Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për “Klimën e Investimeve për 2019-ën” publikuar këtë të enjte është një shuplakë e fortë për qeverinë shqiptare. Qeveria amerikane e sheh me shqetësim situatën ekonomike në vend duke ngritur si shqetësime kryesore korrupsionin, mungesën e transparencës në tendera, zbatimin e dobët të kontratave si dhe peripecitë që heqin investitorët e huaj në Shqipëri të cilët e thonë troç se “Shqipëria është një vend i vështirë për të bërë biznes”.
“Investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme të vazhdueshme në Shqipëri. Zbatimi i reformës në gjyqësor është duke u vijuar, duke përfshirë edhe verifikimin e pasurive të pashpjegueshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Teksa gjyqtarë dhe prokurorë të shumtë janë shkarkuar nga një komision verifikimi për pasuri të pashpjegueshme ose lidhje të krimit të organizuar, investitorët e huaj e perceptojnë si një problem klimën e investimeve dhe thonë se Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes” – citon lapsi.al në raportin e DASH.
Një tjetër kritikë e fortë e Departamentit Amerikan të Shtetit për qeverinë shqiptare është mënyra si ajo i lexon ligjet.
“Investitorët raportojnë shqetësimet e vazhdueshme si autoritetet përdorin ligjin dhe rregulloret e vështira për t’u interpretuar dhe jo konsistente, si mjete për të mënjanuar investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë e lidhura me politikën.
Rregulloret dhe ligjet që rregullojnë veprimtarinë e biznesit ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime kuptimplota me komunitetin e biznesit. Pronarët e bizneseve dhe shoqatat e biznesit shpesh theksojnë se nuk kanë marrë njoftim, kohë ose mundësi të mjaftueshme për angazhim në ndryshimet rregullatore dhe legjislative” – thuhet në raportin e DASH që më pas citon se investitorët e huaj janë edhe nën presionin e politikës.
“Investitorët e mëdhenj të huaj raportojnë presion për të punësuar nënkontraktorë të lidhur me politika specifike dhe shprehin shqetësimin rreth përputhshmërisë me Aktin e Praktikave të Korruptimeve të Huaja gjatë operimit në Shqipëri” – citon lapsi.al raportin e DASH.
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit u jep një tjetër goditje prokurimeve të bëra nga qeveria që i quan korruptive ndërsa PPP-të sipas saj kanë hequr konkurrencën.
“Raportet e korrupsionit në prokurimet e qeverisë janë të zakonshme. Përdorimi në rritje i kontratave të Partneritetit Publik Privat (PPP) ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë duke përfshirë edhe investitorët e huaj. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme. Qeveria kishte nënshkruar më shumë se 200 kontrata PPP deri në fund të vitit 2018” – shkruan DASH, citon lapsi.al.
“Të drejtat e pronës mbeten një sfidë tjetër në Shqipëri, pasi titujt e qartë është të pronësisë janë të vështirë për t’u marrë. Ka pasur raste të individëve që manipulojnë sistemin gjyqësor për të marrë tituj të paligjshëm të tokës. Kompensimi për tokën e konfiskuar nga regjimi i mëparshëm komunist është i vështirë të arrihet dhe joadekuat. Agjencia e ngarkuar me heqjen e ndërtesave të ndërtuara në mënyrë të paligjshme shpesh vepron pa konsultime të plota dhe nuk ndjek procedurat” – shkruan DASH që vijon me të tjera kritika të forta për zvarritjet në krijimin e Zonave të Lira Ekonomike.
“Qeveria miratoi legjislacionin që krijon fusha të zhvillimit ekonomik teknik (TEDA), si zona të tregtisë së lirë. Zhvillimi i TEDA-s së parë, në Spitalle, Durrës, iu dha një konsorciumi të kompanive lokale në gusht 2017, por vetëm pasi tenderi dështoi tre herë. Zhvillimi i TEDA ende nuk ka filluar, pasi një nga ofertuesit ka kundërshtuar vendimin në gjykatë” – shkruan DASH që në fund citon raportin e Transparency International i Perceptimit të Korrupsionit 2018 që renditi Shqipërinë në vendin e 99-të në 180 vende me një rënie prej 8 vende nga viti 2017.
“Rrjedhimisht, Shqipëria tani perceptohet si vendi më i korruptuar në Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë që është përmirësuar nga dy vende, deri në 63, në sondazhin e Bankës Botërore “Doing Business” të vitit 2019, Shqipëria vazhdoi të shënojë dobët në fushat e zbatimit të kontratave, regjistrimit të pronës, dhënies së lejeve të ndërtimit dhe sigurimit të energjisë elektrike” – citon lapsi.al raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit. ©LAPSI.al