Në zgjedhjet evropiane në qershor 2024 mund të votojnë edhe të rinjtë. Partitë e djathta po përdorin platformat sociale, sidomos TikTokun për fushatën zgjedhore që të fitojnë votat e të rinjve dhe të rejave.
Në zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Evropian në fillim të qershorit lejohen të votojnë për herë të parë edhe 16- dhe 17-vjeçarët. Të rinjtë lejohen të votojnë këtë vit edhe në Belgjikë, Austri, Greqi dhe Maltë. Por shumë të rinj mund të mos jenë të sigurtë për kë të votojnë dhe çfarë ndikimi do të ketë në jetën e tyre kryqi që do të vënë në fletën e votimit.
Shqetësuese në kuadrin e zgjedhjeve për Parlamentit Evropian janë në Gjermani platformat e mediave sociale, sidomos TikTok, ku partia populiste dhe pjesërisht ekstremiste e djathtë, Alternativa për Gjermaninë, AfD, zhvillon një fushatë agresive zgjedhore që synon të arrjë veçanërisht të rinjtë.
Mesazhe të thjeshta dhe emocionale
Mesazhet që përdor Kandidati kryesor i AfD-së për zgjedhjet evropiane, Maximilian Krah, janë të thjeshta dhe emocionale dhe gjenerojnë rreth dhjetë herë më shumë shikime dhe shikime sesa ato të partive të tjera.
Sociologu për moshat rinore Klaus Hurrelmann tha në një intervistë për DW që habitet pse partitë e tjera i përdorin kaq pak mediat sociale në krahasim me AfD-në, “sepse brezi i ri është rritur me botë digjitale, komunikon vetëm në këto kanale dhe në thelb e percepton informacionin politik vetëm përmes kanaleve digjitale”.
Që AfD është kaq e suksesshme në TikTok, ka të bëjë edhe me mënyrën se si funksionojnë algoritmet – sa më sensacionale përmbajtja, aq më shumë vëmendje. Dhe nëse partitë e tjera mund t’i arrijnë, është e pasigurtë.
Nga pandemia te kriza e klimës
Për Hurrelmann suksesi i AfD tek të rinjtë nuk është ndonjë surprizë e madhe. Sipas tij të rinjtë, që votojnë për herë të parë, janë thellësisht të pasigurtë. Pandemia e koronës me mbylljet e shkollave dhe ndalimet e kontakteve “ishte një barrë e madhe për të rinjtë, sepse që në pubertet në moshën 12 apo 13 vjeçare, ata përjetonin se nuk mund ta drejtosh vetë jetën tënde”, thotë ai.
Edhe kriza klimatike, inflacioni, hapësira e kufizuar e banimit dhe varfëria në pleqëri i trembin shumë të rinj. “Kjo i shkon shumë për shtat një partie si AfD”, vazhdon Hurrelmann. “Sepse ajo është partia, që thekson, se qeveritë nuk kanë arritur t’i shmangin këto pasiguri. Rezultati i këtyre premtimeve u pa në vjeshtë në zgjedhjet për parlamentin e landit gjerman të Hessen-it, ku AfD arriti vendin e dytë midis votuesve të rinj (18 deri 24 vjeç).
Jo vetëm fenomen gjerman
Tërheqja e të rinjve nga partitë e djathta nuk është një fenomen gjerman. Hulumtimet tregojnë se në mbarë botën meshkujt dhe femrat e gjeneratës Z po largohen gjithnjë e më shumë politikisht nga njëri-tjetri. Kjo do të thotë se të rinjtë nuk janë politikisht aktivë ose bëhen më konservatorë, ndërsa të rejat bëhen më progresive, vlerëson një analizë e Financial Times.
Hurrelmann mendon që AfD-ja do të ketë shanse të mira në zgjedhjet evropiane në fillim të qershorit: “Të rinjtë votojnë për çështje problematike. Dhe këtu një parti si AfD ka shanse të mira. Dhe pyetja nëse çështjet problematike kanë lidhje me Evropën, kjo nuk merret aq fort në konsideratë nga të rinjtë”, thotë Hurrelmann./DW