Nga Artur Nura
«Komisioni Evropian – lexohet në një deklaratë të publikuar të mërkurën 12 qershor – u ka komunikuar palëve të interesuara nivelin e detyrimeve të përkohshme kundërbalancuese që synon të vendosë për importet e makinave elektrike nga Kina (…)
Thuhet se tarifat individuale që Komisioni synon të aplikojë për tre prodhuesit kinezë do të jetë 17.4% për kompaninë BYD, 20% për kompaninë Geely dhe 38.1% për kompaninë SAIC. Sipas njoftimit publik ka më pak detyrime për ata që bashkëpunuan…
Bashkimi Evropian ka parashikuar tarifa më të ulëta për prodhuesit që “bashkëpunuan”, lexohet në shënimin e lëshuar nga Komisioni. Në veçanti bëhet fjalë për markat perëndimore si BMW dhe Tesla të cilat kanë fabrika prodhimi në Kinë dhe gjithashtu eksportojnë modelet e tyre në Evropë për të cilat do të aplikohen tarifa prej 21%…
Taksat shtesë do të hyjnë në fuqi më 5 korrik, një ditë pas botimit të rregullores në Fletoren Zyrtare.
Dialogu midis Brukselit dhe Pekinit mbetet ende i hapur.
Kjo për shkak se Komisioni ka kontaktuar autoritetet kineze për të diskutuar rezultatet e hetimit dhe për të vlerësuar mënyrat e mundshme për të zgjidhur çështjet e identifikuara në një mënyrë për të shmangur një luftë tregtare midis Kinës dhe BE-së.
Rritja e tarifave është pasojë e hetimeve të nisura në 4 tetorin e kaluar nga shërbimet e Komisionit Europian.
Nga tarifat aktuale prej 10 për qind për importet e makinave elektrike kineze, Komisioni ka vendosur të vendosë taksa më të larta, duke synuar tre kompani specifike dhe biznese të tjera në Republikën Popullore që janë vënë në shënjestër të hetimit europian.
Duhet të theksohet se detyrimet nuk janë ende në fuqi. Kompanitë tani kanë mundësinë të komentojnë vetëm për saktësinë e llogaritjeve. Më pas, deri më 4 korrik 2024, Komisioni do të publikojë në Fletoren Zyrtare një rregullore ku detajohen gjetjet e përkohshme që çuan në këtë nivel detyrimesh, e cila do të hynte në fuqi ditën e nesërme, pra 5 korrik.
Tarifat e përkohshme do të mbulohen nga një garanci (në formën e vendosur nga doganat e çdo shteti anëtar). Së fundi, ato do të mblidhen vetëm nëse dhe kur vendosen detyrime përfundimtare.
Shpresa është se në këtë periudhë kohore Brukseli dhe Pekini mund të gjejnë një marrëveshje për të shmangur fillimin e një lufte tregtare që do të penalizonte veçanërisht prodhuesit e mëdhenj si Mercedes-Benz Group, BMW, Dacia dhe Renault. Tarifat për importet e makinave elektrike kineze do të aplikohen më pas, nëse qeveritë evropiane nuk kundërshtojnë me shumicë dërrmuese.
Kina, nga ana e saj, është përpjekur vazhdimisht në ditët e fundit për të bindur Bashkimin Evropian nga miratimi i masës. Hetimi aktual evropian kundër subvencioneve për automjetet elektrike kineze përbën “proteksionizëm” dhe një “arsyetim” për të vendosur tarifa shtesë, tha Lin Jian, një zëdhënës diplomatik kinez. “Në fund të fundit, kjo do të ishte e dëmshme për interesat e Bashkimit Evropian”, theksoi zyrtari kinez.
Brukseli dhe Pekini kanë ende disa muaj për të shmangur një luftë tregtare midis dy blloqeve.
Në një konferencë të rregullt për shtyp të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës të mbajtur më 12 qershor, zëdhënësi Lin Jian tha se Kina ka deklaruar vazhdimisht qëndrimin e saj për hetimin e subvencioneve të BE-së për automjetet elektrike kineze.
Hetimi ndaj subvencioneve është një akt tipik proteksionizmi. Ai shkel parimet e ekonomisë së tregut dhe rregullat e tregtisë ndërkombëtare. Gjithashtu dëmton bashkëpunimin ekonomik e tregtar Kinë-BE si edhe stabilitetin e prodhimit dhe zinxhirit të furnizimit global të automobilave, duke dëmtuar përfundimisht interesat e Evropës.
Lin tha se kohët e fundit, liderët politike dhe përfaqësues të industrisë nga shumë vende evropiane, kanë shprehur kundërshtim ndaj hetimit të Komisionit Evropian, duke besuar se përpjekja për të mbrojtur industrinë evropiane nëpërmjet rritjes së tarifave për automjetet elektrike kineze është e gabuar.
Proteksionizmi nuk ka të ardhme. Bashkëpunimi dhe hapja janë rruga e duhur. Ne i kërkojmë BE-së të zbatojë premtimin për të mbështetur tregtinë e lirë dhe për të kundërshtuar proteksionizmin. I kërkojmë asaj të punojë me Kinën për të mbrojtur situatën e përgjithshme të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar Kinë-BE. Kina do të marrë të gjithë masa të nevojshme për të mbrojtur interesat e saj… – citohet zëdhënësi Lin Jian.
Departamente dhe organizata të shumta qeveritare kineze shprehën të mërkurën kundërshtim të fortë ndaj vendimit të Komisionit Evropian (KE) për të vendosur tarifa të përkohshme mbi importet e makinave elektrike me bateri kineze (EV) dhe u zotuan për të gjitha kundërmasat e nevojshme, duke i kërkuar BE të korrigjojë menjëherë këtë vendim.
Vëzhguesit aziatik thanë se masa është thjesht politike, duke mos ndihmuar as konsumatorët e BE-së dhe as industritë e makinave të BE-së dhe ata shtuan se Kina do të marrë masa të vendosura për të mbrojtur interesat e saj të ligjshme…
Tashmë vëmendja mbetet e përqendruar tek diplomacia e cila nevojitet ti japë zgjidhje kësaj situate në interes të të dyja palëve. Vizitat e autoriteteve më të larta Europiane në Pekin kanë qenë të shpeshta dhe duket se ato do të vijojnë së bashku me komunikimin dy palësh…/CRI.CN