Home Gjeo-Ekonomia “BE dhe SHBA, shumë të buta ndaj Serbisë”, Kurti për “Financial Times”:...

“BE dhe SHBA, shumë të buta ndaj Serbisë”, Kurti për “Financial Times”: Beogradit t’i caktohet ultimatum që t’i vendosë sanksione Rusisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar në një intervistë për “Financial Times”, se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po tregohen shumë të buta ndaj Serbisë. Kurti ka shtuar se Serbisë duhet t’i caktojnë një ultimatum për të vendosur sanksione ndaj Rusisë. Kurti tha për “Financial Times”, se Beogradi duhet të rreshtohet kah Perëndimi për t’i ofruar Kosovës siguri në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.

Kurti ka thënë se Serbia duhet të tregojë përkushtim ndaj integrimit në BE duke vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe ndaluar përpjekjet për t’u ulur në “tre ose katër stola”.

“Sapo që Serbia t’i vë sanksione Federatës Ruse, atëherë do të ishte një moment kur ata mund të tregojnë se duan të integrohen në BE, dhe Serbia pa Rusinë nuk mund ta kërcënojë sigurinë e kontinentit. Atëherë do të mund të besoja se në thelb duan paqe. Dhe SHBA-ja e BE-ja nuk do të përpiqeshin që t’i qetësonin më”, ka thënë Kurti.

Ai ka refuzuar të tregojë nëse Policia e Kosovës do t’i tërheqë njësitë speciale nga veriu, por ka insistuar se ankesat e serbëve për praninë e tyre po pakësohen. Kurti gjithashtu ka theksuar se ka dallime strategjike me aleatët euro-amerikanë, por jo në vlera dhe parime.

360grade.al

Share: