Home Gjeo-Ekonomia Zgjedhjet parlamentare në Gjeorgji, SHKD me ekip vëzhguesish dhe monitorues

Zgjedhjet parlamentare në Gjeorgji, SHKD me ekip vëzhguesish dhe monitorues

Këtë të shtunë më 26 Tetor në Gjeorgji do të mbahen zgjedhjet parlametare. Shoqata për Kulturë Demokratike, do të vëzhgojë dhe monitorojë procesin zgjedhor, me një ekip prej 8 veta, si pjesë e misioneve ndërkombëtare të vëzhgimit të ENEMO. Pas përfaqësimit me vëzhgues afatgjatë dhe afatshurtër në zgjedhjet presidenciale në Moldavi më 20 Tetor, ekipi i vëzhguesve të Shoqatës për Kulturë Demokratike vazhdon misionin e tij edhe në Gjeorgji, me monitorues me përvojë të spikatur dhe eksperiencë në vëzhgimin vendas dhe në misionet e mëparshme disavjeçare ndërkombëtare.

Zgjedhjet e 26 Tetorit në Gjeorgji po mbahen në sfondin e luftës që vijon prej më shumë se dy vjetësh në Ukrainë, pas sulmit të Federatës ruse në këtë vend në shkurt të vitit 2022.

Në Gjeorgji këto zgjedhje shihen si thelbësore për orientimin gjeopolitik të ardhshëm të tyre. Një ndër organizatat Ndërkombëtare që do të vëzhgojë procesin zgjedhor më 26 Tetor në Gjeorgji është edhe Rrjeti Europian i Organizatave Vëzhguese të Zgjedhjeve (ENEMO), pjesë e së cilës është edhe Shoqata për Kulturë Demokratike(SHKD).

Votuesit gjeorgjianë janë thirrur të votojnë më 26 tetor për të zgjedhur parlamentin e ri, zgjedhje që shihen nga palët si një udhëkryq në historinë moderne të shtetit. Partia “Endrra Gjeorgjiane” është në pushtet nga viti 2012 dhe po kërkon një mandat tjetër 4-vjeçar. Këto votime i konsideron si zgjedhje mes paqes dhe luftës, mesazhi i fushatës së saj është mbizotëruar nga argumenti që nëse opozita merr pushtetin, atëherë ajo do të fus Gjeorgjinë në luftë me Rusinë. Për opozitën votimet paraqesin zgjedhje mes perëndimit apo Rusisë dhe demokracisë apo autoritarizmit.

Zgjedhjet do të mbahen në një sistem të ri zgjedhor, sipas të cilit partitë apo koalicionet duhet të kalojnë pragun prej 5 përqind që të hyjnë në parlament. Kjo ka motivuar shumë parti opozitare të Gjeorgjisë të bashkëpunojnë për të formuar koalicione, në mënyrë që të kalojnë pragun zgjedhor për të hyrë në parlament.

Share: