Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka reaguar pas vendosjes së disa posterave provokues në veri të Kosovës, ku thuhet se “po presin presidentin e Serbisë të vijë” duke e quajtur atë ‘komandant’.
Sveçla ka deklaruar se nëse Vuçiç vjen në Kosovë pa lejen e Prishtinës zyrtare, ai do të vihet prapa hekurave.
“I paskan ngjitur tinëz gjatë natës disa postera në veri të Kosovës. Aty thonë që po e presin presidentin e Serbisë të vijë duke e quajtur atë ‘komandant’.
Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, ka shkruar Sveçla.
“Komandant suprem, po të presim!”. Është mesazhi që lexohet në posterat e vendosura rreth veriut të Kosovës këtë të diel, e që shoqëron foton e presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
Imazhet janë shfaqur në Mitrovicën e veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok, në katër komunat e banuara me shumicë serbe.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se autoritetet kanë nisur hetimet për “nxitje të urrejtjes”.
Aktualisht, sipas Elshanit, nuk ka persona të dyshuar për vendosjen e këtyre posterave, por “policia po punon në drejtim të zbardhjes së rastit”.