Home KRYESORE Barazi apo drejtësi gjinore ne raportet femër mashkull?

Barazi apo drejtësi gjinore ne raportet femër mashkull?

NGA ARTUR NURA

Tashmë është bërë realitet nevojshmëria e kontributit të femrës në jetën publike dhe veçanërisht në atë politike. Partitë shqiptare janë të detyruara të kenë 30% femra të listave të tyre për deputetët e ardhshëm dhe kjo gjë duhet komplimentuar. Të gjitha aktivistet femra po deklarojnë me entuziazëm se tashmë bo bëhet shumë në drejtim të barazisë gjinore kur ndërkohë vetëm për barazi reale nuk flitet dhe me të drejtë!

Po, roli i femrave në jetën politike do të jetë 30% me 70% në favor të meshkujve dhe kjo me konceptet e barazisë nuk ka fare të bëjë. Nuk them se duhet bërë 50-50, por mendoj se kjo që po bëhet është padyshim e drejtë dhe emancipim i shoqërisë.

Ky hap i fundit ka të bëjë me një zhvillim pozitiv drejt një drejtësie gjinore, e cila kërkon të krijojë ekuilibra të nevojshëm socialë dhe politikë të një shoqërie maskiliste si kjo e jona.

Ky koncept i ri do të na bënte të gjithëve të kuptonim që shoqëria duhet të favorizojë më shumë gjininë femërore, e cila për nga vetë natyra është më e dobët, e tërhequr dhe padyshim e kufizuar, por pjesë e bukur dhe e veçantë e jetës shoqërore dhe njerëzore.

Nëse ndërtojmë një filozofi mbi koncepte të gabuara padyshim që nuk do të kemi rezultatet, për të cilat shoqëria jonë ka nevojë. Për më tepër, vetë pjesa femërore e shoqërisë, e cila nuk ka pak probleme brenda llojit, do të ishte ajo që do të paguante këtë handikap konceptual…

Femrat

Një kolege një ditë po më thoshte se nuk besonte se ne ishim të ndryshëm për nga pikëpamja intelektuale dhe se një opinion i tillë nga ana ime i dukej i padrejtë. Mu desh t’i them se jemi vetëm të ndryshëm. Më vonë të shtoja se nuk mendoja se ne meshkujt jemi më të zgjuar, por jemi të ndryshëm. Se kështu na ka bërë natyra, apo Zoti sipas bindjes se gjithësecilit, ndaj duhet të respektojmë të ndryshmen midis nesh si të vërtetë.

Njëra nga prezantueset femra të njërit nga spektaklet e rinj televizivë më në modë së fundi po thoshte në publik se meshkujt janë më të favorizuar në një garë të votuar – sipas saj – sepse një pjesë e femrave votojnë edhe për ta, vetë meshkujt votojnë vetëm për veten e tyre dhe midis femrave ka padyshim probleme brenda llojit!

Njëra nga deputetet e pakta femra të Parlamentit aktual shqiptar po më thoshte një ditë se një “filan” drejtuese femër nuk e bënte si duhet punën e saj dhe padyshim që ishte shfaqur më shumë se burrë në shumë momente të caktuara! Por që edhe ajo tjetra X e grupit Y ishte…

Besoj se shumë të tjerë si unë kanë vënë re probleme të ndryshme brenda llojit tek pjesa femërore e shoqërisë sonë dhe kjo është krejt e pranueshme dhe natyrale. Ndodhin edhe tek meshkujt padyshim dhe personalisht besoj se kjo ka të bëjë me mungesën e përsosmërisë të natyrës njerëzore.

Një fenomen i ngjashëm ndodh me grupe të caktuara të së njëjtës kombësi, kur jetojnë në shtete të tjera. Ndodh me pakica italiane kur organizojnë takime në institucionet evropiane. Ndodh me evropianë kur marrin pjesë në takime të organizuara në Amerikë, apo Azi dhe kështu me radhë.

Besoj apriori se këtë që po them jo të gjithë mund të ma mirëkuptojnë, por padyshim që të gjithë ata që kanë shëtitur Evropën dhe të kenë qenë pjesë takimesh ndërkombëtare. Në të tilla raste për fat të keq e ndryshmja brenda llojit të njëjtë konceptohet si nevojë konkurrencë.

Kështu shfaqen dobësitë dhe gjithsecili kërkon të jetë në vend të parë të vëmendjes tek miqtë ndryshe nga lloji i tij. Kjo gjë është krejt njerëzore dhe duhet vetëm kuptuar për ta eliminuar me racionalitet.

Të kuptosh të ndryshmen

Të kuptosh dhe respektosh të ndryshmen është vetëm racionalitet dhe emancipim socio-politik dhe do të thotë të respektosh rregullat bazë të natyrës, e cila padyshim që është e përsosur sa në jetën natyrore-biologjike, ashtu edhe shoqërore-familjare.

Të mos kuptosh këtë ndryshim midis llojeve është si të jesh dakord me martesat brenda së njëjtës gjini! Personalisht nuk kam asgjë kundër tyre dhe e respektoj zgjedhjen e gjithsecilit, por më rezulton që pjesa dërmuese e aktorëve që kërkojnë barazi gjinore janë kundër tyre!

Kjo tregon se ata nuk dinë ç’ka bëjnë ndaj duhen falur, por duke kërkuar të kthjellohen dhe të mos kërkojnë më barazi gjinore, por drejtësi gjinorem,e cila pa cenuar steriotipin e tyre natyror të promovojë ligje dhe politika për favorizimin e tyre në instrumentet socio-politike të shtetit.

Të kërkosh me këtë mënyrë barazi gjinore do të thotë të duash t’i kesh femrat njësoj si burrat: me tre turne, në arrë, në Parlament, vetëm me pantallona, pa makiazh, të mbulojnë bukuritë që u ka dhënë natyra apo Zoti vetëm atyre, e të tjera gjëra si këto të cilat janë bukuria e tyre dhe e të qenit të ndryshëm!

Vetë fiziku dhe karakteri ynë është i ndryshëm dhe askush nuk mund të na barazojë, apo kërkojë ta bëjë një gjë të tillë. Filozofitë që kërkonin t’i bënin të gjithë njerëzit të barabartë dështuan me turp dhe dhimbje.

PS: Foto është marre nga një emision televiziv i autorit për rolin e zonjave ne zgjedhjet lokale.

Share: