Home KRYESORE FAMILJA SHQIPTARE! Nga Elvira Zeneli

FAMILJA SHQIPTARE! Nga Elvira Zeneli

Në diskurset shoqërore, kur flitet për familjen, edhe pse ka shumë përkufizime të ndryshme rreth saj dhe nuk do të mjaftonte që të thureshin të gjitha përkufizimet, vlen të përmendet se familja konsiderohet si celulë e shoqërisë dhe është e vjetër sa vetë njerëzimi.

Më 15 maj 1993 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli ditë të familjes.
Familja ka një rol domethënës në proceset e jetës dhe në proceset shoqërore. Ky rol ndërlidhet me shumë funksione të saj. Megjithatë, roli më shumë është në riprodhimin biologjik, në edukimin e fëmijeve, duke mos anashkaluar edhe rolet e tjera si në funksionin ekonomik, funksionin emocional, funksionin socializues etj.

Funksione të tjera të rëndësishme janë: kontrolli i seksualitetit, që ka për qëllim definimin dhe kontrollin se kush me kë po martohet, funksioni i riprodhimit, që përcakton llojet e marrëdhënieve, si dhe role të tjera të rëndësishme. Me fjalë të tjera roli i familjes është i lartë në shoqëri, kjo është parë edhe tek familja shqiptare, ku me shekuj të tërë kjo familje ka ruajtur kauzën e shqiptarizmës dhe ka kontribuar në ndërtimin e identitetit kombëtar. Një familje e shëndoshë është tepër e rëndësishme për shkak se me këtë kemi edhe një shoqëri të shëndoshë. Familja shqiptare cdo ditë po ndryshon dhe po evoluon.

Ndryshimet dhe zhvillimet sociale që sot po ndodhin anembanë botës padyshim se kanë prekur edhe strukturën e familjes shqiptare. Kjo shihet me ndryshimin e dy gjërave madhore të cilat tek shqiptarët njihen si të “shenjta”, që kanë të bëjnë me a) solidaritetin social dhe b) strukturën e familjes së qëndrueshme. Të dy këto elementë duket se janë zbehur, nuk kanë ndikimin e dikurshëm. Në të kaluarën familja shqiptare ka qenë patriarkale dhe e organizuar përmes të drejtës zakonore e cila e ka cunguar sidomos femrën. Mirëpo, pas viteve 90-të nuk mund të themi se është e njëjta familja, kjo ka ndryshuar nga familje e madhe në familje e vogël, por gjithashtu edhe ndryshime të tjera si në aspektin e socializimit, edhe në aspektin e planifikimit familjar. Pra, kemi një transformim të funksionit të familjes, të planifikimit familjar, të de-socializimit të familjes si dhe ndryshime të tjera, të cilat nëse vazhdohet të luhet me Kartën e familjes moderne, atëhere do të kemi shoqëri të mplakur dhe natalitet të ulët, si dhe probleme të tjera, që paraqesin sfida serioze për shoqërinë shqiptare.

Në këto transformime të familjes kanë ndikuar një sërë faktorësh si:
Faktorë negativë

– Emigrimet në relacionet fshat-qytet;
– Rënia e natalitetit dhe pasioni i verbër për karrierë;
– Shpërfaqja e divorceve;
-Dhuna e shfaqur në familje;
-Kriza e vlerave e cila ka prodhuar krizë të identitetit, etj
Faktorë pozitivë
– Emancipimi i femrës dhe fuqizimi i pozitës së saj në shoqëri;
– Barazia gjinore;
– Dhënia e një pjese të pasurisë femrës;
– Vetëdijësimi i shoqërisë për të drejta, sidomos të femrave, etj.

Me fjalë të tjera nëse sot kemi një shoqëri kryesisht të përbërë nga rinia e që konsiderohet si e ardhmja e shtetit dhe e kombit tonë, dhe në anën tjetër, nuk kemi një familje të shëndoshë, atëherë problemet do të jenë të mëdha.

Ky refleksion, i bazuar në hulumtimet dhe studimet e ndryshme dhe të dhënat relevante, edhe pse familjen shqiptare nuk e gjen në një pozitë të mirë, duhet të jetë një këmbanë vetëdijësimi për të gjithë ne, që me familjet tona të reflektojmë në frymën e raporteve konstruktive dhe raporteve të shëndosha, që do t’u kontribuojnë edhe gjeneratave të reja dhe që këto raporte familjare të jenë model suksesi edhe për popujt e tjerë.

Kjo bëhet përmes:

– Edukimit të mirëfilltë nga familja;
– Komunikimit brenda familjes për probleme të ndryshme;
– Shmangies së konflikteve brenda familjes;
– Planifikimit familjar;
– Arsimimit adekuat;
– Ndarja e roleve dhe përgjegjësive.

Si përfundim familja konsiderohet si e shenjtë dhe ka një rol të rëndësishëm në ndërtimin e shoqërisë.