Home KRYESORE Ekstremizmi i Ilir Metës, një tjetër dhuratë për Edi Ramën

Ekstremizmi i Ilir Metës, një tjetër dhuratë për Edi Ramën

Nga Carlo Bollino

Në kulmin e protestës që opozita e bashkuar organizoi në pranverën e kaluar, kryeministri Edi Rama gëzoi një mbështetje ndërkombëtare pa precedente në historinë e vendit. Molotovët e lëshuar kundër selisë së qeverisë, protestat dhe dhuna në shesh, të përziera me retorikën luftarake të përdorur nga Berisha, Basha dhe Monika, ishin të mjaftueshme për të ngritur në mbrojtje të Ramës një mur diplomatik që rezultoi i pakapërcyeshëm dhe në fund, fitues.

Duke ndjekur një linjë që nuk kishte dallime nga Brukseli në Uashington, nga Berlini në Londër, duke kaluar nga Roma e Parisi, një zë i përbashkët dënoi pa hezitime veprimet e opozitës dhe mbështeti haptazi pozicionin e qeverisë, që u mbrojt deri edhe nga e djathta europiane. Një betejë, të cilën Edi Rama e fitoi me lehtësi, ndoshta edhe përtej meritave të veta. Përballë kërcënimit të një revolte të dhunshme në dyert e Bashkimit Europian dhe nën rrezikun e legjitimimit të një politike shantazhesh, kancelaritë perëndimore zgjdhën rrugën e institucionave dhe vlerësuan ndershmërinë që kryeministri tregoi ndaj çështjeve kyçe të dashura për ta, më kryesorja, reforma e drejtësisë.

Në emër të respektit të institucioneve komuniteti ndërkombëtar çertifikoi edhe votimet e diskutueshme të 30 qershorit, sepse mes kujt bojkoton zgjedhjet duke përdorur ultimatum dhe kujt i mbron pa kushte,të huajt nuk patën asnjë dyshim.

Lulzim Basha e kuptoi mësimin dhe i dha fund vendosjes së kushteve, duke pranuar edhe të ulet në tavolinën e reformës zgjedhore bashke më Partisë Socialiste. Protestat u shuan dhe dialogu, edhe pse ende i shoqëruar nga një retorikë agresive, duket se më në fund ka nisur. Për Edi Ramën dukej se erdhi momenti që të niste ai të lëshonte diçka, kur në ndihmë të tij erdhi papandehur, Ilir Meta.

Kundërshtimi i emërimit të një anëtari të Gjykatës Kushtetuese (një anëtar nga nëntë) mjaftoi për të çuar presidentin në delir dhe histerizëm. I terrorizuar nga pamundësia e kontrollit të sistemit të ri gjyqësor, Ilir Meta është hedhur në një betejë të dëshpëruar kundër reformës së drejtësisë që për Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian vlen më shumë se çdo princip tjetër. Meta, i cili nuk hezitoi të përcaktojë marrjen e armëve si një gjest “më pak i rëndë se të tjerë”, sulmoi frontalisht të gjithë trupin diplomatik në Tiranë, pa asnjë përjashtim. Duke u tradhëtuar nga një ndjenjë paniku që duket i ka mohuar edhe më të voglin sens logjike, presidenti është tashmë jashtë kontrollit: ofendime personale, kërcënime, deklarime ambasadorësh “non grata”, kallëzime në prokurori e deri shantazhe me video që deri tani askush nuk i ka parë. Të flasësh për përdorim video-skandalesh në rastin e Metës, është në të vërtetë si të flasësh për litarin në shtëpinë e të varurit, por presidenti tashmë injoron edhe efektin boomerang të veprimeve të tij dhe sensin qesharak të tyre.

Pasi ka braktisur përfundimisht pozicionin e kreut të shtetit, i cili, me barazlargësinë nga konfliktet, duhet të dijë të bashkojë vendin, Ilir Meta zgjodhi të veshë publikisht petkat e kreut të partisë, të cilat, në të vërtetë, nuk ka ditur të heqë kurrë dorë.

Me krahun e shtrirë si në një përshendetje të turpshme fashiste (urojmë të ishte padashje), mbrëmë lëshoi një apel për mobilizim popullor për të mbledhur firmat e 50.000 qytetarëve që t’i japin atij pushtetin për të bërë një referendum kundër nuk dihet se çfarë.

Rezultati i këtij veprimi ekstremiste dhe të pakontrolluar, është se siç ndodhi tamam me protestat e opozitës, komuniteti ndërkombëtar u bashkua fort sërish rreth Edi Ramës. Mesa duket, i puthur nga Fati, kryeministri as edhe këtë herë nuk duhet të bëjë shumë mundime: I mjafton të konfirmojë ndershmërinë e tij ndaj reformës së drejtësisë dhe impenjimin kundër kriminalitetit, duke lënë në këtë mënyrë që armatat ndërkombëtare të bëjnë pjesën tjetër të punës: Pra të bombardojnë fortesën brenda së cilës është mbyllur Ilir Meta. Çka nuk dihet ende, është të kuptojmë se çfarë do të bëjë Lulzim Basha: nëse do të zgjedhë për të disatën herë vetëvrasjen politike duke i shkuar në ndihmë presidentit, apo, nëse në mënyrë strategjike do të vendosë të qëndrojë larg. Dhe në këtë mënyrë do të gjendet përsëri para një dileme si me 30 qershor: të humbë se shkoi në sulm, apo të qëndrojë mënjanë duke u mposhtur nga padukshmëria.

Share: