Home KRYESORE Humbi apelimin për “non grata-n’ britanike, Berisha zbulon ‘komplotin’ transnacional kundër tij

Humbi apelimin për “non grata-n’ britanike, Berisha zbulon ‘komplotin’ transnacional kundër tij

Ish-Kryeministri Sali Berisha i ka qëndruar versionit të tij për një komplot transnacional shqiptaro-britanik kundër tij, pasi Komisioni i Apelimit në Britaninë e Madhe, i refuzoi ankesën që kishte bërë për shpalljen ‘non grata’ nga ky Mbretëria e Bashkuar.

Në fjalimin e pasdites drejtues mbështetësve, Berisha i ka qëndruar versionit të tij se nuk ka asnjë provë dhe fakt dhe se ndaj tij po shpifet. Dhe ashtu siç pritej, fjalimin e pasdites nga ballkoni i banesës ku qëndron në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit 2023, me vendim të GJKKO, pas hetimeve të nisura nga SPAK lidhur me atë që njihet si dosja “Partizani”, Berisha do e përqëndronte pikërisht te vendimi i marrë nga Mbretëria e Bashkuar, që vjen pak ditë pasi Gjykata e Apelit në Tiranë i dha të drejtën e vulës dhe logos së PD.

E ndërsa britanikët bënë shpalljen “non grata’ për korrupsion dhe lidhje me krimin, Berisha në anën tjetër akuzon për korrupsionin transnacional shqiptaro-britanik që ka përfshirë sipas tij, administratën e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.“Pas përjashtimit siç e quajnë në gjuhën zyrtare anglezët të Sali Berishës nga hyrja në Britaninë e Madhe, unë vendosa të njëjtën gjë, të mos loboj, por të padis në gjykata për shpifje autorët e shpifjeve të ulëta.

Mirëpo ligji britanik nuk lejonte drejtimin në gjykatë pa kaluar ankesa në Komisionin e Posaçëm të Apelimit që shqyrton si komision vendimet e Home Office.

Pra, një komision duhet të shqyrtonte ankesën dhe pas mendimit të tij, unë fitoja të drejtën t’i drejtohesha sistemit gjyqësor anglez. Sot, në vendimin e tij, Komisioni i Posaçëm i Apelimit të Ankesave për Emigracionin, deklaron se ai nuk ka hetuar nëse ka akuzat ndaj Berishës janë të vërteta apo jo. Në paragrafin 17 të vendimit, ky komision deklaron se ai ka hetuar nëse Sekretarja e Shtetit i ka analizuar drejt provat para saj.

Por edhe njëherë theksoj, se procedura që ndoqëm ka qenë jashtëzakonisht e çmuar, për secilin prej jush, për çdo shqiptar.

Kjo procedurë faktoi se për Sali Berishën, për vendimin ndaj tij, nuk ka asnjë provë, asnjë të vërtetë, asnjë fakt, vetëm turp, vetëm shpifje, vetëm trillime”, tha Berisha.

Ai tha se në vendimin e Home Office për rishikimin zyrtar të këtij institucioni, u fshehën mijëra e mijëra faqe të dorëzuara nga ne me qëllim fshehjen e mashtrimit të parë.

“Këtë fshehje e fakton, e pohon sot SIAC, që thotë se përfaqësuesit ligjore të qeverisë nuk i kanë dhënë Home Office provat tona, mijëra e mijëra faqe, dokumente, pasi pretendonin, mashtronin se ato janë dorëzuar me vonesë.

Provat, faktet e paraqitur nga avoketërit e mi në mijëra faqe, rrëzonin, shkrinin si rrezja e diellit brymën, mashtrimin e diplomatëve të korruptuar dhe korruptorëve të tyre, Edi Rama, Erion Veliaj dhe Lulzim Brava.

Ndaj dhe mijëra faqe nuk u dorëzuan Sekretares së Shtetit sepse ajo do mësonte të vërtetën me këto faqe dhe sepse po t’i dorëzoheshin asaj, do detyrimisht do të pranoheshin nga SIAC-i.

SIAC-i pranonte vetëm dokumentet e dorëzuara para Sekretares së Shtetit”, tha Berisha.

360grade.al

Share: