Home Gjeo-Ekonomia “Dy Sesionet” e pranverës dhe rritja bindëse e ekonomisë kineze

“Dy Sesionet” e pranverës dhe rritja bindëse e ekonomisë kineze

Foto cover Punimet e 2 Sesioneve në Kinë (Foto China Daily)

“Dy Sesionet” që përbëjnë veprimtaritë më të rëndësishme vjetore politike në Kinë, përkatësisht sesioni i Komitetit të 14-të Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez, që  u hap dje dhe Sesioni i legjislaturës së 14-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës, që mbahet  më 5 mars.

Në to, qeveria kineze jep llogari për punën e saj gjatë një viti në mënyrë të hapur dhe të plotë, përpara afro tre mijë ligjvënësve të Asamblesë Kombëtare Popullore te Kinës dhe mbi dy mijë e dyqind këshilltarëve politikë të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez.

Asambleja Kombëtare Popullore e Kinës është organi më i lartë shtetëror i pushtetit, me deputetët që zgjidhen demokratikisht. Ata janë fermerë, punëtorë fabrikash, zyrtarë, avokatë, profesorë universiteti, etj.

Pavarësisht gjinisë, moshës e profesionit, secili prej tyre ka votë të barabartë, duke ushtruar demokracinë popullore përgjatë tërë procesit, në aspektet e legjislacionit, vendimmarrjes, administrimit, mbikëqyrjes, etj..

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Deputetet e Asamblesë e zhvillojnë aktivitetin e tyre, të orientuar nga qytetarët, duke i trajtuar ata si qëllimi përfundimtar i zhvillimit. Ata e realizojne misionin e tyre, sipas parimit se, në një botë të larmishme, demokracia merr forma nga më të ndryshmet.

Demokracia kineze rreshtohet krahas atyre të vendeve të tjera në komunitetin e qytetërimeve, me parimin që shprehet në të drejtën që ka populli i Kinës për të votuar, për të ushtruar të drejtën për t’u informuar, marrë pjesë, shprehur mendimet dhe mbikëqyrur qeverisjen dhe ecurinë e çështjeve sociale.

E njëjta gjë mund të thuhet për aktivitetin e këshilltarëve politikë të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez.

Dy Sesionet vijnë menjëherë pas Festës  së Pranverës, që  simbolizon fillimin e Vitit të Ri, sipas kalendarit hënor kinez.  Kjo festë përfaqëson njëkohësisht një mundësi të rrallë për bashkimin familjar të qytetarëve kinezë, që rezulton me migrim të madh dhe lëvizje të mëdha qytetarësh brenda vendit.

Sipas të dhënave paraprake nga operatorët turistikë në vend, lëvizjet në shkurt 2024 ka mundësi t’i kenë kaluar mbi tre miliardë udhëtime të planifikuara, të organizuara dhe individuale brenda vendit.

Kjo shifër paraqitet më e lartë se shifra rekord e rregjistruar në vitin 2019, vitin e fundit përpara Pandemisë nga Covid-19.

Dy Sesionet trajtojnë gjerësisht edhe zhvillimet ekonomike të Kinës gjatë vitit të kaluar dhe dy muajve të parë të këtij viti.

Ekonomia kineze, ekonomia e dytë më e madhe e botës, u rrit në mënyrë të dukshme dhe të vrullshme gjatë vitit 2023. Në nëntë muajt e parë janar-shtator 2023, ajo u shtua me 5.2 përqind më shumë nga e njëjta periudhë një vit më parë.

Në tërësi, zhvillimi ekonomik i Kinës jo vetëm ishte në një linjë me parashikimin e qeverisë kineze, për një rritje ekonomike me 5 përqind për vitin 2023, por edhe e tejkaloi këtë parashikim.

Prodhimi industrial, i cili ka fuqizuar rritjen kineze gjatë viteve të fundit, ishte 4.5 përqind më i lartë në shtator 2023, në krahasim me shtatorin 2022.

Më 15 nëntor 2023, Fondi Monetar Ndërkombëtar e përmirësoi prognozën e tij të rritjes së PBB-së për Kinën për atë vit, duke i shtuar 0.4 përqind parashikimit të tij të mëparshëm. FMN parashikoi që ekonomia e Kinës do të rritej me mbi 5 përqind për vitin 2023.

Në vitin 2023, Kina ruajti për të trembëdhjetin vit rradhazi pozicionin e saj si fuqia më e madhe industriale në botë, ndërsa për të gjashtin vit rradhazi, ekonomia kineze zë vendin e parë në botë, në nivel të tregtisë së mallrave.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Investimi total i aseteve fikse në ekonominë e Kinës, një masë e rëndësishme e shpenzimeve kapitale, arriti në 24.3 trilionë juanë në fund të shtatorit 2023, ose me një rritje prej 3.1 përqind, në krahasim me nëntëmujorin e vitit 2022.

Të gjithë analistët, si ata vendas dhe të huaj, bashkohen në konstatimin e tyre, se në ekonominë e dytë më të madhe të botës, për vitin 2023 u shtua ndjeshëm konsumi. Shitjet me pakicë ishin 5.5 përqind më të larta në shtator 2023, krahasuar me shtatorin e vitit 2022.

Edhe gjatë dy muajve të parë të këtij viti, konsumi u rrit, sidomos gjatë festimeve të Pranveres(Viti i Ri kinez) më datat 10-17 shkurt, ku afro 74 milionë kinezë zgjodhën të vizitonin muzetë e shumtë të vendit të tyre.

Shumë më tepër prej tyre kanë udhëtuar nëpër Kinë për vizita të tjera turistike, ndërkohë që qindra milionë qytetarë kinezë lëvizën për t’iu bashkuar familjes dhe të afërmve, të cilët i kanë larg nga vendet e tyre të punës. 

Gjatë vitit 2023 dhe në dy muajt e parë të këtij viti, Kina nxiti krijimin e një tregu kombëtar të unifikuar dhe optimizoi mjedisin për zhvillimin e ekonomisë private.

Në vitin 2023, ekonomia kineze pati 32.7 milionë subjekte të reja biznesi, me një mesatare prej 27 mijë ndërmarrjesh të reja në ditë, çka gjallëroi sipërmarrjen private dhe nxiti zhvillimin ekonomik. 

Ndërkohë, tregu i punësimit në Kinë ka mbetur përgjithësisht i qëndrueshëm. Në vitin 2023, norma mesatare e papunësisë urbane ishte 5.2 përqind, me një rënie 0.4 përqind nga viti i mëparshëm dhe më e ulët se objektivi i parashikuar prej 5.5 përqind.

Qeveria kineze ka kërkuar të nxisë prodhimin, përmes implementimit të teknologjisë së lartë në të gjithë sektorët prodhues dhe po synon vetë-mjaftueshmërinë teknologjike. Ajo ka në objektiv një rritje më të qendrueshme të ekonomisë së vendit, të mbështetur nga shërbimet ndaj konsumatorit dhe produktet e teknologjisë së lartë dhe të inteligjencës artificiale./Artikulli dhe fotot janë ofruar nga CRI.CN

Share: