Home KRYESORE Kulti i individit në vendet ish komuniste!

Kulti i individit në vendet ish komuniste!

Nga Ani Ruci, DW

Një kërkim shkencor i Prof. Daniel Ursprung arrin në përfundimin se media dhe shoqëria civile në ish vendet komuniste nuk duhet të lejojnë një lider të vetëm të bëhet shumë i fuqishëm dhe të ushtrojë të gjitha pushtetet.

Daniel Ursprung ka zgjedhur argumenta origjinale për këtë konkluzion të njohur. Ai ka studiuar se si shfaqet kulti i individit përmes fotove tek tre ish diktatorë komuniste: Stalinit, Nikolai Çausheskut dhe Enver Hoxhës. E përbashkëta e tyre: legjitimi i pushtetit përmes krijimit të një imazhi të idealizuar për veten e tyre. 

Duke paraqitur rezultatet e këtij studime ai thotë për programin shqip të DW: “Që të tre i jepnin shumë rëndësi shfaqjes së personalitetit të tyre: në çdo institucion zyrtar, në gazeta, TV etj duke synuar të idealozonin imazhin e popullit për ata.”

Por në këtë synim të përbashkët studiuesi Daniel Ursprung ka gjetur edhe ndryshimin mes kultit teë individit tek Stalini, Çaushesku dhe Hoxha: “Në rastin e Enver Hoxhës ai ishte i interesuar të paraqitej si një lloj babai i kombit, të kishte shumë kontakte me njerëzit e thjeshtë në të gjithë Shqipërinë, të takonte fshatarë, punëtorë të fabrikave, gjë që duket qartë në fotot që kam studiuar. Ndërsa në rastin e dikatatorit komunist rumun, Nikolae Çaushesku në foto është vetëm ai, udhëheqësi dhe i pashoqëruar nga rumunët e thjeshtë. Diktotori komunist Hoxha e mori së pari modelin e ndërtimit të kultit të individit ngsa Stalini. Por me kalimin e kohës kulti i tij mori një lloj tradite kombëtare duke u lidhur me çështje të realitetit shqiptar, figurave kombëtare si Skëndërbeu apo luftëtarë si Çercis Topulli.” thotë Z. Ursprung. 

Enthüllung der Enver Hoxha Statue in Tirana, Albanien
Die Enthüllung der Enver Hoxha Statue in Tirana, Albanien Copyright: Werner Daum

Legjitimim i pushtetit në mungesë të zgjedhjeve të lira

Studimi fotografive të Stalinit, Çausheskut dhe Hoxhës e ka çuar Daniel Ursprung në konkluzione që i vlejnë së sotmes dhe fateve të demokracisë në vendet ish komuniste të Europës Jug- Lindore. “Komunistët erdhën në pushtet duke shkatërruar shoqërinë e vjetër dhe u përpjekur për të legjitimuar pushtetin e tyre në kushtet e mungesës së zgjedhjeve të lira. Prandaj u duhej kulti i individit, një formë karizmatike e lidershipit, ku lideri paraqitej pothuajse si një lloj shenjtori. Kjo duket qartë në rastin e Shqipërisë kur në çdo shtëpi në kohën e diktaturës komuniste kishte një fotografi të diktatorit Hoxha gjë që nuk ishte në Rumani psh.”

Mësimet nga e kaluara i shërbejnë të sotmes

Pasojat nga kulti i individit dhe përqëndrim i të gjitha pushteteve tek një njeri shërbejnë si mësime nga historia. Nuk mund të ndërtosh të ardhmen pa njohur të shkuarën përsërit Daniel Ursprung. “Mësimet nga e kaluara? Kurrë nuk duhet lënë një lider që të bëhet shumë i fuqishëm. Duhet ushtruar parimi i demokracisë “check and balance” – kontroll dhe ekuilibër. Nuk ka një person apo një institucion të vetëm që të ketë të gjitha pushtetet. Përkundrazi, në demokracui pushtetet nuk i ushtron një njeri i vetëm dhre as një institucion i vetëm. Është shumë i rëndësishëm roli i shoqërisë civile dhe i medias për të vëzhguar se çfarë po bën qeveria, për të kritikuar në kuptimin pozitiv të fjalës kultin e individit. Pikërisht ky ështe mësimi i madh që jep e kaluara,” thotë Z. Ursprung. 

Albanien Postkarte Enver Hoxha Mausoleum in Tirana
Mauzoleumi i Enver Hoxhës, Piramida në Tiranë

Në Shqipëri -shumë pak studime për diktaturën komuniste

Ky mësim përftohet dhe transmetohet në shoqëritë e sotme postkomuniste përmes kërkimeve shkencore për periudhën e diktaturës komuniste. Për fat të keq në Shqipëri të tilla studime janë të pakta. “Është shumë e rëndësishme të bëhen më shumë kërkime për periudhëm e komunizmit. Kam mbetur vërtet shumë i habitur që në Shqipëri ka shumë pak studime për periudhën e Hoxhës ndërkohë që në Rusi janë shkruar qindra mijra libra për Stalinin, po kështu edhe në Rumani për Çausheskun, kurse për Enver dhe periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri ka shumë pak. Dhe kjo është disi e çuditshme sepse Hoxha ishte në pushtet 40 vjet ndryshe nga Çaushesku që ishte vetëm 25 vjet,” thotë Daniel Ursprung. 

Por ai beson se kjo është çështje kohe. Shembulli i studimit të periudhës se nazizmit ne Gjermani është një argument në favor të optimizmit të tij: ”Nëse shikojmë se çfarë ndodhi në Gjermani në 1945…u deshën rreth 20 vjet që të fillonin vërtet studime historike shkencore për periudhën e nazizmit. Më parë kishte shumë pak dhe jo kërkime të mirëfillta shkencore për atë periudhë. Edhe sot e kësaj ditëe në Gjermani zbulohen çështje të reja mbi periudhën e nazizmit, që kanë qenë krejt të panjohura. Mendoj se pas periudhash të gjata diktature njerëzve u duhet kohë që të distancohen prej tyre dhe vetëm pas kësaj studiues të rinj tregojnë interes për të zbuluar një periudhë ku ata nuk jetuan por që e kanë dëgjuar nga prindërit dhe gjyshërit e tyre. Jam optimist që në te ardhmen do të ketë më shuëm studime për periudhën e diktaturës komunsite në Shqipëri,” përfundon ai. 

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama

Share: