Ndërsa pozicionohemi më së shumti në fund të renditjeve botërore në shumë tregues, duket se shqiptarët i kanë siguruar tashmë vetes një vend të parë ku lë pas ccdo vend, si të zhvilluara, ashtu edhe të pazhvilluarat. Bëhet fjalë për numrin e kartave për frymë.
Nga pikëpamja e përdorimit të rrjeteve celulare, të dhënat e evidentuara nga AKEP-i tregojnë se numri total i kartave SIM ishte rreth 3,936,490 në fund të T3 2023: rreth 1.43 karta SIM për banor, shifër mё e lartё se mesatarja e rajonit tё Europës dhe ajo globale, përkatësisht 1.21 dhe 1.08 karta SIM pёr banorë.
Ndërkohë numri i pajtimtarëve aktivë (që përkufizohet si pajtimtari i cili ka pёrdorur shёrbimet celulare të paktën njё herё brenda tre muajve të fundit) të shërbimeve mobile gjatë T3 2023, arriti rreth 3 milionë, duke konfirmuar një prirje rritëse gjatë katër viteve të fundit si dhe gjatë dy tremujorëve të fundit T1 2023 dhe T2 2023.
Duket se shkak i një numri kaq të lartë konsumatorësh të shërbimeve celulare është rritja eksponenciale e përdorimit të tyre në komponentin “data”. E thënë më thjeshtë, përdorimi masiv dhe në rritje i aplikacioneve Over-the-top (OTT) si, për shembull, Ëhatsapp, Viber, Messenger, Skype etj., nëpërmjet të cilëve dërgohen mesazhe tekst dhe kryhen thirrje zanore dhe video-thirrje, gjë që nga ana tjetër ka sjellë si rezultat një ulje të ndjeshme të sms-ve dhe thirrjeve tradicionale.
Paralelisht, komunikimi nëpërmjet këtyre aplikacioneve ka ardhur gjithnjë e në rritje edhe si rezultat i përmirësimit të shërbimeve të ofruara nga operatorët e rrjeteve 4G dhe 4G+, të cilët mundësojnë transmetim me cilësi më të mirë si të mesazheve, ashtu edhe të thirrjeve (video dhe audio) nëpërmjet këtyre aplikacioneve. Ky fenomen dallohet qartësisht mbi një bazë përherë e më të gjerë pajtimtarësh të cilët konsumojnë një volum gjithnjë e më madh data-sh.
Numri i pajtimtarëve aktivë që kanë përdorur shërbimin internet celular në në tremujorin e tretë T3 2023 kapi shifrën prej rreth 2.5 milionë pajtimtarë, çka përbën një rritje me rreth 17% krahasuar me tremujorin paraardhës T2 2023. Pra, rreth 91% e pajtimtarëve aktivë të shërbimeve celulare përdorin internetin nëpërmjet telefonave smart
Vëllimi i të dhënave të transmetuara nëpërmjet internetit në rrjetet mobile gjatë tremujorit të tretë T3 2023 ishte rreth 61 Milion GByte, ose 7,94 GByte në muaj për përdorues, që përbën një rritje me 8.6% në krahasim me T2 2023 dhe një rritje me 7.5% krahasuar me T3 2022.
360grade.al