoxha për këtë episod duhet të përgjigjet vetëm për drekat dhe darkat e shtruara për vitin e ri, siç janë: më 1 janar 1986 për 15 persona; më 31 dhjetor 1986 për 26 persona; më 1 janar 1987 për 18 persona; më 31 dhjetor 1987 për 24 persona; më 1 janar 1988 për 15 persona; më 31 dhjetor 1988 për 21 persona; më 1 janar 1989 për 18 persona dhe më 31 dhjetor 1989 për 27 persona, duke shpenzuar në këto raste shumën 5,740 lekë e llogaritur kjo me kuotën 35 lekë për person dhe që janë përballuar nga shteti. Po kështu ajo duhet të përgjigjet edhe për pritjen e të afërmve të saj nga Turqia, ku pjesëmarrës kanë qenë pjesëtarët e familjes dhe të afërmit e saj, dhe shuma 1,505 lekë është përballuar nga shteti. E pandehura Nexhmije do të përgjigjet për përvetësim të pasurisë shtetërore për këto dreka dhe darka të shtruara prej saj, sepse si kryefamiljare ishte e detyruar të kryente përllogaritjet mujore të shpenzimeve që përballoheshin nga shteti dhe ato nga familja, pse mbi bazë të porosive që ajo i bënte personelit të shërbimit realizoheshin këto pritje.

Pra, përderisa nuk provohet marrëveshja për përvetësim midis të pandehurës Nexhmije dhe personelit të shërbimit për darkat dhe drekat e përmendura më lart, për të cilat është bërë shënimi “dreka e darka zyrtare”, gjykata sjell bindjen se për episodet e përmendura më lart, në dokumente janë pasqyruar të dhëna të rreme dhe e pandehura Nexhmije me veprime konkludente ka pranuar të realizojë përfitime pasurore. Dëshmitarët e pyetur gjatë gjykimit, për këto episode sqaruan se për rastet e vitit të ri nuk janë bërë pritje zyrtare, vetëm se janë bërë përgatitje për familjarët.

E pandehura Nexhmije Hoxha duhet të përgjigjet për përvetësim të pasurisë shtetërore edhe për episodin e dhuratave që ajo u ka bërë mjekëve kur ka shkuar për kurim jashtë shtetit, të cilat sipas fletëdaljes kapin vlerën 25,051 lekë.

Në të vërtetë, këto mallra të marra nga e pandehura janë shpenzuar prej saj, në një kohë që kjo e drejtë nuk i takonte, dhe për më tepër, do të përgjigjet për këto dhurata, sepse të tretëve ua ka dhënë në emër dhe për llogari të saj dhe jo të shtetit.

Për diferencat në çmimet e mallrave të blera me valutë në dorë (në 40 raste), që kapin shumën 143,290 lekë, e pandehura Nexhmije nuk duhet të përgjigjet penalisht, pse çmimi i mallrave është vendosur nga specialistë kompetentë, të cilët nuk kanë qenë nën influencën dhe nën ndikimin e saj. Siç shpjeguan këta specialistë, të thirrur me cilësinë e dëshmitarëve, çmimet e mallrave janë vendosur në bazë të manualit të çmimeve të asaj periudhe. Në rast se do të rezultonte ndonjë shkelje nga ana e specialistëve, në rastin konkret përsëri do të ndodheshim përpara detyrimit civil, por jo para përgjegjësisë penale. Është i vërtetë fakti që e pandehura Nexhmije për periudhën 1986-1990 ka marrë barna mjekësore falas, por një gjë e tillë ka qenë parashikuar në rregulloren e ish-Klinikës Speciale, të miratuar nga ish-Ministri i Shëndetësisë dhe në fakt kështu është vepruar për të gjithë anëtarët dhe kandidatët e Komitetit Qendror të Partisë së Punës, ndonëse ata në bazë të vendimit të Byrosë Politike nr.1, të vitit 1983, nuk e gëzuan këtë të drejtë.

Pra, e pandehura Nexhmije, në rastin e dhënë, nga ana subjektive nuk ka dashur të përvetësojë pasurinë shtetërore, por ka ditur se realizonte një të drejtë që asaj i takonte, sikundër kanë vepruar edhe të tjerët. Në lidhje me faktin tjetër, siç përmendet edhe në aktakuzë, se barna falas kanë marrë edhe pjesëtarët e familjes së saj, gjykata me provat e administruara nuk arriti në përfundimin që ka arritur organi i prokurorisë. Jo vetëm se në ish-Klinikën Speciale janë gjetur receta në emër të pjesëtarëve të familjes së të pandehurës, ku rezulton se barnat janë blerë me lekë në dorë, por thëniet e dëshmitarëve mbi të cilët mbështetet akuza, për këtë episod, gjykata nuk i merr të besueshme. Dëshmitarja Drita Andoni për t’i shpëtuar përgjegjësisë së saj, pse ka qenë kjo e ngarkuar me përgjegjësi materiale, mundohet që të fajësojë të pandehurën Nexhmije, në një kohë që siç doli gjatë gjykimit, ajo dhe mjeku Isuf Kalo kanë marrë në mënyrë të vazhdueshme e haptas të kundërligjshme barna nga farmacia që ndodhej në ambientet ku banonte e pandehura dhe i kanë shpënë dhe përdorur në pavionin ku drejtonte mjeku I.Kalo. Në lidhje me këtë veprimtari, gjatë gjykimit hodhi dritë dëshmitari Ilir Koxheri, i cili paraqiti edhe një fletore personale, në të cilën janë shënuar disa nga rastet që ai ka shpënë ilaçe nga farmacia në pavion, duke theksuar se kjo veprimtari ka vazhduar deri në vitin 1990. Pra, duke kaluar barnat nga farmacia në pavion, pa dokument dalje, kjo e fundit efektivisht nuk është shkarkuar dhe rezultati i inventarit ka dalë mbi bazë të fletëhyrjeve dhe shënimeve të bëra për barnat e harxhuara në kartelën klinike të të pandehurës.

Është i vërtetë fakti se deri nga mesi i muajit prill të vitit 1985 nga kjo farmaci janë tërhequr shumë barna mjekësore, por ky veprim është kryer edhe në periudhën e mëvonshme dhe ekziston mundësia reale që abuzime të jenë bërë nga personeli i shërbimit mjekësor, siç është dëshmitarja Drita Andoni e ndonjë tjetër.

Përfundimisht, për këtë episod, mbi bazë të shënimeve të bëra në kartelën klinike të të pandehurës Nexhmije, për periudhën në fjalë, pala e dëmtuar ka të drejtë të kërkojë në rrugë civile kundërvleftën e barnave të harxhuara prej saj.

Edhe për diferencën e papaguar prej 6,439 lekë, për periudhën pushimeve, e pandehura Nexhmije nuk duhet të përgjigjet penalisht. Në të vërtetë, kuota e ushqimit për anëtarët dhe kandidatët e Komitetit Qendror të Partisë së Punës, për periudhën e pushimeve, ka qenë 9,3 lekë, aq sa ka qenë e caktuar nga Bashkimet Profesionale, por me letrën nr. 875/l, datë 16.9.1968 të ish-zv/kryeministrit A. Çarçani për të lartpërmendurit është caktuar kuota 12.5 lekë në ditë. Si e pandehura Nexhmije dhe gjithë anëtarët dhe kandidatët e KQ të P.Punës, diferencën prej 3,2 lekë në ditë nuk e kanë paguar, kjo për faj të drejtuesve të Drejtorisë së Pritjes dhe në të tilla rrethana, e pandehura duhet të detyrohet civilisht të zhdëmtojë shtetin në shumën e mësipërme, por këtë e zgjidh gjykata civile.

Në lidhje me krimin e shpërdorimit të detyrës, që bënte fjalë për diferencën në inventar dhe vlerën e amortizimit të mallrave që të pandehurës i ishin dhënë në përdorim, prokurori i çështjes hoqi dorë nga akuza për këtë krim, dhe gjykata, për këtë pjesë, detyrimisht duhet të vendosë pushimin e gjykimit. Pretendimi i ngritur nga e pandehura dhe avokati mbrojtës i saj se për trajtimin e familjes “Hoxha” ka pasur një vendim të veçantë, në të cilin, sipas tyre, përcaktohej se “trajtimi bëhej pa kufizime”, është i padrejtë. Ky pretendim bëhet me qëllim për t’i shpëtuar përgjegjësisë penale, por edhe sikur të kishte një vendim të tillë, të marrë në vitet ‘60, sikundër pretendohet, ai do të kishte fuqi derisa qe gjallë E. Hoxha, i cili mbante detyrën e sekretarit të parë të Komitetit

Qendror të Partisë së Punës. Pas vdekjes së tij, edhe në ato kushte të sistemit monopartiak, ky vendim normalisht binte nga fuqia, sepse pas vdekjes së Enverit familja nuk duhet t’i gëzonte ato privilegje, të cilat përfitoheshin për shkak të detyrës. Në rrethanat e përmendura më lart, e pandehura Nexhmije Hoxha do të përgjigjet për krimin e përvetësimit të pasurisë shtetërore në shumën 32,296 lekë, parashikuar nga neni 62 i Kodit Penal. Në cilësimin juridik të veprës penale mbahet parasysh periudha e kryerjes së saj dhe vlera e monedhës shqiptare.

Fajësia e të pandehurës rezulton e provuar me thëniet e dëshmitarëve, provat shkresore të administruara gjatë gjykimit dhe aktin e ekspertimit kontabël. Sipas aktakuzës të paraqitur nga organi i prokurorisë, i pandehuri Kino Buxheli akuzohet për veprat penale të përvetësimit të pasurisë shtetërore, të kryer në interes të të tretëve, në shumën 3,261,888 lekë dhe atë të shpërdorimit të detyrës, sepse, sipas aktakuzës, me veprimet dhe mosveprimet e tij të kundërligjshme, i ka shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 2,135,682 lekë. Prokurori, si përfaqësues i akuzës, në përfundim të hetimit gjyqësor e kufizoi akuzën dhe konkretisht, për përvetësim të pasurisë shtetërore në shumën 62,170 lekë dhe për shpërdorim të detyrës, pranoi se i ka shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 466,036 lekë. Siç doli gjatë gjykimit, në bazë të vendimit nr.39 të vitit 1976 të Byrosë Politike të drejtën për të bërë pritje, dreka, darka, koktej e ka pasur edhe Adil Çarçani, i cili ka qenë i ngarkuar me detyrën e kryetarit të Këshillit të Ministrave. Për realizimin e këtyre pritjeve, pothuajse është vepruar në të njëjtën mënyrë si veprohej te e pandehura Nexhmije Hoxha, me ndryshimin që për çdo person shpenzohej 25 lekë dhe jo 35 lekë. Për përllogaritjen e këtyre shpenzimeve nga ana e kuzhinierit Paskal Kostari, i pyetur në gjyq me cilësinë e dëshmitarit, nuk janë mbajtur evidenca ditore dhe as mujore me qëllim që të përcaktohej saktësisht shuma që do të përballohej nga shteti për pritjet e organizuara.

Numri i personave të pritur për dreka e darka, pritje koktej e të thjeshta, nuk është pasqyruar në evidencat mujore të përpiluara nga kryetarja e degës së financës, dëshmitarja Kaje Tafaj, por për burimin nga janë marrë këto të dhëna, shpjegimet e dëshmitares së mësipërme janë kontradiktore me ato të dëshmitarit Paskal Kostari. Ky i fundit ka qenë i detyruar që të pasqyronte me saktësi pritjet e organizuara dhe numrin e pjesëmarrësve në to, dhe mbi bazë të këtyre dokumenteve, dëshmitarja Kaje Tafaj duhet të bënte përllogaritjet e shpenzimeve që do të përballoheshin nga shteti dhe ato që do të përballoheshin nga Adil Çarçani. Ky veprim siç përmendëm më lart, nuk është kryer nga dëshmitari Paskal Kostari, por gjatë gjykimit deklaroi se për numrin e pritjeve dhe pjesëmarrësve ka mbajtur lidhje me dëshmitaren Kaje Tafaj, ndërsa kjo e fundit pretendon se të dhënat për to i merrte nga i pandehuri Kino Buxheli.

Organi i prokurorisë pranon në aktakuzë se i pandehuri Kino Buxheli krimin e përvetësimit të pasurisë shtetërore e ka kryer në interes të personave të tretë, e konkretisht të Adil Çarçanit, duke pasqyruar fiktivisht të dhëna të rreme në lidhje me numrin e pritjeve dhe të pjesëmarrësve, e në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, shumat që do të shpenzoheshin nga Adil Çarçani janë përballuar nga shteti. Ky është konkluzioni edhe i përfaqësuesit të akuzës në gjyq, ndërsa për episodet e tjera të përvetësimit të pasurisë shtetërore u tërhoq akuza. Gjykata duke i analizuar me objektivitet provat e administruara gjatë gjyqit, nuk sjell bindje se i pandehuri Kino Buxheli ka kryer krimin e përvetësimit të pasurisë shtetërore.

Në rastin konkret, për të vetmin episod që akuzohet tashmë ky i pandehur, gjykata nuk i merr të besueshme thëniet e dëshmitares Kaje Tafaj, e cila në lidhje me këtë akuzë ka përgjegjësinë e saj. Kjo dëshmitare gjatë gjykimit shpjegoi se i pandehuri Kino Buxheli i jepte asaj numrin e pritjeve dhe të personave që merrnin pjesë në familjen Çarçani dhe se mbi bazë të tyre ajo kryente veprimet përkatëse. Ndryshe i shpjegon veprimet dëshmitari Paskal Kostari. Sipas tij, ai mbante lidhje me kryetaren e degës së financës, dëshmitaren Kaje Tafaj dhe jo me të pandehurin Kino Buxheli, siç aludon dëshmitarja e mësipërme. Shpjegimet e këtij dëshmitari qëndrojnë më afër të vërtetës, sepse normalisht ai lidhjet me dëshmitaren Kaje Tafaj, duhet t’i mbante, pra, për analogji, në këtë mënyrë ka vepruar Kaje Tafaj edhe me dëshmitarin Miço Madhi, kuzhinier i familjes “Hoxha”.Pra, dëshmitarja Kaje Tafaj, si gjatë hetimit edhe gjatë gjykimit të çështjes, çmohet se nuk thotë të vërtetën dhe kjo është e kuptueshme sepse për veprimet e kryera ajo është po  aq përgjegjëse sa i pandehuri Kino Buxheli.

Ky i fundit, si drejtor, ka patur të disiplinuara llogaritë e dy familjeve të përmenduramë lart dhe të ish-presidentit Ramiz Alia, sepse vetëm këto tre familje kanë patur të drejtën  për të bërë pritje në ambientet që kishin në dispozicion. Pra, i pandehuri Kino Buxheli ka nënshkruar dokumentet vetëm pas përpilimit të tyre nga dëshmitarja Kaje Tafaj. Prandaj, parregullsitë e lejuara nga i pandehuri Kino, siç është nënshkrimi i tij në pasqyrën e shpenzimeve pa kërkuar dhe pa parë dokumentat e kuzhinierit, në rastin konkret duhen trajtuar si elementë të shpërdorimit të detyrës dhe jo si elementë të krimit të përvetësimit të pasurisë shtetërore. Ky ndryshim bëhet nga vetë gjykata, sepse nuk keqësohet pozita e të pandehurit dhe ky episod u shtohet episodeve të tjera të shpërdorimit të detyrës, për të cilat u shpreh dhe prokurori si mbrojtës i akuzës. Gjithashtu gjatë gjykimit rezultoi e provuar se, i pandehuri Kino Buxheli, duke qenë ngarkuar me detyrën e drejtorit, ka kryer veprime e mosveprime në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës.

Në këtë veprimtari të kundërligjshme i pandehuri Kino është nisur nga motive të ndryshme, siç janë dëshirat për të realizuar kërkesat e ish-personaliteteve të larta të partisë e të shtetit për një jetë sa më luksoze dhe, nëpërmjet plotësimit të tyre, të krijonte garanci dhe privilegje edhe për vete. Konkretisht veprimet dhe mosveprimet e tij, që bien ndesh me përmbushjen e rregullt të detyrës konsistojnë në këto drejtime: I pandehuri Kino Buxheli në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr.6942, datë 25.12.1984 dhe vendimin e Këshillit të Ministrave nr.70, dt.11.3.1985 “Për administrimin, dokumentimin, qarkullimin dhe ruajtjen e vlerave materiale e monetare” nuk ka kërkuar të bëhen rregullisht inventarët fizik për pajisjet që ish-personaliteteve të larta, u ishin dhënë në përdorim, por janë bërë vetëm inventarë kontabël. Janë lejuar shkelje edhe në qarkullimin dhe lëvizjen e mallrave e veçanërisht me mallrat e blera me valutë në dorë. Në shumë raste, këto mallra nuk janë bërë hyrje në magazinën e Drejtorisë së Pritjes, sikundër ka qenë rregulli, por janë marrë në vilat e banimit, nga personat, pjesëtarët e familjes që i kishin blerë jashtë shtetit dhe veprimet, si për vendosjen e çmimeve dhe për hyrjet dhe daljet, në shumicën e rasteve janë bërë fiktive. Veçanërisht shkelje janë lejuar në vlerësimin e mallrave, që, siç doli gjatë gjykimit, anëtarët e komisionit të vendosjes së çmimeve shpeshherë nuk i kanë parë, por kanë vepruar mbi bazë të dokumenteve që u janë paraqitur nga të interesuarit.

Shkelje dhe parregullsi janë lejuar edhe në lidhje me shpenzimet që përballoheshin nga shteti, siç janë rastet e pritjeve në familjen Çarçani dhe me shpenzimet e 3 lekshit në ditë. Nga dokumentet e ndodhura në dosje rezulton se për shumën 512,111 lekë, të cilat janë përballuar nga shteti dhe që përfaqësojnë shpenzimet e 3 lekshit, nuk është evidentuar se për llogari të kujt është bërë ky shpenzim. Në bazë të vendimit të Byrosë Politike të vitit 1976, akteve të tjera partiake dhe letrat e lëshuara nga drejtuesit e K.M., të cilat kanë qenë detyruese për të pandehurin, sepse veprimtaria e Drejtorisë së Pritjes rreguilohej kryesisht me akte partiake, kjo e fundit ishte e detyruar të mobilonte disa ambiente të vilave ku banonin ish-udhëheqësit e lartë të Partisë e të shtetit, duke u pranuar si kufi maksimal 25,000 lekë. Ky kriter është shkelur nga i pandehuri dhe vartësit etij, se gjatë periudhës që ai ka qenë në drejtim, duke plotësuar kërkesat për një jetë luksoze të ish-personaliteteve të larta të Partisë e të shtetit, ka lejuar shpenzime të mëdha për mobilimin e ambienteve të banimit. Kështu inventari i këtyre pajisjeve në vitin 1986 ka qenë 4,183,000 lekë, ndërsa në fund të vitit 1990 është bërë 6,643,000 lekë. Në drejtim të blerjes së mallrave me valutë në dorë janë lejuar shkelje jo vetëm në drejtim të administrimit të kësaj pasurie, por se me këtë valutë shpeshherë janë blerë mallra që lehtësisht mund të gjendeshin në vend, dhe për më tepër, disa prej tyre si çifte, etj., u kanë kaluar në inventar personave që i kanë blerë, në vend që të arkëtonin kundërvleftën e tyre. Nga i pandehuri Kino nuk është kërkuar që të zbatohen me rigorozitet kërkesat e ligjit, lidhur me mallrat dhe artikujt që merreshin nga ish-personalitetet e larta të partisë e shtetit, për t’ua dhuruar mjekëve kur ata shkonin për mjekim jashtë shtetit. Siç doli gjatë gjykimit, disa nga këto mallra nuk u janë dhuruar mjekëve, por janë lënë në ambasadë dhe ambiente të tjera, pa përpiluar asnjë dokument, siç ishte rasti me dëshmitarin Enver Miloti.

Në këto raste është detyrë e punonjësve të Drejtorisë së Pritjes që për këto mallra, të prisnin dokument për t’i bërë hyrje në ambasadat tona dhe këto të fundit të shlyenin kundërvleftën ndaj D.Pritjes. Këto veprime kanë lënë shteg për abuzime e shpërdorime të ndryshme. Në lidhje për detyrimet për qiranë e banesës, për drita dhe ujë janë lejuar shkelje, sepse nga ana e punonjësve të D.Pritjes me faturë, nuk është pasqyruar detyrimi faktik, por vetëm ai prej 250 lekë, kur një gjë e tillë parashikohej nga Vendimi i B.Politike të vitit 1976. Ky vendim duhej të bëhej me qëllim që shpenzimet që përballoheshin nga shteti të ishin sa më të vogla. Për rastet e fatkeqësive (të vdekjeve) nga ana e të pandehurit Kino janë lejuar të përballoheshin nga shteti shpenzime të ndryshme, siç janë: për F. Çanin 3,558 lekë, për Ll. Gegpriftin 4,247 lekë dhe për L. Çukon 644 lekë, në një kohë që Vendimi i B.Politike bën fjalë vetëm për shërbime nga personeli dhe jo për të përballuar sikundër është vepruar. Gjithashtu, nga i pandehuri Kino Buxheli i është lejuar që për periudhën e plazhit, për ish-anëtarët dhe Kandidatët e K.Q. të P.Punës të mos vilet detyrimi prej 3,2 lekë në ditë, që ka qenë në fakt shtesë në kuotën e ushqimit ditor. Këto veprime e mosveprime të të pandehurit përbëjnë në vetvete elementët e krimit të shpërdorimit të detyrës, pasi është cënuar rëndë veprimtaria normale e institucionit ku ai drejtonte dhe njëkohësisht shtetit i është shkaktuar një dëm ekonomik, që sipas ekspertëve të pyetur gjatë gjykimit kap shumën 488,206 lekë.

Fajësia për veprën penale që akuzohet i pandehuri provohet me thëniet e dëshmitarëve, provat shkresore të administruara gjatë gjykimit dhe aktin e ekspertimit kontabël të paraqitur nga ekspertët. Për sa u theksua më lart, të pandehurit duhet të deklarohen fajtorë për veprat penale: e pandehura Nexhmije Hoxha për atë të përvetësimit të pasurisë shtetërore dhe i pandehuri Kino Buxheli për atë të shpërdorimit të detyrës.

Në caktimin e masave të dënimit, gjykata mban parasysh shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të veprave penale të kryera dhe atë të vetë të pandehurve. Për të pandehurën Nexhmije Hoxha gjykata mban parasysh se në veprimtarinë e saj kriminale kanë ndikuar në njëfarë mase edhe parregullsitë e lejuara nga personeli i shërbimit dhe i drejtuesit e Drejtorisë së Pritjes. Ka parasysh moshën e saj të thyer dhe gjendjen shëndetësore. Gjithashtu, pozicionin e saj në detyra të rëndësishme shtetërore e shoqërore në periudhën e kryerjes së veprës penale, në vështrim të shkronjës “d” të nenit 31 të K.P., e merr si një rrethanë rënduese. Për të pandehurin Kino Buxheli gjykata mban parasysh se në krahasim me paraardhësit e tij, ai, në disa sektore të Drejtorisë së Pritjes, ka vendosur rregull dhe disiplinë dhe është munduar të normojë veprimtarinë e tij. Gjithashtu, mbahet parasysh se ka qenë nën influencën e ish-personaliteteve të larta partiake e shtetërore, të cilët herë pas here i kanë bërë ankesa për të realizuar një jetë luksoze. Pra, kryerja e veprës penale nën ndikimin e tyre, në vështrim të shkronjës “d” të nenit 30 të K.Penal duhet marrë si rrethanë lehtësuese.

Në rrezikshmërinë shoqërore që ai paraqet mbahet parasysh fakti se shkelje e parregullsi janë kryer edhe nga vartësit e tij dhe se mundësitë e tij për të kontrolluar, der diku kanë qenë të kufizuara, ndonëse nuk përjashtohet nga përgjegjësia penale. Së fundi, gjykata ka parasysh edhe gjendjen e tij familjare me dy fëmijë të mitur. Në lidhje me detyrimin civil, gjykata ka parasysh për të pandehurin Kino Buxheli se problemi i fajësisë së tij në fushën civile është i lidhur me atë të personave të tjerë, prandaj ajo nuk mund të zgjidhet në këtë proces penal. Pala e dëmtuar ka të drejtë ta kërkojë në gjykatën civile.

Për të pandehurën Nexhmije Hoxha, padia civile për shumën e përvetësuar duhet të zgjidhet, duke zbritur nga shuma e përgjithshme e përvetësuar vlerën e mallrave provë materiale të dërguara nga dëshmitari Enver Miloti që është 2,806 lekë. Për detyrimet e tjera të zgjidhen sipas rastit nga gjykata civile. PËR KËTO ARSYE:

Gjykata në bazë të nenit 150 të K. Pr. Penale,

VENDOSI

Të deklarojë fajtore të pandehurën Nexhmije Hoxha për veprën penale të përvetësimit të pasurisë shtetërore dhe në bazë të nenit 62, 31/d të Kodi Penal, e dënon me 9 (nëntë) vjet heqje lirie. Pushimin e gjykimit të çështjes për të pandehurën Nexhmije Hoxha për krimin e shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 106 të Kodit Penal, sepse prokurori i çështjes hoqi dorë nga kjo akuzë. Vuajtja e dënimit për të pandehurën Nexhmije Hoxha fillon nga data e arrestimit 4.12.1991. Të deklarojë fajtor të pandehurin Kino Buxheli për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe në bazë të nenit 106, 30/d të Kodit Penal e dënon me 4 (katër) vjet heqje lirie. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Kino Buxheli fillon nga data e arrestimit 31.8.1991. Detyrimin e të pandehurës Nexhmije Hoxha t’i kthejë Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare shumën 29.490 lekë.

Sendet prova materiale: tre copë shalle zadrimor, 4 copë rrugica leshi, dy copë çanta leshi, një tabaka bakri artistike, një komplet bucele prej druri, tre copë llulla druri, një çantë plasmasi dhe një tablo (pikturë) t’i kthehen Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare. Veçimin e padisë civile në procesin penal, për detyrimin që mund të ekzistojë për të dy të pandehurit dhe zgjidhjen e saj nga gjykata mbi kërkesën e palës së dëmtuar. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim dhe protestë brenda 5 ditëve, nga dita e tretë e shpalljes së këtij vendimi, në Gjykatën e Apelit Tiranë. U shpall sot më 27.1.1993. GJYQTARI Muharrem Kushi

Top Channel

Share: