Kryeministri Rama publikoi një video mesazh në orën 13:00, atëherë kur hyri në fuqi edhe izolimi total, deri të hënën në orën 05:00.
Në një lidhje nga ‘Facebook’, Rama u shpreh se shkelësit do të futen në një listë të zezë dhe do të ndërshkohen.
“Nuk do të mjaftohemi më me gjoba, por policia do të mbikëqyrë lagjet në Tiranë dhe në Durrës si dhe në çdo zonë urbane, ku do të futen në një listë të zezë tradhtarët, të cilët do ta paguajnë shtrenjtë. Çdo thyerje e ligjit të luftës do të jetë një barrë e rëndë për ta, do t’u mohohet çdo lloj kompensimi, ndihme financiare, të paktën për një vit, çdo lloj burse, apo rimbursimi ilaçesh, edhe për pensionistët”, tha Rama.
Më i ashpër se më herët, kreu qeverisë deklaroi se policia dhe ushtria do të ushtrojnë çdo lloj force ndaj personave që kapen në shkelje flagrante në një kohë kur për këto dy ditë vendi do të jetë në shtetrrethim. Kryeministri shtoi se do ta pësojnë dhe pensionistët që shkelin rregullat.
“Ushtria dhe policia do përdorin forcën, ujin e deri te gazi lotsjellës, nëse është nevoja, duke parë se si një tufë të papërgjegjshmish hapërdahen lart e poshtë pa pikën e turpit. Kush se ka marrë vesh akoma se kjo është një luftë botërore, ku kemi fatkeqësinë të përballemi me një armik të tmerrshëm, do duhet ta marrë vesh me pahir. Kush më shkruan për fukarenjtë se nuk rrinë dot brenda se nuk kanë bukë, të mos bëjnë sikur shqetësohen për fukarenjtë, por ta mbledhë mendjen top, se sot nuk kërcënohemi për shkak të urisë, por për shkak të marrëzisë. Fukarenjtë nuk kanë iphone dhe nuk kanë dëngla për të shitur në rrjetet sociale.
Mos luani nga vendi, nuk do të tolerojmë më askënd. Do të përgjigjemi me të keq për disa që nuk marrin vesh. Në Itali po vdes një njeriu çdo dy minuta dhe mos më thoni boll, se nuk ndahem duke iu treguar se cfarë katastrofe na gjen nesër, po nuk e ndamë mendjen sot. Mijëra nga ju le të tërbohen fare nga veprimet e mia sot, se sa qindra e mijëra të vdekur nga ne nesër, pas dy apo tre javësh. S’ka shans mirëkuptimi për këtë dhe me këta ka vetëm forcë ligjore e policore deri në fund. Kroatët do bëjnë spital dhe stadiumin. Imagjinoni sikur edhe ne të përdorim “Air Albania” vetëm për disa të pabindur”, tha Rama./Opinion.al