Home KRYESORE Ndikimi i paqëndrueshmërisë politike në shëndetin psikik të popullsisë – një vështrim...

Ndikimi i paqëndrueshmërisë politike në shëndetin psikik të popullsisë – një vështrim ndërdisiplinor

Prof. Dr. Dr. Halil Krasniqi

Ekspert i shëndetësisë dhe politikan lokal në Partin e pamvarur politike, Freie Wählervereinigung (Gjermani)
Në shoqëritë post-konfliktuale si ajo në vendlindjen tonë, politika nuk është më vetëm një proces administrativ apo ideologjik, ajo është bërë një faktor përcaktues për mirëqenien psikologjike, emocionale dhe madje edhe fizike të qytetarëve. Paqëndrueshmëria politike e vazhdueshme, përplasjet institucionale, mungesa e strategjive afatgjata dhe retorika përjashtuese, janë shndërruar në burime të qëndrueshme të stresit kronik në shoqëri.
Dimensioni politik i stresit
Qytetari i zakonshëm në Kosovë është i ekspozuar përditë ndaj tensioneve politike, mungesës së transparencës dhe dështimeve në ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe përfaqësues. Kjo e dobëson ndjeshëm ndjenjën e sigurisë dhe të përkatësisë në një shoqëri funksionale. Psikologjia politike ka dëshmuar se një klimë e tillë krijon tek qytetari ndjenjën e humbjes së kontrollit dhe të pafuqisë, dy elementë kyç që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin e çrregullimeve mendore (shih Huddy et al., 2015; Marcus et al., 2000).
Këndvështrimi mjekësor dhe neurobiologjik
Nga pikëpamja e mjekësisë, stresi kronik aktivizon në mënyrë të vazhdueshme aksin hipotálamo-hipofizë-glandula adrenale (HPA), duke shkaktuar hipersekrecion të kortizolit – hormon që, kur është i ngritur për periudha të gjata kohore, çon në zhvillimin e hipertensionit, diabetit të tipit 2, pagjumësisë, depresionit dhe dobësimit të sistemit imunitar (shih McEwen, 2004; Sapolsky, 2005). Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), stresi është një nga faktorët kryesorë të sëmundshmërisë në shekullin XXI – veçanërisht në rajone me pasiguri politike dhe ekonomike.
Pasojat shoqërore
Pasojat e një klime politike të sëmurë janë gjithashtu sociale. Kur populli ndjen përjashtim nga proceset vendimmarrëse, ai jo vetëm që humbet besimin në institucionet shtetërore, por edhe në të ardhmen e vendit të vet. Kjo mund të çojë në fragmentim social, rritje të radikalizmit dhe emigrim të shtuar, sidomos te të rinjtë dhe profesionistët.
Përfundim dhe thirrje për veprim
Stabiliteti politik dhe shëndeti psikik janë të lidhura ngushtësisht. Politika që nuk merr në konsideratë dimensionin njerëzor dhe pasojat psikologjike të vendimeve të saj është një politikë e verbër dhe potencialisht shkatërruese. Udhëheqësit politikë në Kosovë duhet ta kuptojnë se shëndeti i qytetarit nuk varet vetëm nga sistemi shëndetësor, por edhe nga cilësia e vendimmarrjes politike dhe stabiliteti institucional.
Si ekspert shëndetësor dhe përfaqësues politik lokal në Gjermani, në kuadër të Freie Wählervereinigung, theksoj se ndërtimi i një ambienti të shëndetshëm nuk nis vetëm nga spitali apo qendra shëndetësore, por nga Parlamenti, nga komunikimi publik dhe nga struktura transparente e shtetit. Vetëm përmes një politike të përgjegjshme, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse mund të ndërtohet një shoqëri e shëndoshë, me qytetarë të qetë, aktivë dhe me shpresë për të ardhmen.