Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei është shprehur se do të vazhdojë të jetë kundër çfarëdo negociate me Shtetet e Bashkuara. Këtë deklaratë ai e ka bërë në 40-vjetorin e rrethimit të ambasadës së SHBA-së në Teheran.
“Një mënyrë për të bllokuar ndërhyrjen politike të Amerikës është ndalimi i bisedimeve me Amerikën. Do të thotë që Irani nuk do të dorëzohet para presionit të tyre. Ata që i shohin negociatat me SHBA-në si zgjidhje për çdo çështje, janë gabim. Asgjë nuk mund të nxjerret nga negociatat me ta sepse definitivisht ata nuk bëjnë lëshime”,-u shpreh ai.
Marrëdhëniet midis Teheranit dhe Uashingtonit u tensionuan kur presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, duke rikthyer sanksionet perëndimore ndaj Iranit. Washington kishte rivendosur sanksionet ekonomike me qëllim të ndaljes së eksportit të naftës së Iranit.
Më 4 nëntor 1979, studentët iranianë kishin hyrë në ambasadën amerikane në Teheran duke kërkuar dorëzimin e shahut të mbështetur nga SHBA-ja. Kriza kishte përfunduar pas 444 ditëve me lirimin e 52 amerikanëve që u morrën peng. Dy vendet shkëputën marrëdhëniet diplomatike më 1980.