Home KRYESORE A jemi në një iluzion të madh dhe çlirimi i Kosovës nuk...

A jemi në një iluzion të madh dhe çlirimi i Kosovës nuk ka ndodhur?

Nga Klara Buda

A është qëllimi i mocionit të mosbesimit të LDK-së krijimi e një koalicioni të ri qeveritar, i cili do të mbështeste pozicionin e presidentit mbi gjykatën speciale dhe një marrëveshje Thaçi – Vuçiç para zgjedhjeve amerikane ?

Shumë e deshëm të gjithë këtë koalicion megjithëse ishte naive të mendoja se LDK-ja do ti lëshonte aleatët e mëparshëm.

Ishte një sekret polishineli që ish-ministri brendshëm i qeverisë Kurti ishte një kolonë e pestë në brendësi të qeverisë. Ai ishte një nga kompromiset më të mëdha të VV, por tash duket qartë se paskësh qënë një kompromis i pamundur !

Një krahasim me sitemin francez. Sipas nenit 21 të Kushtetutës Fraceze, “Kryeministri drejton veprimin e qeverisë. Roli i tij, në marrëveshje edhe me Presidentin e Republikës, është thelbësor për emërimin ashtu edhe për dorëheqjen e ministrave. Kryeministri siguron kohezionin e qeverisë dhe koherencën e saj, nga ana tjetër ministrat respektojne pozicionin e qeverisë.» Në mos gabohem, Kushtetuta e Kosovës parashikon të njëjtën gjë. Në këto kushte, si në çdo vend demokratik, një ministër që del kundër qëndrimit kolegjial të qeverisë e që kundërshton qëndrimin e kryeministrit të tij para se ta bëjë këtë publikisht duhet më parë të japë dorheqjen, është një praktikë normale, banale e funksionimit të qeverisë. Eshtë absurde që disa analistë këmbëngulin se ministri u largua për një fjalë, pasi pozicionet politike shprehen me fjalë. Partia e koalicionit nga e cila vjen ky ministër do të duhej të propozonte një emër të ri. Kreu i LDK-s në këtë rast duhet, pra të propozote një ministër të ri.

Por në vend të kësaj, indiferent ndaj fatkeqësisë që do të sjellë domosdoshmërisht pandemia (është e pamundur që Kosova të bëjë përjashtim nga pandemia që kalon planeti ), kreu i LDK-ja i jep ultimatum kryeministrit, për të kthyer në funksion ministrin e shkarkuar dhe për të hequr taksën, ndërkohë që kjo e fundit nuk mund kurrsesi të hiqet me ultimatume dhe me vendime partiake.

Ky ultimatum që përfundoi këtë fund jave u pasua me mocionin e mosbesimit të qeverisë nga LDK. Jashtë dhe pamvarësisë arsyes së mocionit , i bërë në një peridhë pandemie ai është i papërgjegjshëm dhe i papranueshëm.

Cili është profili i ish-ministrit të brendshëm ? Cili është kontributi i tij ? A është ai një figurë e vyer publike? Por edhe nëse është kështu, rënia e qeverisë  për shkak të largimit të tij është një çmim shumë i rëndë për Kosovën në kushtet qe edhe ajo rrezikohet nga pandemia.

Por cila është arsyeja e vërtetë e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së LDK-së ?

Lufta mes institucionit të presidentit dhe qeverisë Kurti që nga momenti i krijimit të saj nuk është ndalur. Presidenti ka synuar të marrë kompetencat për zhvillimin e dialogut dhe së fundi ai tentoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Gjendja e jashtëzakonshme do të ishte finalja e kësaj lufte. Pasi megjithëse shpallet për arsye sanitare, ajo i jep presidentit kompetencat e ekzekutivit dhe qëllimi është marrja e drejtimit të dialogut dhe vendimit për taksën.

Fillimisht kreu i LDK-së kërkoi gjendjen e jashtëzakonshme, të nesërmen presideti  u shpall pro saj, pasi deklaroi se ishe konsultuar me LDK-në. Presidenti tenton të dërgojë dekretin për gjendjen të jashtëakonshme dhe më pas ndalet. Dhe për këtë i vjen në ndihmë pikërish ministri brendshëm, i posa shkarkuar, i cil del kundër mendimit kolegjial të qeverisë ku bën pjesë duke mbështetur shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Pason pastaj mocioni i LDK-së për mosbesimin e qeverisë. Duket qartë se cili është qëllimi i këtij shkallëzimi, ai nuk ka të bëjë aspak me atë që duket, pra mospërputhje për situatën e lidhur me Coronavirusin.

Nga an tjetër si mund të kërkosh rënien e qeverisë në gjendje të tilla pandemie, kur qeveri të tjera në dorheqje janë kthyer funksionit pasi nëvleftësimi i interesit të shëndetit publik do të skualifikonte çdo politikan.

Për Kosovën rënia e qeverisë Kurti dhe krijimi i një qeverie të koalicionit LDK dhe opozitës aktuale i stilit PAN, do të ishte ditë e zezë. A është e dënuar Kosova që përjetësisht të drejtohet nga e njëjta klikë. Nëse është kështu atëhere çlirimi i Kosovës nuk ka ndodhur, dhe ne jemi të gjithë në një iluzion të madh !

Në një kohë kur vendet e Europës, që e kishin mbyllur me kohë faqen e luftës, deklarojnë luftë në kushtet e pandemisë, kryesia e LDK-së është aq e pavetëdishme sa nuk e kupton se me këtë mocion mosbesimi, nëse ai votohet, po e lë popullsinë pa qeveri përballë një rreziku sanitar të paparë ndonjëherë, pra po e  çon sërish Kosovën në luftë ! Nga ky qendrim i LDK-së doktor Rugova « doit se returner dans sa tombe !» (lexo shokohet në ekstrem!)

Bashkohem me ata që pohojnë se ky mocion mosbesimi është një ditë e zezë për Kosovën. Në kushtet që ndalohet grumbullimi i njerëzve qytetarët po protestojnë me tenxhere. Të shfrytëzosh këtë situatë pandemie për manovra të tilla politike, është të tentosh një grusht shteti. Ky mocion mosbesimi është shprehje jo vetëm e papërgjegjshmërisë së kryesisë së LDK-së, por edhe e pozicionimit të lidershipit të LDK-së kundër interesit të Kosovës.

Eshtë evidente që mocioni i mosbesimit të LDK-së ka qëllim krijimin e një koalicioni të ri i cili do të mbështeste pozicionin e presidentit mbi gjykatën speciale duke synuar një marrëveshje Thaçi – Vuçiç para zgjedhjeve amerikane.

A ka një « marge de maneuvre » lexo: a ka një mundësi vendimi Vjosa Osmani në raport me kryesinë e LDK-se, kur dihet se është pikërisht asaj të cilës ia dha votën elektorati kosovar dhe jo Isa Mustafës ? Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, të cilët kanë marrë gati gjysmë milioni vota do të duhet të jenë solidarë për të ndaluar që krizës sanitare ti shtohet edhe një krizë politike.

A do të hyjë Vjosa Osmani në histori në këtë ditë të zezë, për intelegjencën dhe integritetin e saj?

Unë gjithmonë shpresoj dhe besoj se akti i një gruaje do ta shpëtojë një ditë kombin tonë! /Gazeta Liberale

Share: