Shkodra, qyteti i bukurive të shumta ka marrë vëmendjen e vazhdueshme vitet e fundit të atyre që duan ta shohin nga afër atë. Një grup xhirimi i emisionit të njohur italian “Linea Verde” në RAI ishin në Shkodër për realizimin e një puntate të veçantë rreth pikave atraktive. Zona muzeale ishte një nga pikat e para ku ndaloi grupi italian për të vazhduar me të tjerat.
“Për ne është hera e parë në Shkodër. Ishim në Koman fillimisht ku u mahnitëm me bukurinë e liqenit dhe natyrës së egër atje. Kemi “zbuluar” disa pika që e bëjnë Shqipërinë shumë tërheqëse pikërisht për shkak të kësaj natyre që është ende në zhvillim. Vendi juaj do të promovohet për një audiencë prej gati 150 milion spektatorësh në RAI 1 dhe RAI Italia” shprehet drejtuesi i programit, Lino Zani .
Nga ana e saj , prezantuesja Giulia Capocchi shprehu gëzimin e saj për faktin se RAI është një stacion i ndjekur historikisht në vendin tonë.
“Jemi njohur me faktin që televizioni RAI është ndjekur historikisht në Shqipëri dhe le të themi se ka shërbyer si një urë lidhëse në mes dy vendeve: Shqipërisë dhe Italisë. Ka shërbyer edhe për të mësuar italishten dhe kjo na gëzon pa masë. Shumë shqiptarë që kanë ardhur në Itali, e kanë njohur edhe më shumë atë përmes RAI.”
Ndërkohë, drejtuesi organizativ, Massimiliano Arbuti, u ndal tek zonat ku po xhirohet.
“Po xhirojmë rreth zonës pedonale dhe do të ndalojmë në Katedralen “Shën Shtjefni”. Më pas do të fokusohemi në kalanë “Rozafa” si dhe në dy lumenjtë Drini dhe Buna.”
Emisioni “Linea Verde” prej 40 vitesh transmetohet në RAI. Ai ka në fokus zhvillimin e agroturizmit dhe promovimin e bukurive natyrore, jo vetëm në Itali , por edhe jashtë saj. Emisioni dedikuar Shkodrës dhe veriut të vendit pritet të transmetohet në ditën e parë të muajit qershor, në orën 14 në Rai 1./ShkodraNews