Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj do të jenë dy nënkryetarët e rinj të Partisë Demokratike të Rithemelimit të drejtuar nga Sali Berisha.
Bashkimi institucional i grupimit të Bardhit u shtrua për diskutim në panelin e “3D” nga Alban Dudushi në RTSH, ku analisti Neritan Alibali ndau mendimin se Bardhi përbën një vlerë të shtuar për Rithemelimin vetëm në aspektin parlamentar të numrave, dhe jo në atë elektoral.
“Unë nuk besoj në këtë bashkim politik, sepse nuk është shumë i sinqertë. E mendoj si një zgjidhje pragmatiste me përfitime nga të dyja palët, por grupimi i Gazment Bardhit nuk është një grup që përfaqëson një lëvizje të caktuar politike, por të gjithë veprimtarinë e vet e ka zhvilluar në parlament. Në këtë aspekt, duke marrë parasysh faktin që kjo ‘dashuria e madhe’ filloi mbas zgjedhjeve lokale, kur Berisha u konfirmua që është lideri i një force që grumbullon më shumë vota nga të gjithë konkurrentët brenda opozitës. E shoh si një aleancë pragmatiste deri në zgjedhjet e 2025-ës, pra grupi i Bardhit kërkon pozicionet e veta në listën e deputetëve. Edhe vetë Rithemelimi, po ta shohësh, është treguar e kujdesshme që mos t’i çojë në votim në Këshill Kombëtar, por të ndryshojë statutin që ata të bëhen anëtarë kryesie ex officio për shkak të pozicioneve që kanë pasur që në kohën e Lulzim Bashës në parlament.
Edhe z. Berisha i intereson që ta bashkojë, ta homogjenizojë grupin parlamentar, sepse beteja kryesore politike është ajo në parlament. Mendoj se në aspektin e strukturës dhe votave grupi i Bardhit nuk i sjell asgjë Berishës në 2025-ën, por në aspektin parlamentar i sjell. Duke marrë parasysh ato që ndodhën nga 2021, në qoftë se do të konkurrojnë për zgjedhje ashtu si z. Berisha, unë jam i bindur se baza që i ka parë këta ta sulmojnë idhullin e tyre, Berishën, asnjë nga ata nuk mund të kalojë. Faza e dytë është pozicioni i tyre në listë. Nga ana tjetër, z. Berisha nuk mund të lejojë atë çka ndodhi në 2021 në atë që do të ndodhë mbas 2025-ës, që grupi plëngprishës të bëhet përsëri plëngprishës,” tha z. Alibali.
360grade.al