Shtëpia e Bardhë ka akuzuar republikanët për përhapjen e lajmeve të rreme për shëndetin fizik dhe mendor të Joe Biden, pasi u publikuan një seri videosh që ringjallën shqetësimet për moshën e tij.
Gjatë një konference për shtyp, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karin Jean-Pierre u përgjigj se këto video ishin prerë ose manipuluar.
“Kjo tregon se sa të dëshpëruar janë republikanët,” tha ajo.
Ditët e fundit mediat konservatore, kryesisht Neë York Post, por edhe llogaria zyrtare e partisë Republikane, kanë postuar në rrjetet sociale video të shkurtra ku shfaqet një Biden konfuz.
Në njërën prej tyre 81-vjeçari demokrat shfaqet tërësisht i çorientuar gjatë një eventi me parashutistët, ku mori pjesë me liderë të tjerë gjatë samitit të G7 të javës së kaluar në Itali.
Karine Jean-Pierre u përgjigj se presidenti amerikan thjesht u largua nga grupi i liderëve për të uruar një parashutist, gjë që mund të shihet.
Videoja e fundit që u bë virale tregon Biden në një ngjarje politike në Los Anxhelos duke qëndruar i përhumbur në skenë për disa sekonda përpara se Barack Obama ta largonte.
“The New York Post, edhe një herë, nuk ka respekt për lexuesit e saj,” tha Andrew Bates, gjithashtu një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, duke iu referuar gazetës së manjatit konservator Rupert Murdoch.
Bates siguroi se Biden thjesht qëndroi në skenë për të shijuar duartrokitjet e mbështetësve të tij.
Mosha e presidentit amerikan shqetëson votuesit, sipas sondazheve, dhe është një objektiv i shpeshtë i kritikave nga rivali i tij Donald Trump.
360grade.al