Nga Capajev Gjokutaj
Konferenca e donatorëve ishte një sukses që rrallë shënohet në anët tona. 1.15 miliardë € grante dhe kredi janë gati 3 fish më shumë se ajo që parashikonte qeveria.
Ngazëllimi ështe legjitim, por festimet do te ishin të parakohëshme, madje edhe të dëmshme. Procesi është në hapat e parë. Do të duhen shumë më tepër përpjekje, maturi e vizion që këto premtime të kthehen në projekte e realizime konkrete.
Ashtu siç do të duhen më shumë transparencë e pergjegjshmëri, që ndihmat të përfundojnë tek të demtuarit dhe jo në çatajtë e ujqërve të korrupsionit, të cilët në situata të tilla gjallërohen e bëhen hipergrabitqarë.
Mes ngazëllimit për premtimet e donatorëve, mes preokupimeve për menaxhimin e mëtejshëm të procesit rrezikojmë të harrojmë një gjë tjetër, po kaq të rëndësishme, në mos edhe më.
Fjala është për kodoshllëqet e ndërtuesve dhe të nëpunësve që patën ndërtuar e kontrolluar shkel e shko dhe u bënë faktori kryesor i fatkeqësive dhe demeve që solli tërmeti. Duart e tyre lyer me gjakun e hallexhinjve nuk ka ‘sapun’ që i lan.
Ka shenja se ky kapitull, pas zhurmës së parë po lihet në harresë. Mes preokupimeve të punës dhe zallamahisë së festës së parakohëshme, rritet rreziku që të mos ndëshkohen fajtorët kryesorë dhe, mbi të gjitha, të mos nxirren mësime, të mos bëhen rregullimet e nevojshme dhe të vazhdohet kështu me avazin e moçëm ‘siç ka qenë do të jetë’.
( Nga cikli ‘Selanik e tatëpjetë’ )