Nga Arben LLALLA
Ndoqa reagimin tuaj rreth fjalimit të kryetarit të partisë PDIU, z. Shpëtim Idrizit për problemet shqiptaro–greke. Më habiti qëndrimi juaj fëminor, prej një te padituri, me kapacitete të kufizuara njohurish që nuk mund të reagoni, apo ti dërgoni Greqisë për veprimet antishqiptare, Notë Proteste. E kam thënë disa herë që ministria juaj përfaqësohet në përgjithësi nga diplomatë rruge, që janë punësuar pa plotësuar kriteret minimale diplomatike.
Ju keni patur disa herë përplasje me kryetaren e Komisionit të Jashtëm, znj.Arta Dade e cila ua ka përplasur në fytyrë skandalet për punësimet nëpër përfaqësitë tona diplomatike në Greqi duke ju thënë: “Ju keni shkelur kuotat që duhet të vijnë jashtë diplomacisë, por edhe kriteret në emërime. Merrni emigrante dhe i vini konsulle të përgjithshme. Më vjen keq tani. Një emigrante që di vetëm të kapërcejë pengesat e të vrapojë, dhe e keni bërë konsulle të përgjithshme. Këtë nuk e kam bërë unë, e keni bërë ju”.
Në trupin tuaj diplomatik në Janinë keni të punësuar disa punonjës që kanë shtetësi dhe kombësi greke, atëherë lind pyetja: Si mundet që një njeri me shtetësi dhe kombësi greke do të mbroj interesat kombëtare të shqiptarëve? Në Konsullatën e Përgjithshme të Selanikut keni punësuar diplomat me shtetësi dhe kombësi greke, diplomat që kanë shitur deri pak kohe fruta-perime në tregun e Verias. Kanë patur kontakte me punonjës së policisë dhe sigurimit grek. Si mundet që diplomatët e shtetit shqiptar në Selanik do mbrojnë interesat kombëtare kur këta kanë shtetësi dhe kombësi greke, jetojnë prej 25 vitesh si emigrantë në Greqi dhe mund të jenë në shërbim të sigurimit grek? Edhe pse këto fakte z.ministër i jashtëm Ditmir Bushati i dini Ju, e përsëri heshtni, nuk reagoni.
Mos ndoshta jeni kapur edhe Ju mat në ndonjë garazhd, ashtu si një ish-ministër? E mjera Shqipëri që ka ministra të tillë që për dy gisht vend shesin nderin e familjes dhe kombit të tyre. Tani Ditmir Bushati po ua them drejtpërdrejtë në sy, pa frik, pa as më të voglin interes timin personal. Hapi sytë dhe lexo, shiko fotot e më tej vendos nëse do reagosh me Notë Proteste apo do futësh kokën si struci nën rërë.
Më 18 shkurt, eurodeputeti grek, gjenerali Gjeorgjio Epitidheos në Kuvendin e BE mbajti një fjalim ku hodhi akuza të rënda ndaj Shqipërisë. Ai deklaroi se Shqipëria si vend islamik rrezikon sigurinë e Bullgarisë, Serbisë, Maqedonisë dhe Greqisë. Shqiptarët burgosin grekofonët në Shqipëri vetëm e vetëm se ata mësojnë greqisht. Ku sipas eurodeputetit të partisë naziste të Agimit të Art, Gjeorgjios Epitidheos në Shqipëri jetojnë 300.000 grek.
Nga data 19-21 Shkurt në SHBA, Shoqata greko-himariotase në bashkëpunim me kishën ortodokse greke organizuan Simpozium shkencorë me temë: Minoriteti grek në Himarë, Pronat dhe të Drejtat e Njeriut. Në këtë Simpozium të organizuar nga kisha ortodokse greke Shën Konstandini në Annapolis të SHBA morën pjesë nga Himara, Fredi-Dionis Beleri, Konstandina Beleri, Andoni Neco, etj. Ku folën për minoriteti grek në Himarë, aneksimin e jugut të Shqipërisë, kishat dhe pronat. Për fatin e keq në këtë aktivitet folën disa persona në emër të Shqipërisë dhe shqiptarëve duke deklaruar se në Himarë ka grek, policia dhe shteti shqiptar shtypin minoritetin duke ju prishur kishat dhe shkollat greke. aAta ngritën akuza të rënda sikur shqiptarët por grabisin pronat e ortodoksëve grek në Himarë, Dhërmi, Sarandë, Delvinë, etj.
Si është e mundur ministër i jashtëm Ditmir Bushati që një organizatë dhe kisha e një shteti tjetër, në këtë rast kisha e greke organizojnë Seminar dhe Simpozium rreth Himarës, pronave dhe pretendimet territoriale që kanë ata për vendin tuaj? Si është e mundur që grekët flasin në emër të shqiptarëve në këtë aktivitet dhe ju nuk keni dijeni si ministri i jashtëm?
Në përfundim zoti Ditmir Bushati, Ju për mendimin tim jeni i pa aftë për të kryer misionin e ministrit të jashtëm, të reagoni për të mbrojtur dinjitetin e vendit tim, dinjitetin e shqiptarëve, prandaj do të ishte mirë të jepni dorëheqje. Turpi për pamundësinë tuaj për të dërguar një Notë Proteste ndaj veprimeve arbritare të Greqisë bie mbi ju. Historia mban shënime dhe na vendos në vendin që meritojnë në bazë të kontributeve të kemi dhënë gjatë jetës sonë.