Home Gjeo-Ekonomia Beleri dhe Goro në burg, Këshilli Bashkiak i Himarës komandon sot kryebashkiakun...

Beleri dhe Goro në burg, Këshilli Bashkiak i Himarës komandon sot kryebashkiakun e ri

Këshilli Bashkiak i Himarës do të mblidhet ditën e sotme, kjo pasi si kryetari i zgjedhur, Fredi Beleri, ashtu edhe kryetari në detyrë Jorgo Goro ndodhen në qeli.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës pritet që të merret vendimi që një nga nënkryetarët e bashkisë, midis Blerina Bala ose Pervin Gjikurian, të marrë drejtimin e bashkisë së Himarës. Duhet se favorite është Bala, teksa shumica e Këshillit përbëhet nga PS. Socialistët kanë shumicën në këshillin bashkiak të Himarës, 13 vota kundrejt 8 të opozitës.

Kujtojmë që kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, ndodhet në qeli pasi GJKKO e dënoi me 2 vite burg pasi akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhjet lokale të 2023-it. Ndërsa, Goro ndodhet në qeli pasi akuzohet për “shpërdorim detyre”.

SPAK ka njoftuar më herët se Goro akuzohet se në dy episode të ndryshme ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mos përmbushje të rregullt të detyrës, duke sjellë dhe pasojën kriminale në kuptim të dispozitës për të cilën hetohet.

Në njoftim bëhet me dije se Goro në cilësinë e kryetarit të Bashkisë, në bashkëpunim me Drejtorin e Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, pa bërë asnjë verifikim konkret sipas detyrimeve ligjore, kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumente tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat.

Kjo sipërfaqe toke e ndodhur në Dhërmi pas regjistrimit në regjistrat publikë falë edhe veprimeve të kundërligjshme të personave përgjegjës (shtetasve të tjerë nën hetim Bilbil Aliaj dhe Vezir Gjiloka ) është tjetërsuar në favor të një subjekti privat, duke zhveshur shtetin nga pronësia mbi të. Ky tjetërsim është shoqëruar me përftim material të padrejtë për shtetasin tjetër nën hetim Stavri Mëhilli.

Gjithashtu, SPAK njofton se Goro po hetohet edhe për një rast tjetër, ku në bashkëpunim me shtetasin tjetër në hetim, Jerasimo Bashi, ka realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.

Përveç, Jorgo Goros, i cili akuzohet për veprën penale “shpërdorim detyre”, SPAK ka lëshuar masën “arest me burg” edhe për shtetasin Stavri Mëhilli pasi akuzohet si për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”. Ai është shpallur në kërkim.

360grade.al

Share: