Home KRYESORE A do ti bashkohen Metës më 2 mars? Vjen reagimi i parë...

A do ti bashkohen Metës më 2 mars? Vjen reagimi i parë i Partisë Demokratike

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i ftuar në studion e “Dita jonë” në A2, deklaroi se Partia Demokratike e mbështet “besëlidhjen” që ka thirrur Presidenti Ilir Meta me qytetarët në datën 2 mars, por theksoi se kjo parti nuk ka ende një qëndrim për të.

“Presidenti është i vetmi institucion i pakapur fatkeqësisht. Presidenti ka detyrë që të ruajë Kushtetutën. Ne mbështesim qëndrimet e kujtdo institucioni që i shërben interesave të qytetarëve, por nuk kemi një qëndrim. Do të jetë një vendimmarrje e PD-së dhe opozitës. Është një takim me qytetarët i Presidentit të Republikës”, u shpreh Salianji.

Kur u pyet mbi planin e Partisë Demokratike në javët dhe muajt në vijim, Salianji tha: “Opozita, në vitet e kësaj qeverie, ka organizuar tubime dhe protesta si asnjë opozitë më parë. Protesta nuk është qëllim në vetvete, por mjet politik për të mbrojtur interesin publik. Qëndrimi ynë radikal solli qëndrim të caktuar ndërkombëtar dhe solli një tryezë që pritet të çojë në zgjedhje të parakohshme. Nëse logjikës politike dhe dakordësive nuk i shkohet deri në fund, do të marrim vendimet e duhura me qytetarët”.

“Kemi bërë denoncime dhe kallëzime penale, kemi dalë në rrugë dhe kemi bërë sakrifica të mëdha për një opozitë. Gjithashtu, kemi larguar shumë kriminelë me ligjin e dekriminalizimit”, shtoi ish-deputeti i PD-së.

Në lidhje me zërat që qarkullojnë se Partia Demokratike ka gati një denoncim ndaj një tjetër kryebashkiaku, Salianji sqaroi: “Denoncimet tona i marrim nga qytetarët apo nga partnerët tanë. Do të ketë edhe një denoncim tjetër, për momentin po punojmë për verifikimin. Kemi të bëjmë me një dënim për vrasje të një kryebashkiaku”.

Kur u pyet mbi nëse opozita do të futet në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, Salianji u shpreh i bindur se opozita është në gjendje t’i fitojë zgjedhjet pavarësisht nëse Rama do të jetë apo jo kryetar qeverie.

“Partia Demokratike ka kërkuar qeveri tranzitore që garanton zgjedhjet. Për mendimin tim personal, nëse bëhen zgjedhje direkt pas Reformës Zgjedhore, ne e mundim Edi Ramën edhe si kryeministër”, deklaroi Salianji.

A2 CNN

Share: