Home KRYESORE Bushati përshëndet vendimin e Ramës për të kryesuar vetë OSBE-në

Bushati përshëndet vendimin e Ramës për të kryesuar vetë OSBE-në

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka deklaruar se kryesimi i OSBE nga vetë kryeministri Rama është një garanci më shumë për efektivitetin e këtij procesi.

Gjatë mbledhjes së Komisionit për Politikën e Jashtme, Bushati komentoi vendimin e kryeministrit për të kryesuar vetë OSBE vitin e ardhshëm duke mos ja lënë këtë detyrë zëvendësministrit Gent Cakaj.

“Është mjaft inkurajues fakti që siç ka deklaruar publikisht Kryeministri, ai do të jetë dhe kryetari i radhës i OSBE-së sepse është një garanci për efektivitet më të madh për ti përfshirë të gjithë institucionet në këtë proces. Kujtoj që Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, SHISH, Parlamenti nuk diskutohet, por dhe sektori civil duhet ta ndjejnë veten pjesë të këtij procesi dhe shpresoj shumë që duke filluar nga viti tjetër klima politike në Shqipëri të jetë më e paqtë dhe më bashkëpunuese  për ta konceptuar këtë proces si një koncept mbarëkombëtar”, tha Bushati.

Bushati bëri dhe një apel për Ministrinë e Jashtme duke i kërkuar që të jenë më të kujdesshëm me burimet njerëzore.

Ai i bëri apel Ministrisë së Jashtme që të tregohet më e kujdesshme me burimet e saj njerëzore qoftë në vendin tonë, ashtu edhe në shërbimin diplomatik. “Siç e kam diskutuar dhe në mbledhje të tjera, mendoj që pjesa e burimeve njerëzore është përgjegjësi ekskluzive e qeverisë. Ky komision mund të bjerë ose jo dakord për politika të caktuara që mund të ndjekë qeveria por nuk ka tagër për tu marrë me çështjet e burimeve njerëzore dhe ne mund të diskutojmë në princip për këtë gjë”, deklaroi ai.

Vitin e ardhshëm, Shqipëria do të marrë presidencën e OSBE-së, ndërkohë kryeministri Rama ka deklaruar se për shkak të rëndësisë, do ta kryejë personalisht këtë detyrë. / Opinion.al

Share: