Home KRYESORE Letër e hapur drejtuar Kryeministrit të vendit z. Edi Rama

Letër e hapur drejtuar Kryeministrit të vendit z. Edi Rama

Mbi problematikat dhe rekomandimet në mbështetje të banorëve të zonave rurale në situatën e krijuar nga COVID-19

1 prill 2020

Të nderuar kolegë të medias,

Komunitetet rurale në Shqipëri po përjetojnë një seri problemesh të shkaktuara nga zbatimi i masave shtrënguese të ndërmarra nga Qeveria në kuadër të krizës Covid-19. Të shqetësuar për përkeqësimin e cilësisë së jetesës të fermerëve dhe banorëve të komuniteteve rurale, Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) i ka dërguar një letër të hapur Kryeministrit të vendit, z. Edi Rama, për të bërë të njohur problematikën e shkaktuar nga zbatimi i masave kufizuese të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe ushtrimin e aktiviteteve ekonomike. Letra sjellë në mënyrë të unifikuar disa nga shqetësimet kryesore të ngritura nga fermerë e banorë të zonave të ndryshme rurale të vendit përmes organizatave të tyre, anëtare të ANRD, si dhe ofron propozime për lehtësimin e problematikës së ngritur. Për më shumë informacion ju lutem gjeni bashkëlidhur letrën e plotë. Gjithashtu, letra mund të aksesohet edhe në linkun:https://anrd.al/lajme/leter-e-hapur-mbi-problematikat-dhe-rekomandimet-ne-mbeshtetje-te-banoreve-te-zonave-rurale-ne-situaten-e-krijuar-nga-covid-19/

Disa nga shqetësimet kryesore të ngritura janë:

·         Masat kufizuese nuk janë përshtatur me specifikat e qendrave urbane me karakter ruralë si dhe me aktivitetet bujqësore dhe rurale.

·         Kontrollet policore për mjetet e transportit dhe mekanikën bujqësore kanë penalizuar familjet e lidhura me këto aktivitete.

·        Këshillimi teknik, farmacitë bujqësore dhe furnitorët të përfshirë në zbatimin e kufizimeve për oraret e lëvizjes, kanë penalizuar prodhuesit dhe             grumbulluesit në zonat rurale.

·         Fermerët nuk janë të mbuluar me informacion, këshilla teknike dhe sugjerime nga ana e shërbimit këshillimor.

·         Situata e fatkeqësisë natyrore ka rënduar më tepër familjet e varfëra e ka bërë më të dukshme varfërinë rurale.

·         Mësimi online nga shtëpia nuk funksionon në shumë zona rurale, në veçanti në zonat e thella malore.

·         Situata ka përkeqësuar shëndetin dhe statusin socio-ekonomik të grave dhe vajzave rurale.

Për të ndihmuar në përmirësimin e situatës në zonat rurale, organizatat e ANRD propozojnë disa rekomandime në përpjekje për të kontribuar në adresimin e tyre: 

1.      Të rishikohen fashat e kohës për lëvizje dhe të bëhet diferencim për zonat rurale;

2.      Të propozohet fashë kohe më e gjatë për aktivitete prodhuese bujqësore dhe rurale ku puna bazohet kryesisht në bazë familje, sipas një autorizimi specifik;

3.      Të anullohen penalizimet e deritanishme dhe të lejohet qarkullimi i mjeteve të transportit dhe mekanikës bujqësore  për kryerje të aktiviteteve në fermë, sipas një autorizimi specifik;

4.      Të lejohet përdorimi i numrit të regjistrimit të fermerit, ngjashëm si NIPT-i, për fermerët e paregjistruar si biznes, përgjatë gjithë kohës së masave kufizuese të lëvizjes;

5.      Të lejohet ofrimi i këshillës teknike (autorizim specifik për specialistët bujqësor) si dhe funksionimi i farmacive bujqësore dhe i furnitorëve, sipas një autorizimi specifik;

6.      Të mbështetet qeverisja vendore dhe aktorë të tjerë aktiv në zonë, si për shembull  OSHC-të, për identifikimin e rasteve të familjeve më të varfëra dhe furnizimin periodik të tyre me paketa ushqimorë bazë; 

7.      Hartëzimi i shpejtë i nxënësve të pambuluar me mësimin online dhe gjetja e alternativave të menjëhershme për përfshirjen e tyre në procesin mësimor.

Në përfundim të letrës, ANRD dhe organizatat anëtare shprehin gadishmërinë për të kontribuar në mbështetje të përmirësimit të situatës.

Ju falënderojmë paraprakisht për vëmendjen tuaj dhe ju lutemi mos hezitoni të na kontaktoni për çdo informacion të mëtejshëm.

Me respekt,

Evelina Azizaj

National Coordinator

ALBANIAN NETWORK FOR RURAL DEVELOPMENT

Share: