Home KRYESORE Nga “Shëtitjet e së dielës”… Nga Arben Iljazi

Nga “Shëtitjet e së dielës”… Nga Arben Iljazi

SA I LARGËT…

Sa i largët është tani imazhi i lumenjve
Ku dita, dhëmbëdalë, valëvit vetëveten
Dhe josh mërzinë e dritës me pamje dëshirimi
Si në një piknik peshkatarësh
Ku peshkohet dyshimi.

Muzika e zogjve të ikur
Tej
Të padukshmes
Në stinët pa jehona ku ti je harruar
Ngarkuar me pikëllim
Të mushkëllyer mjegulle
Në këmbë ngre pemën e rrëzuar
Të ftoit në lulëzim
Në pëshpërimë gjethesh shndërruar.

Shenjtorët janë mbledhur
Në zgavrën time të gjoksit
Fyejve u bien dhe malaksin
Me mallkim të përsosur
Çka u rëndon thellë në shpirt

Përqafuar së bashku
Hutueshëm
Me të fshehtat tona –
Pemë buzë lumit
Që s’e takuam kurrë
Kur hijen na hidhte përsipër…

ËNDËRRA IKU…

Ëndërra iku, më la

E di që po e gjeta
Më duhet t’i lë të gjitha:
Magjinë e ekzistencës
Hiçin si jehonë përtej dallgëve
Stuhinë zemërgjerë që vuan dehjen
E çasteve të frymës.

Lulet që rrudhin heshtjen
Në oborrin e pikluar të ditëve të tua
Pa mua
Gjakun e drurëve
që nuk di ku të rrjedhë
dhe mbyt ujëvarat
e muzikës së dhimbjeve mbi lëkurë.

Kujt t’ia kërkoj shëmbëlltyrën tënde
Që qiellin përkëdhel
Si statujë e mëkuar ajri
Në frymëmarrjen bosh
Shkapërdarë
Mbështjellë në qafën time
Që farfurin si zjarr…

Dashuria më shkund trupin si
Egërsirë bojëhiri.
Digjet në flakën e zhveshur
Brenda e jashtë mallit
Si ketër lozonjar në këtë muzg
Të dalldisur prilli.

Jam bir i denjë i së panjohurës sime
Që pyes: A ka formë shpirti?

TË KËRKOJ…

Asnjëherë nuk të kam pritur
Prapa hijesh që si njoh
Në një përmallim të pikur
Të kërkoj por nuk të shoh

Thanë se të panë në udhë
S’lashë cak për ty pa shkelur
Muzgjet fshihen nëpër drurë
Ti më humbe nëpër mjegull.

Jeta s’mund të jetë një tjetër
Me profile gjysmë ngrënë
Ngas pas teje ç’don më tepër?
Ti shëtit në tjetër hënë…

Shënim: Me kërkesën e shumë miqve, faqja ime letrare do të vijë para jush çdo të dielë.