Home KRYESORE KUR E PANDERSHMJA NGRIHET MBI TË NDERSHMEN

KUR E PANDERSHMJA NGRIHET MBI TË NDERSHMEN

Vij mes jush me romanin e ri

Nga Zija Cela

Në qytetin e Burgasit të burgosurit po protestojnë, madje bëjnë grevë urie, sepse ky institut penitenciar është kthyer në hambar, duke u mbushur kapicë jashtë çdo standardi e kapaciteti. Në ndihmë të tyre mbushin shëtitoren me protesta edhe qytetarët. Për t’ua përlloçur sedrën e sëmurë dhe krenarinë e rreme, kryeminstri mendon një reng.

Prandaj dërgon atje Ministrin e Brendshëm që të zbatojë porosinë e tij. Dhe minstri u drejtohet banorëve me këtë sfidë: “A pranoni ju që çdo qytetar, sipas mundësive, të marrë në shtëpinë e tij dy, tre a më shumë të burgosur? A pranoni ju që ata ta kryejnë në shtëpitë tuaja kohën e mbetur të dënimit?”

Dhe kur pritej një pergjigje krejt e kundërt, salla gjëmon: “Pranojmë, pranojmë! Është e pafalshme të mbyllësh sytë ndaj padrejtësive.” Kryeministri tashmë nuk mund ta hajë fjalën, sepse ndryshe e humb masivisht besimin si burrë shteti.

E kështu, me t’u përshtatur nëpër banesa mjediset e qelive, nis transferimi i Të Pandershmëve siç quheshin, tek Të Ndershmit siç mbaheshin.

Merret me mend se çfarë katrahure ndodh më tej me këtë bashkëjetesë. Por dale, kjo është fare pak, sepse ka ende shumë e shumë të tjera, të pritura e të papritura. Prandaj, për më tutje, ju ftoj të lexoni romanin.

Nëse dikush pyet se në ç’kohë zhvillohen ngjarjet? Do t’i përgjigjesh gjithashtu me pyetje: Sa është data sot? Po ora? Ngjarjet e romanit fillojnë në këtë ditë e në këtë orë, për të arritur te koha e pakohë dhe tek e vërteta universale e artit.

Janë disa tema bashkëkohore që ndërthuren, ekzistencialja e përditëshmërisë, pushteti i kapur, kërkimi i dashurisë dhe humbja e iluzioneve, çvlerësimi i nderit dhe korrupsioni virusal, gazetaria hetuese dhe pengimi, shkelja e të drejtave dhe dhunimi i detyrës, deri te organizma të tilla si Byroja e Hetimit apo burgu privat me PPP.

Por të gjitha vijnë në rrëfimin realist krejt të besueshëm, në atë mënyrë që, duke lexuar dhe duke i përjetuar ngjarjet, lexuesi ta ndjejë veten personazh. Ju pres në Panairin e Librit, në stendën e “Toenës”.

Share: