Home KRYESORE Tërmeti/Buxheti plotëson 36% të kërkesës për qiratë e familjeve të prekura

Tërmeti/Buxheti plotëson 36% të kërkesës për qiratë e familjeve të prekura

Për vitin 2020, kërkesat e ardhura nga bashkitë për subvencionim e qirasë për rreth 11,600 familje, arrijnë në vlerën e 2.6 miliardë lekë,ose rreth 21 milionë euro. Ministria e Financave për vitin 2020 ka parashikuar që për qiratë e familjeve të prekura nga tërmeti të alokohet një fond në vlerën e 1 miliardë lekëve, duke plotësuar 38 për qind të kërkesave, sipas burimeve zyrtare.

Për të adresuar nevojat emergjente të bashkive të prekura është kryer alokim të fondeve prej 10 deri në 20 për qind të kërkesave për çdo bashki. Pra, me vlerë 284.5 milionë lekë. Ministria e Financave për pjesën e mbetur të fondeve është në pritje të konfirmimit të tyre për mënyrën e shpërndarjes, pasi fondet e buxhetit janë të pamjaftueshme.

Nga fondi prej 284,5 milionë për vitin 2020 pjesa më e madhe është shpërndarë për bashkinë e Durrësit në vlerën e 70 milionë lekë, fondi i Tiranës është në vlerën e 63,5 milionë lekëve, Vora në vlerën e 22 milionë lekëve, për bashkinë e Kamzës fondi është në vlerën e 4.2 milionë lekë, Kurbin 25 milionë lekë, Shijak 50 milionë lekë, Krujë 36 milionë lekë, Lezhë 2.8 milionë lekë, Kavajë 9.4 milionë lekë dhe Rrogozhinë 1.4 milionë lekë.

Bonusi në dhjetor

Rreth 2,777 familje të prekura nga tërmeti përfituan 46,3 milionë lekë bonus qiraje për muajin dhjetor të vitit 2019. Ministria e Financave alokoi një shifër më të lartë fondesh për këto familje, por fondi nuk u shpërnda i gjithë për shkak të mungesës së të dhënave, sipas burimeve zyrtare.

Konkretisht me kërkesën e ardhur nga pushteti vendor për subvencionim qiraje, gjatë muajit dhjetor nga Ministria e Financave u alokua fondi prej 90,128,000 lekë.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave për muajin dhjetor u shpërndarë 46.4 milionw lekë për 2,277 familje. Por ky fond nuk është shpërndarë në masën 100 për qind. Arsyeja e mos shpërndarjes së plotë të fondit sipas bashkive, është që akt konstatimi nga Instituti i Ndërtimit nuk është kryer në kohë për të gjitha familjet, si rezultat i numrit të lartë të banesave të prekura.

Konkretisht për muajin dhjetor, fondi i alokuar për qytetin e Durrësit ishte me vlerë 50 milionë lekë, për qytetin e Vorës 18,5 milionë lekë, për Kamzën 1,728 mijë lekë, për Kurbinin 10 milionë lekë, për Krujën 6 milionë lekë dhe për Kavajën 3,9 milionë lekë.

Nga tërmeti i 26 nëntorit u prekën rreth 200 mijë persona, ndërsa humbën jetën 51 persona, u plagosën 916 dhe u zhvendosën rreth 17 mijë qytetarë në çadra dhe strukturat akomoduese.

Në total fatura e dëmeve llogaritet në vlerën e 985 milionë eurove, ku vlera më e lartë e dëmeve ishte në qytetin e Durrësit me vlerë 310 milionë euro dhe Tiranën 303 milionë euro. Në total u dëmtuan 115 pallate, ndërsa 242 pallate të tjera do t’i nënshtohen procesit të riparimit.

Fatura e dëmeve do të prezantohet nga qeveria në konferencën ndërkombëtare të donatorëve që do të zhvillohet në Bruksel më 17 shkurt e organizuar nga Komisioni Europian./ Burimi: Monitor

Share: