Home KRYESORE E Shën Valentini?

E Shën Valentini?

Nga Lis Bukuroca

Sa herë t’i afrohemi Shën Valentinit, shfaqet ndonjë filozof i vetëshpallur dhe thotë: »Dashuria nuk festohet një herë në vit, por çdo ditë. Nuk është burri mirë ai që shfaqet me një dhuratë me 14 shkurt, por ai që sjell 365 ditë lumturi. Dashuri vetëm një ditë, e jo edhe 364 tjera, ky është Shën Valentini! Festoni çdo ditë, jo një herë në vit!«

Njeriu habitet se si ai Sokrat, njeh aq mirë jetën e tjerëve dhe habitesh se si, ky Sokratec, arrin të falë pa Shën Valentinin, 365 ditë dashuri?!

Sapo të lexohet ai mendim, njeriu nisë me hulumtimin e atij filozofi dhe atij mendimi:

A duhet njeriu edhe të punojë? Po! A ka mundësi njeriu të dhurojë 365 dhurata në vit dhe a ka grua, që mund të pranojë ato dhurata, pa iu banalizuar jeta nga detyrimi? A mund të blihen dhe a mund të dhurohen 365 dhurata në vit? E pastaj, ai dhurues, a kërkon dëmshpërblim? Po, ai e bën! Dashuria nuk kërkon mirëpo, dashuria dhuron vetëm!!! Kjo dashuri duhet festuar me 14 shkurt.

Në rregull! Shën Valentini është festë për ata që adhurojnë dashurinë, jo për ata që e ndalojnë atë. Dashuria meriton të festohet një herë në vit, kur festojnë të gjithë të dashuruarit. Siç festojnë Ditën e Flamuri, të gjithë ata që duan atdheun dhe flamurin!

Mos u habitni me Sokratecin e sotshëm, më tetë mars do të shfaqet Heraklituci tjetër dhe do të ju qortojë pse dhuroni lule një herë në vit, e jo 365 siç bën ai. Nëse ua bën këtë vërejtje, atëherë thoni atij, se keni blerë grave të familjes një park dhe kështu, ato këpusin lulet që u pëlqejnë!

Nuk di pse, por sa herë lexoj ata njerëz që kërkojnë dashuri e dhurata 365 ditë në vit, mendoj se ata shtypin gratë e veta. Këta nuk janë në gjendje as një herë në vit të falin dashuri, por tek të tjerët, kërkojnë 365 herë!

Njeriu nuk jeton në një ekstazë konstante, por ka edhe shumë detyra tjera në jetë. Dashuri është edhe të dëgjohet duke folur tjetri. Dashuri është edhe të shëtisin së bashku. Dashuri është edhe të pastrohet shtëpia së bashku. Dashuri është edhe t’i fshihni lotët njëri tjetrit. Dashuri është edhe një telefonatë, nëse ka një vonesë apo pengesë. Dashuri është edhe të falënderohet bashkëshortja. Dashuri është edhe t’i falet një buzëqeshje.

Dita e dashurisë mund të festohet vetëm në mes të njerëzve të barabartë dhe nuk duhet askush ta festojë, që nuk i beson barazisë gjinore. Në raste të tilla duhet shtruar patjetër pyetjen: Çfarë feston ai? Si mund të kremtojë dashurinë, kur shtyp të dashurën?! Pra 14 shkurti është ditë e të dashuruarve, jo ditë e skllavopronarëve! Skllavi dhe pronari nuk mund të festojnë në të njëjtën ditë.

Sepse burri do të festonte dominimin, gruaja nënshtrimin. Dominimi dhe nënshtrimi nuk mund të kremtohen në një ditë të njëjtë. Jo në një rend demokratik, jo në vitin 2016, ku kushtetuta garanton barazi gjinore.

Share: