Home KRYESORE Mbi 34 mijë shqiptarë të divorcuar, ja cila është mosha kur më...

Mbi 34 mijë shqiptarë të divorcuar, ja cila është mosha kur më së shumti çiftet ndahen

Në vitin 2023, censi i popullsisë dhe banesave gjeti mbi 34 mijë persona në vend me statusin i divorcuar.

Divorcet sipas grupmoshave tregojnë se shumica e divorceve kulmojnë në grupmoshën 40-50 vjeç. Shumica e popullsisë prej 54,9% rezulton e martuar, 36.6% beqar, ndërsa 7,0% e popullsisë i/e ve dhe 1,4% të divorcuar ose të ndarë.

Statusi martesor lidhet në mënyra të ndryshme me shëndetin e njerëzve, lindjen e fëmijëve, pjesëmarrjen në forcën e punës dhe mirëqenien e përgjithshme, dhe është një variabël i rëndësishëm në analizën e ndryshimeve demografike dhe sociale.

Gjithashtu, referuar popullsisë së divorcuar ose të ndarë, femrat zënë 58,9%, ndërsa në popullsinë që nuk është martuar kurrë (beqare), 55,7% janë meshkuj, përqindje kjo më e lartë dhe për shkak të moshës më të vonshme mesatare të martesës së tyre.

Një barazi gjinore mund të vërehet për popullsinë e martuar. Megjithatë, nga analizimi i shpërndarjes gjinore dhe moshore të popullsisë së martuar, vihet re një përqindje më e lartë e femrave në grupmoshat më të reja, për shkak të moshës më të hershme të martesës së tyre.

Të dhënat tregojnë se, deri në moshën 30 vjeç, përqindja e individëve beqar është më e lartë. Pas moshës 30 deri në 85 vjeç, rritet përqindja e personave të martuar, duke arritur pikun me rreth 88% në grupmoshën 45-64 vjeç. Pas moshës 65 vjeç e lart, përqindja e individëve të ve, ka një rritje të konsiderueshme.

Në vitin 2020, Shqipëria kishte 6.16 martesa për një mijë banorë, pothuajse dyfishi i normës mesatare të Bashkimit Europian prej 3.2.

Në Shqipëri, në vitin 2020 u regjistruan 1.5 divorce për një mijë banorë. Në Rajon, Shqipëria zuri vendin e parë. Normën më të ulët të divorceve në rajon e ka Kosova, me 0.5 për një mijë banorë dhe më të lartën pas nesh Mali i Zi, me 1.3.

Kosova ka dhe normën më të ulët të divorceve në gjithë Europën. Kosova mban dhe rekordin e martesave në Europë, me 9.8 martesa për një mijë banorë (viti 2019)./Monitor/

Share: