Paralajmërimit të presidentit Meta për shpërndarjen e parlamentit, deputetët socialistë i janë përgjigjur se nuk mund të ndodhë.
Pas përfundimit të seancës së posaçme të Kuvendit, deputetët e mazhorancës komentuan mbi veprimet e presidentit.
Ministri për Diasporën, Pandeli Majko theskoi se Shqipëria ka të nevojshëm stabilitetin në këtë moment dhe vendosjen e dialogut mes palëve.
“Ka disa nene të Kushtetutës që duhen vlerësuar. Nuk besoj që sherri politik në Shqipëri duhet të precipitojë në këto histori. Shqipëria ka të nevojshme në këtë situatë stabilitetin politik dhe vendosjen e dialogut mes palëve”, u shpreh ai.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja tha se shpërndarja e Kuvendit nuk ka shans të ndodhë.
“Kushtetuta flet qartë çfarë kompetencash ka Presidenti, çfarë ka Kuvendi, ju lutem mos u merrni me absurditete të tilla. Është populli ai që vendos për sovranin. Nuk ka asnjë shans”, tha Manja.
Zëvendëskryeministri Erion Braçe deklaroi se akti i Presidentit është antikushtetues.
“Noteria në asnjë rast në botë nuk është parukeri. Kushtetutën nuk e zëvendëson dot kurrkush. Pikërisht Kushtetuta ka thënë që i katërti nuk bëhet dot i dyti. Për sa kohë që ka ndodhur një akt antikushtetues, qëndrojmë tek ai akt…”, tha Braçe.
Kuvendi miratoi sot një rezolutë që e quan antikushtetues veprimin e Metës për të dekretuar Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. /Opinion.al