Kryebashkiaku i zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri u shpall fajtor për blerje votash dhe u dënua me dy vite heqje lirie nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Ndërsa për bashkëpunëtorin e Belerit, Pandeli Kokaveshi, u vendos tri vite shërbim prove. Kjo masë lehtësuese për Kokaveshin u dha pasi ai ka probleme shëndetësore, si dhe fëmija i tij i mitur ka probleme shëndetësore.
Sipas GJKKO, Beleri do të kryejë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme.
Vendimi i plotë
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 31.07.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin për gjykim të ҫështjes penale në ngarkim të të pandehurve Dhionisios Alfred Beleri dhe Pandeli Kokaveshi akuzuar për figurën e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim e parashikuar nga nenet 328 – 25 të Kodit Penal.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Irena Gjoka dhe Flora Hajredinaj, me vendimin Nr. 14, datë 05.03.2024 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Pandeli Kokaveshi, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 328 – 25 të Kodit Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave, dënimin e tij me 1 (një) vit dhe 6 (gjashtë) muaj burgim.
2. Në aplikim të nenit 59 të K.Penal urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim, për pjesën e mbetur pa vuajtur të tij, duke e vënë të pandehurin Pandeli Kokaveshi ne provë për një periudhë kohe prej 3 (tre) vjetësh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte të rregullta me Zyrën e Shërbimit të Provës ku ka vendbanimin e tij.
3. Në zbatim të nenit 261/1 shkronja “b” të K.Pr.Penale, shuarjen e masës së sigurimit personal “Detyrimi për t u paraqitur në Policinë Gjyqësore” e caktuar ndaj të pandehurit Pandeli Kokaveshi me vendimin Nr. 19, dt. 01.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
4. Deklarimin fajtor të të pandehurit Dhionisios Alfred Beleri, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 328 – 25 të Kodit Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave, dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.
5. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Dhionisios Alfred Beleri, fillon nga dita e arrestimit të tij dt. 12.05.2023 dhe të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme.
6. Në zbatim të nenit 190/1 gërmat “a” dhe “ç” të K.Pr.Penale, në lidhje me provat materiale të sekuestruara për llogari të këtij procedimit penal, Gjykata disponon si më poshtë :
– Një CD-R Maxell mbi të cilën është shënuar me shkrim dore “Komisariati Himarë Dt. 10.05.2023”, një DVD-R mbi të cilën është shënuar shkrim dore “Komisariati Himarë Dt.11.05.2023”, DVD+RË” EMTEC, mbi të cilën është shënuar me shkrim dore “Proc. Nr. 489 dt 08.09.10.11 i 5 – 2023 Himarë. Vlore, të qëndrojnë në dosje.
– 8 (tetë) kartëmonedha të prerjes 5.000 lekë, të konfiskohen dhe kalojnë në favor të shtetit.
– Aparat celular i llojit “RedMi”, ngjyrë e zezë, i përdorur nga i pandehuri Pandeli Kokaveshi, të konfiskohet dhe kalojë në favor të shtetit.
– Aparat celular i llojit “Iphone” me ngjyrë të zezë, me mbrojtëse plastike me ngjyrë të zezë, i përdorur nga i pandehuri Dhionisios Alfred Beleri, të konfiskohet dhe kalojë në favor të shtetit.
– Pajisje DVR e markës “Dahua”, numër serie SN 6J001308PA213DF64, sekuestruar shtetases Ermira Stoli, ti kthehet kësaj shtetaseje.
– Aparat celular i llojit “Iphone 11 Pro Max”, ngjyrë e zezë, me veshje të jashtme plastike të kuqe, në gjendje të fikur, me IMEI: 352843111503600, i përdorur nga dëshmitari Arsen Rama, ti kthehet ketij shtetasi.
– Një qese plastike, ngjyra e bardhë, me mbishkrime me ngjyrë të gjelbër, brenda së cilës gjenden: – një faturë tatimore e subjektit me NIPT L06718204R, e datës 11.05.2023, një faturë tatimore me shkrim në gjuhën Greke, me vlerë 27,00 EUR, dy tollona nafte 10 litra dhe dy tollona nafte 5 litra të karburant “Kastrati”, dy blloqe të vegjël shënimesh me fletë me ngjitëse me ngjyrë përkatësisht rozë dhe jeshile. Një kartë e re celulari sim Vodafone, në paketim letre, me numër 0695378872, katër fletë letre me mbishkrime në gjuhën greke, të kapura së bashku, një kartë vizitë me shkrimin Laptop service, një portofol material lëkure brenda së cilit gjendet : një dokument me fotografi i plastifikuar, me shkrim në gjuhën Greke; një kartë debiti e bankës “Alpha Bank” me numër 5357 2900 0174 0104; një kartë debiti e bankës “NBG” me numër 5351 4200 2462 0605; një dokument me fotografi material plastik me mbishkrimin “Omonia” dhe me numër 14090090; dy karta plastike me mbishkrimin përkatësisht “Grand Casino” dhe “Regency Casino” si dhe tetë kartëvizita të tjera, sende këto të sekuestruara gjatë kontrollit të të pandehurit Pandeli Kokaveshi, t’i kthehen këtij të fundit.
7. Shpenzimet procedurale gjatë fazës së hetimit në shumen totale 166.920 (njëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëqind e njëzet) lekë si dhe shpenzimet gjyqësore, sipas formularit përkatës, u ngarkohen të pandehurve, në mënyrë solidare.
8. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brenda 15 (pesëmbedhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.
Tiranë, më datë 05.03.2024
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
Top Channel