Home KRYESORE Vendoset data kur do të thirret Meta të dëshmojë në Komisionin e...

Vendoset data kur do të thirret Meta të dëshmojë në Komisionin e posaçëm

Presidenti Ilir Meta do të thirret nga Komisioni i posaçëm parlamentar që po heton vendimet e tij më datë 6 shtator që ai të shprehet për versionin e tij për dekretet e zgjedhjeve.

Sipas rregullores së Kuvendit, Presidenti është i detyruar të paraqitet në seancë kur thirret nga Kuvendi, e nëse nuk pranon atëherë mund të thirret edhe me forcë.

Anëtarët e komisionit kërkuan këshillimin me Komisionin e Venecias për hetimi ndaj shkeljeve të pretenduara të Metës. Ekspertët e Venecias do të jenë në Tiranë nga data 9 deri në 11 shtator. Gjatë kësaj periudhe ata do të zhvillojnë takime me Presidentin, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kolegjit Zgjedhor, anëtaren e vetme të Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, dhe anëtarët e komisionit hetimor për shkarkimin e Metës.

Në datën 8 tetor është afati për tu paraqitur në Kuvend raporti me gjetjet e komisionit për shkeljet e Presidentit dhe do të votohet për shkarkimin ose jo të tij. Brenda pesë ditësh nga votimi, Gjykata Kushtetuese duhet të shprehet për vendimin përfundimtar por ajo është ende jashtë funksionit.

Megjithatë anëtarët e opozitës mund të kërkojnë shtyrjen e punimeve të komisionit deri në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.

Meqenëse Meta është planifikuar të thirret në Komisionin e posaçëm përpara takimit me ekspertët e Venecias, mbetet për tu parë nëse ai do t’i përgjigjet thirrjes apo do të presë. /Opinion.al

Share: