Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe Federata e Dhomave të Tregtisë së Arabisë Saudite firmosën një Marrëveshje Bashkëpunimi për krijimin e Këshillit të Përbashkët të Biznesit Shqipëri – Arabi Saudite, për të lehtësuar ndërveprimin e vazhdueshëm midis tyre dhe për të rritur shkëmbimet tregtare dhe bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve.
Kjo marrëveshje u firmos nga Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, znj. Ines Muçostepa dhe Kryetari i Federatës të Dhomave Saudite, Z. Hassan Al – Huwaizi, gjatë Forumit të Biznesit Shqipëri – Arabia Saudite me pjesmarrjen e një delegacioni prej 60 kompanish të mëdha saudite dhe një numri shumë të lartë të kompanive shqiptare.
Ngritja e këtij Këshilli do të ketë si qëllim kryerjen sistematike të aktiviteteve promovuese në fushën e tregtisë, investimeve, trajnimeve, shërbimeve dhe zhvillimit të burimeve njerëzore, kujdesit shëndetësor, teknologjisë së Informacionit, dijes dhe sektorëve të tjerë të tregtisë dhe industrisë.
Në vijim, kompanitë e të dyja vendeve zhvilluan takime b2b.
Ky aktivitet u përshëndet nga kryetarët e dy dhomave të tregtisë, Z. Blendi Gonxhja, Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Znj. Anila Denaj, Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Prezantimi i potencialeve për të investuar në Shqipëri u bë nga Drejtori Ekzekutiv i AIDA, znj. Laura Plaku.