Nga Dr. Enriko Ceko
Për të 25-in vit radhazi (dhe për më shumë se 10 vite rresht në Revistën Elektronike PËRQASJE) po sjell për lexuesit artikullin e fundvitit për pritshmërinë e ekonomisë shqiptare për vitin e ardhshëm, pra tashmë për vitin 2025 dhe ndërsa i afrohemi fillimit të këtij viti, edhe vendi ynë, Shqipëria e vogël në territor, por me një popull me zemër të madhe, ndodhet në një pikë kyçe shumë të rëndësishme për të sotmen dhe për të ardhmen e saj.
Në tërësi mund të them se për vitin 2025 parashikimet për ekonominë janë me një pritshmëri drejt rritjes me hapa të vegjël por të qendrueshëm dhe kjo e dyta është shumë e rëndësishme në kohët e digjitalizimit, inteligjiencës artificiale, robotikës dhe zhvillimeve të tjera bashkëkohore.
Janë pikërisht këto zhvillime që kanë hyrë në jetën tonë të përditëshme dhe do qendrojnë shumë gjatë midis nesh, kur tashmë Revolucioni V industrial sapo ka filluar.
Kjo analizë e fund vitit për vitin që vjen thellohet në aspekte të ndryshme të ekonomisë së vendit, duke shfrytëzuar të dhëna nga buxheti i shtetit, Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), Banka e Shqipërisë dhe burime të tjera me reputacion të rëndësishëm.
- Vështrim aktual ekonomik
• Treguesit kryesorë: Në vitet e fundit, përfshirë edhe periudhën e pandemisë COVID-19, ekonomia e Shqipërisë ka treguar një nivel të pranueshëm elasticiteti, dhe është pikërisht ky elasticitet që bën të mendohet se për vitin 2024 rritja ekonomike do mbyllet me rreth 3.6 – 3.7%, edhe pse në vitin 2023, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) shkoi deri në 3.9%. duket se kjo rritje ekonomike ka ardhur kryesisht nga disa faktorë që janë (1) konsumi i brendshëm, (2) turizmi dhe (3) veprimtaria e sektorit të ndërimit. Ky duket se do jetë trendi edhe për vitin 2025.
• Kontributet sektoriale: Një rëndësi shumë të madhe në ekonominë e Shqipërisa ka filluar të luajë sektori i shërbimeve dhe brenda tij padyshim nënsektori i turizmit dhe mikpritjes. Së bashku me këtë nënsektor, kombinohen edhe nënsektorët e shitjes me shumicë dhe pakicë, nënsektori bankar dhe i sigurimeve, transporti, shërbimet e tjera financiare, etj, që formojnë sektorin e shërbimeve, i cili tashmë kontribuon në pothuajse 55-60% të ekonomisë shqiotare në tërësi dhe në 55-60% të rritjes ekonomike në tërësi. Ndërtimi dhe bujqësia pasojnë sektorin e shërbimeve dhe më pas renditen nga rëndësia dhe kontributi industria, e cila edhe pse me peshë më të vogël se më parë, përsëri mbetet një sektor i rëndësishëm, pa harruar veprimtarinë e prodhimit të energjisë, ku spikat prodhimi i energjisë elektrike. Sa më lart, duket se edhe viti 2025 nuk do jetë shumë i ndryshëm nga më parë.
• Pikat e forta dhe të dobëta: Pavarësisht se në pothuajse 2 dhjetëvjeçarët e fundit, pozicioni gjeografik e ka humbur rëndësinë e bërjes së biznesit në tërësi në arenën globale, për shkak të hyrjes në mënyrë të fuqishme të shërbimeve online dhe të kryerjes së B2B në formën e tregtisë elektronike, për disa zona të globit, përfshirë edhe Shqipërinë duket se këto zhvillime nuk kanë për të ndikuar shumë në përiudhën afatgjatë, sepse (1) vendndodhja strategjike e vendit dhe (2) burimet e mjaftueshme natyrore të Shqipërisë, nëse shfrytëzohen me inteligjiencë, mund të sjellin një forcim të dukshëm të sektorëve të turizmit dhe të prodhimit të energjisë, por që nën këndvështrimin e (1) sfidave të deficiteve infrastrukturore, (2) nevojës imediate për reforma në tregun e punës dhe (3) dobësitë ndaj ndikimeve të luhatjeve të jashtme ekonomike, ka ende punë për të bërë, specifikisht për vitin 2025.
- Tendencat ekonomike globale dhe ndikimi i tyre
• Zhvillimet gjeopolitike: Nisur nga prapambetja e madhe nën të cilën Shqipëria e filloi rrugën e ekonomisë së tregut, aspiratat e Shqipërisë për integrim në Bashkimin Evropian (BE) vazhdojnë të ndikojnë në politikat e saj ekonomike, sepse vendi synon një përafrim të shpejtë dhe të plotë me standardet e Bashkimit Evropian (BE) dhe kjo ka qenë dhe mbetet një kosto shumë e lartë për ekonominë shqiptare, përpara së cilës paralelisht ka ndikuar edhe dëshira për tërheqjen e investimeve të huaja, që duket se do jenë çështje për t’u përballur edhe për vitin 2025.
• Mjedisi financiar global: Në ekonominë shqiptare në vitet e fundit dhe në të ardhmen, specifikisht për vitin 2025, do ndikojnë edhe kushtet ekonomike globale. Ekonomia e vendeve të zhvilluara dhe e atyre në zhvillim, përfshirë edhe vendet BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut) dhe aleatët e tyre, ka qenë e ndikuar dhe e përshirë në luhatjet e shpeshta dhe jo të qendrueshme të (1) normave të interesit dhe (2) flukseve të investimeve, dhe këto dy aspekte të ekonomisë globake kanë shfaqur një ndikim edhe më të madh në ekonominë shqioptare, dhe shërbejnë edhe si një formë e dukshme e thellimit të integrimit të ekonomisë shqiptare në atë rajonale, evropiane dhe më gjerë. Kjo të bën të mendosh se kryesisht sektori financiar i vendit do mbetet për një kohë të gjatë i ndjeshëm ndaj goditjeve të jashtme, duke sjellë si domosdoshmëri politika të kujdesëshme fiskale dhe monetare, si dhe një harmonizim edhe më të mirë të këtyre dy politikave, që në themel kërkon bashkëpunim të plotë, mirëkuptim dhe besim reciprok midis Ministrisë së Financave (MF) dhe Bankës së Shqipërisë (BSH), si një domosdoshmëri për vitin 2025.
• Tendencat e Qëndrueshmërisë: Në vitet e fundit është vënë re një orientim global drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe arritjes së objektivave 2035 të Kombeve të Bashkuara (UN) dhe kjo paraqet një sfidë dhe një mundësi edhe për Shqipërinë për të investuar në energjinë e rinovueshme dhe në aplikimin e praktikave miqësore me mjedisin, duke (1) u përshtatur me standardet ndërkombëtare dhe (2) duke tërhequr investime të gjelbra, në të tërë sektorët e eknomisë së vendit. Duket se kjo do jetë edhe prirja për vitin 2025 për Shqipërinë.
- Politikat dhe Reformat e Qeverisë
• Politikat ekonomike: në lidhje me politikat ekonomike një rol të rëndësishëm luan Buxheti i Shtetit, i cili për herë të parë arriti në shifrat 8.2 miliardë euro për vitin 2025 dhe që sipas qeverisë fokusohet në rritjen e qëndrueshme ekonomike, krijimin e vendeve të punës dhe konsolidimin fiskal me një alokim për shëndetësinë (0.8 miliardë euro), infrastrukturën (0.74 miliardë euro) dhe arsimin (0.62 miliardë euro), por që në fakt pjesën më të madhe të këtyre burimeve e ka orientuar në segmentin Tiranë – Durrës, ku edhe pse është përqendruar pjesa më e madhe e popullsisë, është një territor pa burime natyrore. Pra, për vitin 2025 meqë sasia më e madhe e parave të buxhetit të shtetit është përqendruar në segmentin Tiranë – Durrës, pjesa tjetër e vendit do ketë mangësi dhe kërkesë në shtim për financime dhe investime.
• Iniciativat për reforma: Në përgjithësi, (1) përmirësimi i klimës së biznesit, (2) përmirësimi i punës së administratës publike dhe (3) forcimi i sundimit të ligjit, konsiderohen se janë tre pikat kryesore thelbësore të reformave në vazhdimësi për sigurimin dhe garantimin e integrimit në BE dhe zhvillimin ekonomik në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.
• Stimujt për rritje: Në sektorë apo nënsektorë të tillë si (1) energjia, (2) turizmi dhe (3) prodhimi, për të stimuluar (1) rritjen ekonomike dhe (2) krijimin e vendeve të punës, Qeveria shqiptare premton se ofron stimuj për të tërhequr investime të huaja direkte (IHD). Duket se këta stimujt do jenë të vlefshëm edhe për vitin 2025 të paktën në letër.
- Përparimet teknologjike
• Ekonomia Dixhitale: Për të nxitur (1) tregtinë elektronike, (2) fintech dhe (3) pagesat dixhitale, duke (1) nxitur inovacionin dhe (2) duke përmirësuar ofrimin e shërbimeve, Shqipëria dhe kryesisht Qeveria shqiptare po kryejnë investime të rëndësishme edhe në infrastrukturën digjitale. Duket se ekonomia shqiotare e ka të nevojshme këtë investim pasi “digital gap” mbetet një nga problemet më të mëdha në ekonominë globale, si një hapsirë e cila pengon ekonomitë e vendeve të varfëra dhe në zhvillim të integrohen me ekonomitë e mëdha dhe të zhvilluara të botës, shtuar këtu edhe investimet në aftësi, njohuri dhe kompetenca në këto fusha.
• Automatizimi dhe Ineligjienca Artificiale: Automatizimi dhe Inteligjienca Artificiale edhe pse janë në zhvillim të pandërprerë, përsëri shfaqin mundësi të mëdha dhe të pakrahasueshme për të rritur produktivitetin në sektorë të ndryshëm. Kjo shoqërohet me kërkesën në rritje për (1) investime në arsim dhe për (2) zhvillimin e aftësive, njohurive dhe kompetencave në tërësi dhe për këto teknologji në veçanti.
• Kërkimi dhe zhvillim: Në vitet e fundit është vënë re se vendet që kombinojnë (1) krijueshmërinë me (2) inovacionin dhe (3) standardet kanë treguar shkallë më të lartë suksesi në zhvillimin ekonomik dhe në përballimin e sfidave të katastrofave natyrore, pandemive, dhe ngjarjeve të tjera të kësaj natyre, kështu që shtimi i investimeve dhe fokusimi i tyre në kërkim dhe zhvillim paraqet një udhë të garantuar për krijueshmëri, inovacion dhe standard, por që kjo kërkon edhe një bashkëpunim të pandalshëm dhe të pandarë midis akademisë dhe industrive dhe këtu kryesisht çdo gjë mbetet në dorë të institucioneve të arsimit të lartë dhe drejtuesve të sektorëve të ekonomisë, që në përgjithësi janë drejtues në sektorin privat. Viti 2025 është viti që do tregojë nëse edhe Shqipëria do ecë në këtë rrugë, si edhe vendet e tjera të sukesëshme. Në të kundërt mbetja prapa është e garantuar.
- Analiza specifike për sektorin
• Bujqësia: Në përgjithësi një nga arsyet se përse ekonomia shqiptare asnjëherë nuk e ka prekur fundin, edhe pse sfidat përballë saj kanë qenë shumë të rënda, të vështira dhe të pakrahasueshme të paktën me vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë (ndryshimet e viteve 1990, firmat piramidale, katastrofat natyrore, COVID – 19, etj), është se bujqësia shqiptare e fermave të vogla, edhe pse nuk ka fuqi të furnizojë tregun me produkte vendase, të paktën ka mbajtur me ushqime më shumë se gjusmën e popullsisë që ende jeton në fshat. Kjo ka qenë dhe mbetet ende jetike për ekonominë shqiptare, edhe pse si model ekonomik nuk premton shumë për zhvillim dhe prosperitet. Është koha që me përmirësimin dhe vënbien në eficiencë të tregut të tokës, sektori i bujqësisë së synojë përmirësimin e efikasitetit dhe eficiencës, pra të produktivitetit dhe të shtojë potencialin për eksport që duhet të jenë në përputhje me standardet e BE-së dhe kjo arrihet me anë të modernizimit të sektorit.
• Industria: Sektori i industrisë në Shqipëri, duke vuajtur pasojat e shkatërrimeve të pas vitit 1990, edhe si rezultat i pasuksesëshmërisë së procesit të privatizimit, tashmë po synon fokusimin në diversifikimin e prodhimit dhe integrimin në zinxhirët globalë të furnizimit. Por rritje e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiotare në tërësi dhe e industrisë në veçanti kërkon investime në infrastrukturë nga ana e buxhetit të shtetit dhe investime në teknologji nga ana e sektorit privat. Kjo duket se mbetet sfidë edhe për vitin 2025 dhe në vazhdimësi.
• Shërbimet: Një nga faktorët e rëndësishëm të rritjes ekonomike vazhdon prej disa vitesh të mbetet turizmi, por duket se turizmi shqiptar vuan jo vetëm nga mungesa e diversifikimit, por edhe nga mungesa e infrastrukturës së përshtatshme, kombinuar kjo edhe me mentalitetin e gabuar më mirë një vezë sot se sa një pulë mot, mentalitet që pengon rritjen dhe dëmton konkurrueshmërinë e këtij sektori në përballjen me hvillimet e këtij sektori në rajon dhe më gjerë, duke patur këtu parasysh se konkurrentët më të mëdhenj të Shqipërisë në këtë sektor janë fqinjët e saj të afërt dhe të largët, si në Ballkan dhe në Mesdhe. Duket se edhe viti 2025 nuk do i shpëtojë kësaj qasjeje.
- Zhvillimi i Infrastrukturës
• Transporti: Edhe pse investime të rëndësishme janë planifikuar për rrugë, porte, aeroporte dhe hekurudha, si një dëshirë për të përmirësuar lidhjen e vendit me rajonin dhe më gjerë, si dhe për të mbështetur aktivitetet ekonomike, edhe shumë më shumë investime në këtë aspect janë të domosdoshme dhe të nevojshme. Edhe pse buxheti i vitit 2025 ka përcaktuar më shumë se 300 milionë euro për prokurime publike në këtë aspekt, përsëri kërkesa dhe nevoja për investime në projekte infrastrukturore do mbetet e lartë edhe për një kohë shumë më të gjatë.
• Energjia: Edhe për vitin 2025 dhe në vazhdim një nga prioritetet kryesore mbetet zhvillimi i burimeve të rinovueshme të energjisë, gjë që synon rritjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së prodhimit të energjisë. Projektet e mëdha hidrike, diellore dhe të erës duket se gradualisht do bëhen realitet i dukshëm dhe mbështetje për ekonominë e vendit, shtuar këtu se energjia do jetë monedha e së ardhmes.
• Urbanizimi: SMART City dhe planet e zhvillimit urban dhe suburban mbeten prioritet por përballë këtyre objektivave del problem i sigurimit të banesave që të jenë financiarisht të përballueshme nga ana e qytetarëve, kryesisht për përmirësimin e standardeve të jetesës dhe për të synuar edhe stabilizimin e rrjedhjes së numrit të popullsisë dhe shtimin e saj, një dukuri që e vuan sot mbarë qytetërimi modern.
- Prirjet sociale dhe demografike
• Dinamika e fuqisë punëtore: Sfida e fuqisë punëtore shikohet sot si një sfidë mbarëbotërore, të cilën e vuajnë më shumë vendet e varfra dhe në zhvillim, krahasuar me vendet e ekonomive emergjente dhe të zhvilluara, të cilat sapo kanë filluar të përballen me këtë dukuri. Këto sfida mund të përballen vetëm me anë të reformave arsimore dhe programeve të zhvillimit të aftësive, njohurive dhe kompetencave, dhe kjo duhet bërë në përputhje me nevojat e tregut të punës dhe duke synuar reduktimin e papunësisë.
• Pakësimi i Popullsisë dhe Urbanizimi: një nga prirjet e urbanizimit modern është shtimi dhe zgjerimi i investimeve në infrastrukturë dhe paralelisht me to edhe shtimi dhe zgjerimi I investimeve në shërbimet publike dhe kjo kryesisht për të siguruar dhe garantuar zhvillim të qëndrueshëm dhe cilësi të jetës në zonat urbane dhe suburban (qytezat). Është e dukshme se Shqipërisë do i duhen vite e vite për rivitalizimin e jetës urbane, suburbane e krahas këtyre edhe për rivitalizimin e jetës rurale dhe kjo lidhet shumë edhe me mentalitetin e drejtuesve të pushtetit qendror dhe vendor në vend, cilësia e të cilëve dukshëm ka ceduar prej vitesh në Shqipëri, gjë të cilën do e vuajmë edhe për vitin 2025 dhe në vazhdim. Modeli i drejtuesit në pushtetin qendror dhe vendor duket se ka ceduar drejt tipit të fortë dhe atij që edhe pse korruptohet dhe mund të bëjë çdo gjë me pushtetin që i kanë dhënë votuesit, përsëri nuk i hyn gjemb në këmbë. Mbetet ende shumë punë për SPAK të kontrollojë gjendjen dhe të rivendosë balancat e fuqisë midis pushtetit të zyrës dhe dëshirës për pushtet individual.
• Shëndetësia dhe Arsimi: Edhe pse buxheti i vitit 2025 alokon fonde më të mëdha për sektorin e shëndetsisë dhe arsimit, krahasuar me vitet e mëparshme, mbetet ende pikëpyetje nëse me këto para do të mund të arrihet përmirësimin e cilësisë dhe aksesit të shërbimeve në këta dy sektorë, që janë aspekte shumë thelbësore dhe të rëndësishme për zhvillimin e kapitalit human. Në këtë aspekt, zhvillimet kryesore mbeten pas vitit 2025, pasi për vitin 2025 alokimi i fondeve duhet se sa është dhe se ku do përdoret, por korigjime të mëdha duhet të ndodhin në vazhdimësi.
- Rreziqet dhe sfidat
• Rreziqet e brendshme: Për çdo vend, në cilëndo fazë të zhvillimit vendimtare janë (1) stabiliteti politik dhe (2) qeverisja efektive. Janë pikërisht këto dy karakteristika që mundësojnë ose jo (1) vazhdimësinë dhe zbatimin e reformave dhe (2) ruajtjen e besimit të qytetarëve në përgjithësi dhe të investitorëve në veçanti.
• Rreziqet globale: Shqipëria nga ana gjeografike ka qenë, është dhe do mbetet një vend në një udhëkryq të rëndësishëm global dhe për këtë shkak ajo mbetet shumë e ndjeshme ndaj (1) ngadalësimeve apo përshpejtimeve ekonomike globale, (2) ndikimeve të ndryshimeve klimatike dhe (3) goditjeve të jashtme financiare. Për këto tre arsye, Shqipoëria e ka të nevojshme që të krijojë, manaxhojë dhe mirëmbajë korniza të forta politikash për të zbutur rreziqet dhe për të përfituar nga mundësitë.
• Rreziqet financiare: Në lidhje me rreziqet financiare unë mendoj se nuk mbetem aspak teorik nëse përmend se për të siguruar (1) stabilitet ekonomik dhe (2) rritje të qëndrueshme ekonomike është e nevojshme që Shqipëria të synojë (1) vendosjen, ruajtjen dhe manaxhimin e disiplinës fiskale dhe (2) menaxhimin e borxhit publik e reduktimin e tij në vazhdimësi. Edhe për vitin 2025 këto dy aspekte mbeten shumë të rëndësishme.
- Mundësitë për rritje
• Potenciali për eksport: Një nga mënyrat për të nxitur ekonominë dhe rritjen e saj mbetet shtimi i eksporteve. Shtimi i eksporteve kërkon rritje të cilësisë së produkteve dhe shërbimeve si dhe përmirësim të aftësive të konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare në tërësi dhe të produkteve specifike gjithashtu. Në kuadër të integrimit në BE, eksporti i produkteve dhe shërbimeve shqiptare paraqet një sfidë të madhe, por edhe një mundësi. Sfidë pasi BE ka kërkesa dhe standarde shumë specifike dhe të larta për eksportet drejt territorit të saj dhe një mundësi pasi BE ka një kërkesë në rritje për produkte dhe shërbime në tërësi dhe për produkte dhe shërbime që mund dhe duhet të realizohen edhe nga subjektet publike dhe private prodhuese shqiotare, pa lënë mënjanë edhe tregje të tjera jashtë BE-së.
• Fushat e investimeve: E përmenda edhe më lart në kuadër të një çështjeje tjetër rëndësinë e investimeve, por edhe në aspektin e mundësive për rritje, sektorë të tillë si (1) energjia e rinovueshme, (2) turizmi dhe (3) teknologjia ofrojnë mundësi të konsiderueshme për investime, të mbështetur nga stimujt e qeverisë dhe planet strategjike. Nëse presim se çdo të ndodhë në vitin 2025, periudha një vjeçare është shumë e vogël për të vëzzhguar dhe nxjerrë përfundime, por mundësia për rritje duhet parë në tërësi dhe në vazhdimësi si një prioritet kombëtar.
• Partneritetet: Shqipëria duhet të kthehet në një vend aktiv në nxitjen dhe fuqizimin e bashkëpunimi rajonal dhe integrimi në tregjet ndërkombëtare jo vetëm me fjalë, por edhe me veprime konkrete, pasi është ky integrim rajonal dhe më gjerë që mund dhe duhet të shërbejë si një aspekt jetik për zhvillimin ekonomik dhe rritjen ekonomike afatgjatë. Thyerja e barrierave dhe mentalitetit se ne mund të bëjmë biznes vetëm me vendet tradicionale dhe nuk mund të bëjmë biznes me “armiqtë” e dikurshëm mbetet një sfidë e madhe në nivel kombëtar dhe rajonal, aq më shumë kur Shqipëria nga ana kufitare është e rrethuar me territore ku banojnë autoktonisht shqiptarë.
- Vizioni për vitin 2025
• Objektivat Kombëtare: Si vizion strategjik për Shqipërinë për vitin 2025 shfaqet padyshim (1) arritja e rritjes së qëndrueshme ekonomike, (2) ulja e papunësisë dhe (3) rritja dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor. Një objektiv strategjik padyshim që mbetet përmbushja e standardeve të integrimit në BE, gjë që përmbledh dhe përfshin reformat në (1) qeverisje, (2) pavarësinë e gjyqësorit dhe (3) përafrimin e tregjeve. Këto janë piketa edhe për më tej, pasi viti 2025 nuk mjafton për arritjen e tyre.
• Zgjidhjet inovative: Ëstë e dukshme se për të arritur realizimin e këtij vizioni dhe të objektivave strategjike, një rol shumë të rëndësishëm luan inovacioni dhe Shqipëria duket se po synon që të promovojë sipërmarrjen me anë të (1) inkubatorëve, (2) përmirësimit të aksesit në financim dhe (3) nxitjes së partneriteteve publiko-private në sektorë kyç si (1) energjetika, (2) teknologjia, (3) infrastruktura, etj.
• Perspektiva e së ardhmes: Përgjatë vitit 2025 dhe në vazhdim, Shqipëria aspiron të jetë një qendër rajonale për (1) turizmin e qëndrueshëm, (2) energjinë e rinovueshme dhe (3) inovacionin digjital. Shtimi i (1) investimeve të huaja direkte, (2) i partneriteteve strategjike rajonale dhe (3) zbatimi i reformat progresive pritet të ndikojnë në rritjen ekonomike, por arritja e këtij vizioni kërkon (1) zbutjen dhe shmangien e rreziqeve dhe (2) zbatim efektiv të reformave të planifikuara.
Si përfundim, për vitin 2025 ka një perspektivë optimiste për Shqipërinë që duket se tashmë është i gatshëm si vend për një transformim të rëndësishëm dhe të madh në të tëra fushat, aq më shumë që viti 2025 është edhe një vit elektoral.
Shqipëria padyshim që e ka potencialin e madh për të arritur dhe mbajtur në nivele të qendrueshme një rritje të fuqishme ekonomike dhe paralelisht me të edhe rritje të standardeve të jetesës dhe kjo mund dhe duhet të arrihet duke (1) shfrytëzuar përparësitë e saj strategjike, duke (2) përqafuar reformat dhe duke (3) u përafruar me prirjet globale.
Kjo padyshim që kërkon përpjekje të vazhdueshme (1) për të adresuar sfidat e vazhdueshme, (2) për të manaxhuar rreziqet dhe (3) për të përfituar nga mundësitë në zhvillim. Përballë Shqipërisë dhe shqiptarëve mund të hapen rrugë të gjera dhe të sigurta për një të ardhme të begatë dhe të qendrueshme me strategjitë e duhura, të cilat mund t’i ravijëzojë dhe realizojë vetëm një klasë politike dhe ekonomike e cila shikon përtej asaj që nuk duket, sepse të mos e shohësh atë që kërkon, nuk do të thotë se ajo nuk ekziston.
Literatura
1. Bank of Albania. (2024). Annual Economic Report 2023-2024. Retrieved from bankofalbania.org
2. International Monetary Fund. (2024). Albania 2024 Article IV Consultation – Staff Concluding Statement. Retrieved from imf.org
3. Institute of Statistics of Albania (INSTAT). (2024). Albania in Figures 2023. Retrieved from instat.gov.al
4. Altax Albania. (2024). Budget 2025: Distribution by Ministries and Priorities. Retrieved from altax.al
5. Ëorld Bank. (2023). Ëorld Bank in Albania: Overvieë. Retrieved from ëorldbank.org
6. CIA Ëorld Factbook. (2023). Albania. Retrieved from cia.gov
7. European Commission. (2023). EU Progress Report on Albania 2023. Retrieved from ec.europa.eu