Anëtarët e një organizate rinore kombëtare turke u arrestuan në Turqi pasi autoritetet lokale thanë se sulmuan dy marinsat amerikanë.
Marinsat, të caktuar në Njësinë e 24-të të Ekspeditës Detare, ishin në Izmir kur sulmi ndodhi të hënën pasdite, tha në një deklaratë Flota e Gjashtë e SHBA.
Marinsat u sulmuan nga anëtarë të Unionit të Rinisë Turke, sipas autoriteteve lokale, një organizatë nacionaliste anti-amerikane që ka sulmuar më parë anëtarët e shërbimit amerikan.
Videoja e sulmit e konfirmuar nga një zyrtar amerikan tregon disa njerëz që mbajnë marinsat me forcë. Një prej tyre bërtet “Ndihmë!” disa herë, ndërsa turma i vendos një çantë mbi kokë një tjetër marinari. Më pas turma fillon të këndojë, “Shkoni në shtëpi!”
Marinsat ishin në gjendje të shkëputeshin nga turma me ndihmën e marinsave të tjerë në zonë, pa lëndime të rënda.
Guvernatori i Izmirit tha në një deklaratë se policia lokale ndërhyri në incident dhe se 15 të dyshuar u arrestuan.
Kjo nuk është hera e parë që ndodh, pasi për Unionin e Rinisë Turke, vendosja e çantave mbi kokat e anëtarëve të shërbimit amerikan është një ‘hakmarrje’ për një incident famëkeq në 2003 të njohur si “incidenti i kapuçit”.
Menjëherë pas pushtimit të Irakut, trupat amerikane kapën ushtarët turq dhe vendosën çanta mbi kokë, duke i mbajtur ata për 60 orë.
SHBA dhe Turqia janë aleatë të NATO-s, por marrëdhëniet mes të dyjave kanë qenë shpesh të tensionuara. Që nga fillimi i luftës në Gaza, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka kritikuar ashpër Izraelin, duke e akuzuar vendin për kryerjen e një gjenocidi.
Në prill, Erdogan priti udhëheqësin politik të Hamasit, Ismail Haniyeh në Stamboll. Turqia gjithashtu bllokoi anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke pretenduar se Suedia strehoi grupe terroriste kurde. Erdogan u zbut kur SHBA vazhdoi me planet për t’i shitur Turqisë avionë luftarakë modernë amerikanë.
Top Channel