Home KRYESORE Kufizohen veprimet kadastrale mbi resortin ‘Folie Marine’

Kufizohen veprimet kadastrale mbi resortin ‘Folie Marine’

Taulant Canameti, i cili ishte komanduar përkohësisht drejtues i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Vlorë, është zëvendësuar të martën nga Bilbil Aliaj, pasi siç mësohet nga BIRN regjistroi një vendim të Gjykatës së Lartë që pezullonte veprimet mi resortin Folie Marine.

Canameti pati marrë detyrën si i komanduar në tetor 2019, pas përplasjeve të vazhdueshme të zyrës vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës me zyrën qendrore për regjistrimin e vendimi të  23 prillit të Gjykatës së Lartë.

Vendimi, i cili që pezullonte një vendim të Gjykatës së Apelit mbi dhjetëra hektarë përfshi sipërfaqen në  të cilën ngrihet një pjesë e resortit luksoz ‘ Folie Marine’ dhe ku qeveria ka miratuar statusin e investitorit strategjik për kompaninë ‘Soleil & Sea’, kundërshtohej nga Kristo Gjoka, i cili kishte fituar pronësinë në Gjykatën e Apelit. Pronësia e Gjokës kontestohet nga Avokatura e Shtetit dhe po ashtu biznesmeni Alban Xhillari, i cili është pas projekteve për resortin turistik. Palët siç gjeti BIRN në një shkrim të mëparshëm kanë bërë një sërë padish dhe kanë ngritur akuza penale ndaj njëra tjetrës.

Përplasja- sipas dokumenteve që BIRN ka siguruar- është fokusuar kryesisht mbi pronësinë e 1.6 hektarëve truall, mbi të cilat është ndërtuar klubi i natës ‘Folie Marine’ dhe dy godina pjesë të së njëjtit kompleks turistik. Mbi të njëjtën pronë, kompanisë ‘Soleil & Sea’ i është dhënë nga qeveria statusi i ‘investitorit strategjik’ dhe po ndërton aty një fshat turistik të njohur si ‘Soleil Village’.

Vlera e këtij investimi, sipas Komitetit të Investimeve Strategjike që drejtohet nga kryeministri Edi Rama është 67 milionë euro. Qeveria merr përsipër edhe mbështetjen e investitorit në problemet e pronësisë ndaj palëve të treta, por konflikti për këtë pronë duket se doli jashtë kontrollit.

BIRN mësoi të martën, se para se të largohej Canameti ka regjistruar kufizimet mbi këtë pronë, bazuar mbi vendimin e 23 prillit të Gjykatës së Lartë.

Geron Gumbardhi, avokati i familjes Gjoka, e cila e kundërshton regjistrimin e vendimit të Gjykatës së Lartë dhe pati paditur Canametin për një tentativë për ta kryer këtë regjistrim gjatë kohës që ishte zëvendës drejtor, konfirmoi se kufizimet mbi pronën ishin miratuar.

Koha e regjistrimit nuk është e qartë, por vendimi nuk ishte regjistruar deri në dhjetor të vitit që shkoi. Canameti nuk qe i arritshëm për një koment.

BIRN gjeti në një shkrim të mëparshëm se mosregjistrimi i vendimit të Gjykatës së Lartë ishte i lidhur me shkarkimin dhe dorëheqjen e 4 drejtuesve të ASHK-së Vlorë të cilët patën refuzuar të bënin regjistrimin. Që prej 8 shtatorit 2019 deri në 6 tetor dhanë dorëheqjen apo u larguan Drejtori Florian Alimadhi, ish-drejtori dhe më pas nëndrejtori Klodian Troci, juristi Alteo Nazëraj dhe drejtoresha Elona Hodaj (Kurti).

Canameti, i cili u emërua fillimisht si zëvendësdrejtor i Hodajt, u përpoq ta regjistronte vendimin duke përdorur kompetencat që i ishin deleguar më 30 shtator 2019, por ky regjistrim u shfuqizua nga  Hodaj vetëm 24 orë pasi ai ishte firmosur. Hodaj urdhëroi anulimin e urdhërit dhe fshirjen e shënimeve të bëra në regjistrin hipotekor. Pak ditë pasi firmosi këtë anulim, më 6 tetor 2019, Hodaj dha dorëheqjen, ndërsa Canameti mori postin e saj.

Palët në konflikt ndërkohë i kanë bërë njëra tjetrës një sërë kallëzimesh. Kristo Gjoka, i cili fitoi të drejtat mbi pronën me vendim e shkurtit 2019 të Gjykatës së Apelit Vlorë, akuzon në një kallëzim penal biznesmenin Alban Xhillari dhe të afërm apo të njohur të këtij të fundit se po përdorin ndikimin e tyre në qeveri për t’ua rrëmbyer pronën me dokumente të falsifikuara, nën pretekstin e investimit strategjik.

Biznesmeni Xhillari është kundërpërgjigjur po ashtu me kallëzim penal ndaj Gjokës dhe personave të lidhur me të, që i cilëson “pjesë e një grupi të strukturuar kriminal“. Kallëzimi që Xhillari ia vuri në dispozicion BIRN është firmosur në emër të kompanisë Kempixh – një shoqëri të cilën ai e ka zotëruar dikur dhe që ka në pronësi disa prej godinave në resortin turistik. / BIRN

Share: