Dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, ka projekt multimiliona dollarësh në ishullin e Sazanit.
Kompania “Affinity Partners” e Jared Kushner është në diskutime të përparuara për tre investime në zhvillimin e pronave në Ballkan që mund të kalojnë 1 miliard dollarë.
Firma e kapitalit privat me bazë në Miami, SHBA, planifikon të shndërrojë ishullin e Sazanit në Shqipëri, që më parë ka qenë territori i një baze ushtarake, në një komunitet luksoz eko-resort të markës “Aman”, tha Kushner në një intervistë me Bloomberg News.
“Affinity Partners” po kërkon gjithashtu të zhvillojë Gadishullin e Zvërnecit, në Shqipëri, një rajon bregdetar me më shumë se 5 kilometra plazhe me rërë të bardhë. Firma planifikon të shtojë disa resorte kryesore në zonë, me afro 10,000 njësi vilash dhe dhoma hoteli.
“Ishulli i Sazanit është një nga vijat bregdetare më të paprekura dhe unike që kam parë, kudo në botë,” tha Kushner.
Duke hulumtuar me miqtë e tij Richard Grenell, i cili shërbeu si ambasador i SHBA-së në Gjermani gjatë administratës Trump dhe Asher Abehsera, ai u tërhoq nga një prej zonave turistike me rritjen më të shpejtë në botë. Qyteti turistik në Shqipëri, Ksamili, renditet ndër destinacionet kryesore globale të Airbnb.
Një projekt i tretë do transformonte tre blloqe të braktisura në zemër të kryeqytetit serb Beograd në një hotel luksoz me hapësirë komerciale dhe më shumë se 1,500 rezidenca. Zona historike ka qenë e zbrazët që nga bombardimi i NATO-s në prill 1999 ndaj ndërtesës së Ministrisë së Mbrojtjes të ish- Jugosllavisë.
Kushner është dhëndri i ish-presidentit Donald Trump, njëherazi kandidat republikan për zgjedhjet e nëntorit 2024 dhe ka shërbyer si këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë. Pasi la punën e tij në qeveri, ai themeloi “Affinity Partners”, që tani ka asete prej 3.1 miliardë dollarësh.
Firma u mbështet nga investitorë të përkrahur nga shteti i Lindjes së Mesme, duke përfshirë rreth 2 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite.
Ai po shikon gjithashtu mundësi për të investuar në energjinë e rinovueshme, qendrat e të dhënave dhe inteligjencën artificiale.
Kushner luajti një rol kryesor në “Marrëveshjet e Abrahamit” që normalizuan marrëdhëniet midis Izraelit dhe disa kombeve arabe në vitin 2020.
Kushner ka treguar se nuk do t’i bashkohet administratës së Trump nëse kandidati republikan fiton zgjedhjet presidenciale në nëntor.
BLUMBERG*/marrë nga faqja në Facebook e Kreshnik Spahiut