Home KRYESORE FOTOGRAFITË E VJETRA

FOTOGRAFITË E VJETRA

Nga Kumrie Avdyl Shala

Seç më kthejnë në kohë albumet e fotografive të vjetra!
Janë momente që nuk shlyhen nga memoria,
Kur shikoj fotografitë, më kaplon nostalgjia,
Sa të gëzuar e të lumtur që ishim.

Fotografitë e vjetra seç më ngacmuan nervin,
Sa të dashur, të lumtur, të hareshëm që ishim.
Me një copë buke të thatë në dorë, hanim e buzëqeshnim…
Pantolonat e qepura me harrna-harrna të ndryshme,
Xhaketat e përvjelura deri në bërryl.
Të veshur kishim çorape leshi dhe opinga të punuara me pe mendafshi.

Seç më vjen të qaj,
Sa të varfër që ishim!
Por, në sytë tanë nuk mungonte shkëlqimi…
Në fytyrat tona mbretëronte hareja, jo urrejtja ndaj njeri-tjetrit.

Sepse, leku-dollari, nuk të bën të pasur, sa buzëqeshja,
Rrobat nuk të bëjnë të bukur, sa gëzimi që kishim në brendësi të shpirtit.
Pasuria më e madhe në jetë është lumturia dhe shëndeti.
E, në atë botë, edhe pse të varfër ishim, lumturinë, dashurinë, humanizmin, dhe dhembshurinë për njeri-tjetrin e kishim.

E tani, çdo gjë e bukur na rrethon me bollëk,
Por mungon lumturia, dhembshuria, dashuria në shoqërinë tonë.