Home Approccio Italo Albanese Si sot 33 vite më parë udhetimi i parë për në Itali…

Si sot 33 vite më parë udhetimi i parë për në Itali…

Nga Artur Beu

8 – 9 gusht 2024

Si sot 33 vite më parë, porti im i parë jashtë shtetit (porto di Bari), autobuzi im i parë i jashtëm (deri atëherë njihja vetëm autobuzët shqiptarë që na çonin në plazh), stadiumi im i parë (stadio delle Vittorie).

Kujtoj se edhe pse mes një rrëmuje e ngjarjesh që ndiqnin njëra tjetrën pa i lënë kohë kohës ishte edhe ndjenja ime e parë e zhgënjimit të thellë nga çfarë kisha dëgjuar e pritur për shkak të përbuzjes e mospranimit që na i tregua menjëherë sapo zbritëm nga Vlora. Ishte edhe rënia e një miti. Italia e ëndërruar u shfaq në sytë e mi si diçka e egër, veç me njerëz në uniformë që na shikonin siç mund të shohësh një të padëshiruar. Rënia e një miti të krijuar nga televizori, por nga ana tjetër edhe një ndjenjë turpi. Madje kujtoj shumë mirë që kisha shumë turp dhe nuk e kam kuptuar kurrë përsenë. Ndoshta meqë isha i zbathur, i palarë, i pakrehur unë që vija nga një familje mësuesish!? Të varfër padiskutim, por gjithnjë me dinjitet e krenari, si shumica e atyre që ishin aty.

Si sot 33 vite më parë jam fshehur në një nga magazinat e stadiumit të vjetër të Barit pas shpërthimit të gardhit në orët e mbrëmjes. Isha ndër të parët në rresht për të dalë nga stadiumi. Kishim uri dhe etje dhe ushqimin na e hidhnin me helikopter si në kopshtin zoologjik.

Kujtoj shumë mirë që kur shpërtheu gardhi në hyrjen lindore unë dola nga stadiumi dhe ika nga ana e djathë ndërkohë që turma iku majtas. NatYrisht që kishte policë e dikush deshi të më kapte ndërkohë që unë i drejtohem italisht:- “cosa fai, sono italiano, lasciami stare”. Isha zbathur por ishte errësirë dhe ndoshta s’më pa e më la. U futa në atë magazinë të vogël ku kishte ushqime e ndenja deri në mëngjes. Dëgjoheshin vetëm të shtëna armësh dhe lëvizje makinash me sirena.

Kisha tre muaj që kisha mbushur 17 vjeç. Isha i madh më të qarë.

10 gusht 2024

Si sot 33 vite më parë, më rikthyen besimin tek njerëzit. Kush do të thoni ju? Po ja, vetë Barezët. Dal në mëngjes nga magazina, që ishte kthyer në dhomën time të hotelit për një natë dhe në sheshin para stadiumit shoh njerëz që lëngonin e kërkonin ndihmë mjekësore. I afrohem dikujt aty dhe e pyes cfarë kishte. Më dhemb barku shumë por s’më kuptojnë edhe pse po i tregoj barkun. I referohej personelit vullnetar që ishte aty e po ndihmonte njerëzit duke i drejtuar tek ambulancat që vinin e iknin.

Aty në atë moment “rekrutohem” në fushë betejë si përkthyes e ndihmës infermier. Ik e hajde ambulancat, deri kur nuk e mbaj mend mirë sa kohë qëndroj mes ambalancave dhe pronto soccorso, e shkoj edhe vetë në urgjencë. Aty në urgjencë më thonë pastaj, ik tani se je i lirë shko ku të duash. Dal në rrugë. I pari person i mirë që takoj ishte një shitës fruta perimesh. E pyes se ku mund të gjej një telefon për të telefonuar në shtëpi. Nuk e di thotë, por prit të të jap ca të holla e më jep një grusht me monedha e xhetonë. Në atë kohë kishte xhetonë për të telefonuar. Gjej një kabinë e merr në telefon më tha! E ku dija unë i gjori se ku e se si!!! 😀😀😀.

Nejse, lëviz dhe përfundoj diku mes pallatesh e hipi tek njëri duke përdorur shkallët. Trokas tek një derë dhe një grua e hap e më pyet: – “Kë kërkon?”, Nuk kërkoj njeri i thashë unë, dua vetëm të telefonoj në shtëpi që t’i them që jam gjallë dhe mirë, sepse do jenë në merak për mua se u bënë tri ditë që s’kam patur komunikim. Po ne s’kemi telefon tha ajo. Prit të të jap diçka nëse të ndihmon. Po ti futu brenda thotë zonja mos qëndro jashtë. Jo, jo them unë nuk dua të futem, se jam edhe pis. Zonja e shtëpisë del pas pak me një palë pantofla, dy bluza dhe një palë këpucë Lamberjack. Janë të djalit tha, por besoj se të vijnë se jeni njësoj. Ajo e kishte vënë re se isha zbathur. I vesha këpucët menjëherë dhe e përshëndeta dhe e falënderova.

Prit prit tha të të jap ca para e më jep 10 mijë lireta. Jo, jo them unë se kam plot e i tregoj monedhat. Ato janë pak thotë ajo, ndaj merri se të duhen. Marr këpucët, vesh bluzën e dal sërish jashtë në kërkim të telefonit. Dal nëpër rrugë duke u munduar të kuptoja se ku ndodhesha. Mbaj mend që rrugët tregonin “senso unico” dhe s’po kuptoja përse ato rrugë kishin të njejtin emër 😂.

Duke ecur më thërrasin disa djem që si unë kishin arritur të dilnin nga porti a stadiumi dhe po endeshin rrugëve. A di italisht ti? Po di i them unë. Po shumë mirë atëherë po rrijmë bashkë, se ne nuk dijmë. Dhe kështu bëmë, po ecnim nëpër rrugë ndërsa na vjen një makinë policie e na ndalon e na dërgon direkt e në port. Sërish atje, atje ku ishte shumica e njerëzve mes plehrash e rrëmuje. Sërish atje ku ishte atrakuar anija Vlora që qëndronte aq e heshtur aty në mol edhe pse porti gumëzhinte. Helikopterë, ambulanca, makina policie e shumë njerëz me uniforma.

Sapo futem në port mes njerëzve, më marrin njërën nga pantoflat sepse tjetrën arrita ta mbroj. Këpucët i kisha ende në këmbë. Përfundoj në fund të portit veçmas duke u përpjekur të arrija ato tubat e mëdhenj që shërbejnë për të thyer dallgët e të qëndroja si priftërinjtë gjatë mesjetës sa më lart e sa më larg nga turmat.

11 gusht 2024

Si sot 33 vite më parë, gjendesha i shtrirë në një beton të portit të Barit duke pritur të zbardhte dita. Gjatë natës mbaj mend që më kishte zënë gjumi dhe zgjohem nga një makth që natyrisht nuk e mbaj mend sepse ishte nga ato që ndodhin në sekondën e fundit para zgjimit. Gjithsesi, “zgjimi” shoqërohet me një të trembur të madhe pasi betoni ku isha shtrirë kishte një lartësi prej disa metrash dhe rrumbullakësia e tij nuk të lejonte të lëvizje aq shumë ndryshe përfundoje në mes të betonëve të tjerë dhe me gjasa do të shërbeja edhe unë si dallgëthyes për të mbrojtur bankinën e portit.

Ajo që mbaj mend dhe me shumë çudi ka qenë koha pa erë dhe një mot i nxehtë. Deti vijonte të ishte i qetë ndoshta kishte kuptuar se nuk ishte koha për të bërë edhe ai rrëmujë sepse boll kishim bërë ne të ardhurit e padëshiruar. Deti me gjasa po mendonte se ndoshta ishte edhe faji i tij që na kishte lënë të kalonim deri aty. Megjithatë, edhe atë natë e kalova e po ashtu në simbiozë me detin isha relativisht i qetë. Kisha çantën plastike me një pantofël, disa monedha dhe një bluzë. Triumfi i parë i një refugjati të mitur.

Nuk e di përse e mbaja ende atë pantofël me vete. Ndoshta meqë më ishte besuar dhe duhej ta mbroja me çdo kusht. Kujtoj se kur i hipëm anijes Vlora në portin e Durrësit shumë prej nesh i hodhën këpucët dhe pantoflat në det në formë proteste duke bërtitur do gjejmë më të mira në Itali. Anija Vlora në hambar kishte ende sheqer sepse ajo vinte nga udhëtimi i gjatë i ngarkesës së saj të fundit nga Kuba. Sheqeri kishte bërë punën gjatë udhëtimit. Kuverta ishte kthyer si mastiç ndërsa era e sheqerit nuk durohej. Ne që kishim nevojë për ujë kur mendonim se aty kishte sheqer na shtohej jo vetëm etja por edhe nivelet e glukozit në gjak e tru.

Pasi, zbres nga betoni kërkoj ushqim se uria ende s’kishte ikur shyqyr. E them këtë sepse më jepte guxim për të kërkuar dhe jepte shenja force që ndryshe dihej të kishin ikur prej kohësh. Duke u afruar në pjesën e fundit të gardhit të parë pasi kishte disa gardhe të vendosur për të bllokuara lëvizjen e lirë, pashë që policia apo personel tjetër aty po hidhte panine dhe shishe uji duke performuar si në olimpiadë me hedhjen e gjyles apo të çekiçit, sepse futbollin amerikan ende s’e dija që ekzistonte.

Ne ishim mësuar me lojëra si ajo me topa lufte ku t’i i shmang ose duhet t’i presësh. Po ashtu edhe unë në formën e atletit olimpik kap në ajër një panine dhe nuk e di a duhej të vrapoja pas kapjes apo jo. Panine me një lloj sallami qëbante erë të çuditshme. Kishte vetëm një fetë brenda. E kafshoj, por nuk e përfundoj dot sepse era e sallamit nuk më pëlqeu. Ishte mortadella, por mesa duket meqë kishte shumë kohë e paketuar nuk ishte më e ngrënshme. E heq atë sall dhe e haj bukën thatë. Nga ai moment më janë dashur më shumë se 10 vjet të provoj mortadella sërish. Kur e riprova kuptova se ajo e portit të Barit duhej të kishte qenë tjetër gjë.

Aty pranë anijes Vlora që prehej tashmë prej tri ditësh e lodhur e raskapitur, ishte e atrakuar një anije e zezë që nuk ja mbaj mend emrin. E vetmja gjë që mbaj mend ishte që atë anije e zhveshën nga koka në këmbë nga të gjitha gjërat që kishte duke filluar nga dyshekët e marinarëve e Duke përfunduar në disa rrota që nuk e di se për çfarë i duheshin njerëzve përvecse për të treguar një kafshëri që shfaqet pasi dielli të ka pjekur kokën në 40 gradë katër ditë me radhë pa asnjë mjet mbrojtës në mes të betonit.

Dita e katërt përfundon me një betejë ku disa djem të përbashkuar rreth flamurit me një dëshirë e një qëllim tentuan të më merrnin qesen plastike pasi kishin parë që aty kishte ca gjëra që vinin nga jashtë shtetit. Pantoflën e mbrojta, por jo bluzën. Atë ma morën. Mbeta unë, pantofla, këpucët Lamberjack dhe monedhat. U struka sërish në betonin e lartë, sepse atje isha i qetë e i sigurt se nuk do të vinin “banditët” që për hir të së vërtetës ishin shtuar shumë pas asaj dite. Vinin vërdall duke bezdisur ata më të qetët. Nuk mbaj mend të kishte femra pasi ato i larguan qysh në fillim nëse nuk gabohem.

Edhe kushërira ime që kishte ardhur me mua iku qysh kur mbërritëm me anije me ambulancë. Ajo kishte edhe të fejuarin nga ata të marsit (refugjatët e parë që u pritën ndryshe nga ne) që e priste jashtë.baj mend qëni them, bëj sikur je sëmurë që të marrin me ambulancë dhe ashtu bëri e iku. Nga ai moment nuk pata më informacion për të.
Nata sërish e qetë, deti pa dallgë e yjet po aty që na vëzhgonin dhe me gjasa përcillnin mesazhet e mia familjes që priste një telefonatë nga unë.

13 gusht 2024,

Si dje 33 vite më parë, zgjohem sërish në tubin e betonit që tashmë ishte bërë streha ime dhe duke vrojtuar detin që vijonte i qetë si asnjëherë tjetër po mendoja për anën tjetër të tij. Në anën tjetër u linda e nuk po kuptoja se çfarë doja nga kjo anë ku deri në atë moment veç vuajtje e mundime kisha kaluar. Po mendoja nëse vuajtjet dhe mundimet krahas rrezikut për jetën ja vlenin vërtetë. Në fakt asjnë perspektivë s’kishte në horizont, asnjë lajm, asnjë shpresë e asnjë shenjë. Edhe koha sikur kishte ndalur dhe priste që lëvizjen e parë ta bëja unë. Kisha parë deri në atë moment nga të gjitha. Kisha parë edhe trupa pa jetë në kuvertën e Vlorës dhe ishte hera e parë që shikoja njerëz të vdekur nga afër. Për këto të fundit nuk ja kam idenë e përsesë, por kurrë s’është folur nga ndonjë mesa di unë. Dukej që ajo ditë e sapo filluar do të kishte risi. Kur afrohem për të kapur ndonjë copë buke si futbollistët amerikanë që ishim kthyer, dëgjoj me megafon që po lajmëronin se kush dëshironte të kthehej kishin filluar avionët për Tiranë.

A mundesha unë të humbisja edhe këtë përvojë të parë!?

Pas përvojës së parë me anije mallrash, autobuzit të parë të huaj, portit të parë të huaj, ambulancës së parë të huaj, urgjencës së huaj, stadiumit të huaj, makinës së policisë së huaj, fjetjes jashtë e në kushte xhungle, mortadelës së prishur, ujit të pijshëm me shishe plastike e bukës së huaj, a mundesha unë të mos provoja edhe avionin e parë të huaj!?

Unë s’kisha patur asnjëherë mundësi ta shikoja nga afër një avion. Anije po. Kur babai na çonte në plazh në Durrës ne fëmijëve të lagjes, sepse në Teuta dhe Iliria ku kishte ura. Atje bënim hedhje dhe zbaviteshim shumë. Në Golem ku ishte edhe plazhi ynë s’kishte ura ndaj edhe vajtja deri në Durrës ishte ngjarje për ne fëmijët. Merrnim autobuzat nga Kavaja në Golem e pastaj deri më Plepa. Në Plepa autobuzin e Durrësit e zbrisnim herë në Teuta e herë në Iliria. Bëheshim ca fëmijë nga lagjia dhe kënaqeshin shumë. M’u kujtua anija, sepse ishte edhe kjo ngjarje e veçantë. Ka patur dy anije “Punëtori” dhe “Adriatiku” që bënin xhiro turistike në Iliria dhe Teuta në plazhin e Durrësit. Në fakt nuk kisha bërë asnjëherë xhiro turistike, por isha hedhur nga maja më e lartë e anijeve kur ato qëndronin në pritje pranë urës së Ilirisë. Hipnim fshehtas dhe hidheshim duke bërë demonstrime aftësish, aq sa mund të bëjë një fëmijë natyrisht. Nuk ishin për olimpiada me pak fjalë, por matjebguximi më shumë.

Për t’u kthyer në mundësinë e ofruar për udhëtim me avion nga Bari, natyrisht që e kapa në ajër dhe u regjistrova për të hipur në grupin më të parë. Morëm autobuzin dhe direkt në aeroportin e Barit. Edhe ky aeroporti im i parë. Avioni ishte shumë i bukur. Një Al Italia i ri me ngjyrat e tregjyrëshit dhe ndenjëse të reja. Nuk e mbaj mend vendin ku u ula, por mbaj mend që njerëzit në formën e trofeut kishin hequr xhaketat e shpëtimit nga poshtë sedileve dhe dikush i mbante në duar e dikush e kishte veshur. Natyrisht që kur mbërritëm në aeroportin e Tiranës, që u bë aeroporti im i dytë xhaketat e shpëtimit ja morën “idiotëve”, që i mbanin si trofe të një lufte të humbur tashmë.

Kur zbritëm na pritën me ushtri e na regjistruan emrat. Kur erdhi turni im më pyetën sa vjeç isha dhe kur i thashë 17 nuk më pyetën më as për emrin. Ik merr autobuzin për Durrës se po pret aty jashtë më thanë. Mora autobuzin dhe mbërrita në Durrës. Nga Durrësi në Plepa me autobuzin e linjës e nga plepat në Golem. Në Golem nuk prita fare autobuzin, por në këmbë drejt Kavajës për në shtëpi.

Pjesën e takimit me familjen po jua lë ta imagjinoni, por ka qenë shumë, po shumë prekëse. Kthimi i luftëtarit do ta titulloja.

Luftëtari mbërriti në shtëpi me një qese plastike, një pantofël, një palë Lamberjack, disa lireta dhe një bluzë veshur.
Nuk e di pse i ruajta këto trofe, ndoshta për të justifikuar veten a ndoshta për të patur një kujtim të mirë. Ajo qese më ka bërë të kuptoj shumë për njerëzit dhe jetën.

Për hir të së vërtetës i kisha fshirë nga memorja këto kujtime deri kur u caktova Oficer Kontakti i Policisë së Shtetit në Itali dhe më ftuan në ceremoninë përkujtimore të anijes Vlora në vitin 2018. Pranova të shkoja e të merrja pjesë vetëm me kushtin e të thënit të disa të vërtetave rreth kësaj ngjarjeje të dhimbshme. Natyrisht që i thashë ashtu siç i di unë e jo siç ëmbëlsohen nëpër ceremoni.

Popujt janë dashamirës me njëri tjetrin. E dua shumë popullin italian për shumë arsye, por ngjarja e anijes Vlora nuk është një ngjarje për t’u mburrur as për ta e as për ne. Të dy popujt humbën një mundësi e quaj unë.
Është ende i hapur debati rreth organizimit të këtij eksodi pikërisht kur era e ndryshimeve të mëdha do të duhej të kishte larguar jo ne që ishim e ardhmja, por ata që ishin e shkuara dhe që na kishin katandisur si mos më keq.

Kush ka dëshirë e vazhdon vetë nga këtu…

Share: