Nga Erion Dasho
Në mesin e vapës së gushtit, Ministria e Shëndetësisë së boratëve shpall tender me vlerë 2.5 milionë euro për blerje pajisjesh mjeksore. Pajisje krejt standarde dhe të nevojshme të cilat janë sot të domosdoshme për ofrimin e kujdesit shëndetësor bazë.
Në pamje të parë një procedurë normale, nëse nuk do të bëhej fjalë për afatet e lëvrimit të pajisjeve. Pajisjet me vlerë totale 2.5 milionë euro do të blihen për një periudhë 3 vjeçare, rreth 500 mijë euro në 2024-ën dhe nga 1 milion euro në 2025-ën dhe 2026-ën.
Turp më të madh nuk mund të ketë!
Shteti që u jep në një vit gati 50 milionë euro oligarkëve të PPP-ve, ndan në tre vjet tenderin për blerjen e disa pajisjeve që janë pjesë e kujdesit shëndetësor rutinë! E përsëris, me vlerë vetëm 2.5 milionë euro!!!
Ndërsa oligarkët nuk mund të presin, ata që duhet të presin janë pacientët dhe qytetarët!
Në vite të caktuar, vetëm koncesioni i check-upit ka marrë miliona euro në vit për analiza të pakryera, sikundër ka konstatuar Kontrolli i Lartë i Shtetit. Mbi 2 milion euro në vit raportohet vetëm fitimi vjetor i këtij koncesioni të panevojshëm.
Vlera të ngjashme i garanton çdo vit koncesionit të sterilizimit shtesa e kontratës bërë nga Manastirliu dhe që përfshiu, po ashtu në mënyrë të panevojshme dhe të pajustifikuar, mikrokirurgjitë në kontratën koncesionare.
Nëse shteti shqiptar ka ende mekanizma kontrolli, ky tender gushti i kryer nga boratët e shëndetësisë duhet hetuar me lupë hetuesi. Ja disa prej arsyeve:
》Pse duhet realizuar ky tender në mes të gushtit, kur pjesa më e madhe e firmave janë me pushime?
》Nëse një tender i kryer në muajin gusht mund të justifikohet me një situatë urgjente, p.sh., blerje pajisje konsumi ose medikamente, përse duhen blerë urgjentisht aparate skaneri që do të instalohen në 2025-ën dhe 2026-ën?!
》Në kushte kur teknologjia ecën me shpejtësi dhe çmimet ulen po me shpejtësi, përse duhet tenderuar sot një pajisje skaneri që do të lëvrohet vetëm në 2026-ën?!
Këto pyetje janë sa për të hapur “lojën”, pasi në tenderë të tillë nuk janë të rrallë rastet kur “specifikimet qepen nga ustallarët” për të paracaktuar fituesin, fondet fryhen, etj. Edhe për probleme të tilla të mundshme, duhet hetuar nga ana e ekspertëve të fushës.
Me sa duket një vit nuk mjaftoi që shqiptarët të mësonin emrin e Borates së shëndetësisë, por ka qënë i mjaftueshëm që ajo dhe enturazhi i vet të mësojnë si kryhen “tenderët e gushtit”.
Uroj që, nëse këtij shteti i kanë mbetur ende mekanizma kontrolli, të hetohen këto procedura që kanë të bëjnë jo vetëm me paret e taksapaguesve, por në radhë të parë me shëndetin dhe jetën e shqiptarëve.