Truri kolektiv që duhet ndryshuar !
Nga Irena Beqiraj
Në 100 vjet shtetformim ne kemi ndryshuar udhëheqësit por kurrë trurin . Ndërkohë që sekreti i suksesit njerëzor nuk qëndron në inteligjencën e lindur individuale, por në trurin tonë kolektiv – në aftësinë e grupeve njerëzore për t’u ndërlidhur shoqërisht dhe për të mësuar nga njëri-tjetri gjatë brezave. Biologu Joseph Henrich na tregon se aftësia për bashkëpunim ka qenë forca kryesore që ka çuar përpara procesin evolucionar njerëzor. Formimi i trurit kolektiv ka nxitur evolucionin gjenetik të specieve njerëzore brenda nje shoqërie dhe ka ndikuar më tej në biologjinë e tyre.
Kapaciteti i hershëm njerëzor për të mësuar nga të tjerët prodhoi shumë risi kulturore, si zjarri, gatimi, kontejnerët e ujit, njohuritë mbi bimët , armët, të cilat nga ana e tyre nxitën zgjerimin e trurit tonë dhe ndryshuan fiziologjinë, anatominë dhe psikologjinë tonë në mënyre vendimtare.
Pra ndryshe nga cdo specie tjetër ne njerëzit jemi specie kulturore.
Normat kulturore edhe shoqërore që shqiptarët kanë mësuar, përvetësuar dhe zbatuar gjatë gjithë historisë së tyre kane pasur një theks të fuqishëm tek interesat individuale , që për disa vazhdojnë të drejtohen nga qëllimi i thjeshtë e bazik i mbijetesës , ndërsa për të tjerë nga lakmia e pangopur për privilegje, pasuri, pushtet e kontroll . Për më tepër, duke theksuar “unë” pothuajse tërësisht në kurriz të “ne”, besimi ynë injoron faktin që njerëzit janë thelbësisht social duke na drejtuar drejt profecive vetëpërmbushëse. Pra paaftësia jonë për të vepruar ndryshe , është përcaktuar nga kapaciteti ulët për të formuar një shoqëri bashkëpunuese ndaj edhe krizat me të cilat përballemi përkeqësohen dhe duket se po përjetesohen .
Sërisht sot gabimisht po supozojmë se sapo të vendoset një regjim i sundimit të ligjit, ai do të jetë i vazhdueshëm dhe i vetëqëndrueshëm. Kushtetuta në vetvete, ligjet apo të gjithë instucionet ligjzbatuese nuk mund të garantojë një shoqëri kohezive , madje të kundërtën e kemi provuar disa herë. Ajo që sot duhet të pranojmë është pa një shoqëri kohezive ku njerëzit të kujdesen për të mirën e përbashkët krah interesit personal , kushtetutat ligjet institucionet mund të bëhen jashtëzakonisht të brishta ,aq me tepër kur udhëheqësit populistë nxitojnë të mbushin boshllëkun me vlera të paqëna misionarësh e reforma të dështuara duke nxitur vetëm polarizimin.
Inteligjenca e secilit prej nesh , nuk qëndron në trurin individual, por në mendjen kolektive të cilën At Zef Pëllumbi mendonte se shqiptarët duhet ta ndryshonin . Por për këtë duhet të pranojmë që për të funksionuar, secili prej nesh mbështetet jo vetëm në njohuritë e ruajtura brenda kokës sonë, por edhe në njohuritë e ruajtura , në mjedis dhe veçanërisht te njerëzit e tjerë antarë të së njejtës shoqëri .