Home Gjeo-Ekonomia Shkarkohet pas 20 vjetësh nga agjencia shtetërore greke e lajmeve, gazetari minoritar...

Shkarkohet pas 20 vjetësh nga agjencia shtetërore greke e lajmeve, gazetari minoritar Panajot Barka letër Mitsotakis: Më hoqën se nuk përkraha Belerin dhe Vorioepirin

Agjencia Shtetërore e Lajmeve (AMNA) ka vendosur të mos e rinovojë kontratën e gazetarit Panajot Barka.

Me një deklaratë për shtyp publikuar në faqen e tij zyrtare Unioni i Gazetarëve të Athinës proteston për mosrinovimin e kontratës së punës të gazetarit minoritar Barka me Agjencinë Shtetërore të Lajmeve të Greqisë AMNA.

Siç bëhet me dije, gazetarit në fjalë nuk i është rinovuar kontrata pas me shumë se 20 vitesh bashkëpunimi të vazhdueshëm me këtë agjenci.

Konkretisht në deklaratën në fjalë shkruhet: “Bordi Drejtues i Unionit të Gazetarëve të Athinës (ESIEA) dënon vendimin e drejtuesve të AGJENCISË SË LAJMEVE për të mos rinovuar kontratën e korrespondentit të AMNA-s  në Gjirokastër Panagiotis Barkas, në mënyrë të padrejtë dhe abuzive, pas më shumë se 20 vitesh bashkëpunim.

Bordi Drejtues i ESIEA-s proteston fuqishëm dhe deklaron se do të qëndrojë në krah të kolegut në çdo veprim ligjor për të mbrojtur të drejtat e tij të punës”.

Mësohet se sot, gazetari Barkas, ka dërguar drejt shumë institucioneve mediatike, qeveritare dhe mediave e gazetarëve një letër ku përshkruan shkaqet e mosrinovimit të kontratës së tij me Agjencinë Shtetërore greke dhe kërkon solidaritet dhe reagim ndaj këtij veprimi që e quan të paligjshëm dhe të pajustifikuar, një tjetër aksion kundër etikës dhe funksionimit gazetaresk, kundër lirisë së fjalës dhe demokracisë.

Midis të tjerash  ai thekson se bëhet fjalë për një sulm të gjithanshëm ndaj tij, që kërkon të frikësojë grekët në Shqipëri që të mos flasin, që ka qëllim ti mbyllë gojën së vërtetës dhe të heshtet ndaj gjithë përgjegjësive për atë që u bë kundër helenizmit në Shqipëri.

Barkas thotë se vendimi është produkt i ndërhyrjes politike. “Qarqe të vorioepiriotëve me akses në partinë në pushtet dhe në disa ministra të qeverisë, kanë kërkuar shkarkimin tim nga agjencia -shkruan ai duke shtuar se  – këto qarqe nuk ishin  dakord me pikëpamjet e mia personale (jo me ato që publikoj tek lajmet e agjencisë) por për çështjet e helenizmit të Vorioepirit, dhe kryesisht të çështjes Beleris, ndaj më akuzuan se nuk ndjek politikën kombëtare”.

Barka ka njoftuar edhe Kryeministrin grek, Ministrin e Punëve të Jashtme dhe organet e tjera kompetente zyrtare duke kërkuar ndërhyrjen e tyre, por nuk ka marrë përgjigje.

“Është jo vetëm një qëndrim shpifës dhe përçmues ndaj një korrespodenti me bashkëpunim 28 vjet, por për më tepër ndaj të vetmit gazetari grek jashtë Greqisë në mediat publike, kundër një drejtuesi të Minoritetit Kombëtar Grek, themelues dhe deputet i OMONIAS, shkrimtar me aktivitet të pasur në favor të helenizmit, me qindra artikuj dhe prezantime në mediat shqiptare në favor të helenizmit”, shkruan Barka.

Vlen të përmendim se disa ditë më parë Parlamenti Europian ka miratuar një rezolutë që ngre shqetësimin përveç të tjerësh për lirinë e shtypit në Greqi, përqendrimin e pushtetit të medias në duart e oligarkëve si dhe mënyrën e shpërndarjes së subvencioneve shtetërore tek to.

Top Channel

Share: