Nga Erion Dasho
Në fakt, virusi i sotëm nuk po bën gjë tjetër veçse na kujton disa masa të cilat gjyshë/stërgjyshërit i kanë ditur dhe na i kanë thënë prej shumë vitesh:
- Lani duart! Kujdes kur kolliteni dhe tështini! Mos pështyni përtokë!
- Kur sëmureni, izolohuni dhe rrini në shtrat! Kështu i jepni organizmit mundësi të mbledhë forcat dhe të luftojë sëmundjen dhe mbroni të tjerët nga ekspozimi.
- Kur vuani nga një sëmundje kronike apo për shkak të moshës, organizmi nuk është aq i fortë si dikur, kur keni qënë i ri dhe i shëndetshëm. Kujdesuni akoma më shumë për veten! Të moshuarit dhe personat e prekur nga sëmundje kronike, çdo sëmundje e kalojnë më rëndë se të tjerët, jo vetëm koronavirusin.
- Mbani distancë nga të tjerët, si për arsye sociale ashtu edhe për arsye etike! Mos rri pas qafës së dikujt në radhë dhe mos shty për të dalë i pari në krye të një radhe. Mos u grumbulloni vend e pa vend! Në kohë epidemish shmangni grumbullimet e panevojshme (kinema, sport, koncert, etj.) Besimi fetar është një e drejtë e shenjtë e kujtdo, por në kohë epidemish, edhe frekuentimi i institucioneve fetare mund dhe duhet të rishikohet.
- Gatuani dhe konsumoni ushqime të gatuara vetë! Shmangni ushqimet e shpejta! Gatimi në familje kërkon kohë por është më i shëndetshëm se gatimi në çdo restorant që ju premton “ushqim të shëndetshëm”, “ushqim me pak kalori” apo “ushqim bio”.
- Mbi të gjitha! Shpenzoni më tepër kohë me familjen dhe fëmijët! Puna, shoqëria dhe jeta sociale është e rëndësishme, por familja duhet të vijë gjithmonë e para. Një miku im mjek i famshëm më tha njëherë: Kur pyes personat që jane duke vdekur se çfarë u ka mbetur pishman nga jeta, mbi 90% përgjigjen “Që nuk kam kaluar më tepër kohë me familjen”.
Sot ekziston një frikë se jeta pas epdemisë COVID-19 nuk do të jetë e njëjta. Në se kjo do të thotë se do të nisim të respektojmë sa më lart, atëherë jeta pas koronovirusit pa diskutim do të jetë më e këndshme.